Gjykata Themelore ka dënuar ditën e sotme Albin Kurti  me 1 vit e 6 muaj burgim, Faton Topalli me 1 vit e 2 muaj , po aq edhe deputeten Albulena Haxhiu. Dënimet  e dhëna janë me kusht, në rast se për 2 vite deputetët e VV’së nuk do të kryejnë vepra të tjera penale.

Ndërkohë avokati Tom Gashi në një lidhje telefonike për Report TV  është shprehur se dënimi i dhënë nga gjykata për deputetët është i papranueshëm dhe çështja do të shkojë në Gjykatën e Apelit. Sipas Gashit deputetët kanë vepruar në mbrojtje të sovranitetit territorial të Kosovës dhe moslejimit të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

 “Unë besoj se gjithë opinioni shqiptar e dinë që akti i hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend ka qenë në të mirë të Kosovës, për të mbrojtur territorin e saj. Gjithashtu hedhja e gazit lotsjellës është bërë edhe për mos lejimin e asociacionit të komunave serbe.  Besoj se këto vendime janë tërësisht politike dhe me siguri kjo çështje do të shkojë në seanca të tjera gjyqësore. Avokatët do të paraqesin ankesë ndaj vendimit dhe do të shkojnë në Gjykatën e Apelit”, tha Gashi i cili shtoi se: “Nëse Albin Kurti do të mbetet fajtorë për akuzat të njëjtat masa duhet të ishin marrë edhe ndaj kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, partia e të cilit mbështeti aksionin e Vetëvendosjes”,deklaroi avokati Tom Gashi në një lidhje telefonike për Report TV.

Ndërkohë Gashi është shprehur se përdorimi i gazit lotsjellës nuk është i përcaktuar me ligj si vepër penale në Kosovë, si dhe ka shtuar se hedhja e gazit ka parandaluar shumë të këqija për Kosovën.

 “Nuk është bërë ekspertiza për të vërtetuar rrezikshmërinë e hedhjes së gazit lotsjellës. Ne nuk kemi një ligj i cili ta përcaktojë gazin lotsjellës si armë. Askush prej deputetëve nuk kanë pësuar asnjë dëmtim. Hedhja e gazit lotsjellës ka parandaluar shumë të këqija në Kosovë”. tha Gashi.

Gjithashtu avokati Gashi  i pyetur nga Report TV për vendimin e marrë në lidhje më Gjykatën Speciale ka thënë se është një vendim i vonuar dhe një vendim i cili mund të rrezikojë vendin pasi krijimi i Gjykatës Speciale është një kontratë e nënshkruar me ndërkombëtarët.

“Do të isha tejet i lumtur si shqiptar për nëse këto vendime do të ishin në vitin 2015 por e dimë se presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi në vitin 2015 ishte në pozitat e ministrit të jashtëm dhe ka ushtruar presion ndaj deputetëve të tij për krijimin e ligjit të gjykatës speciale”. “Iniciativa e deritanishme mund të konsiderohet si diçka e mirë. Duhen ndryshime kushtetuese, por do ta rrezikojë shtetin e Kosovës pasi ligji për Ligjin e Gjykatës Speciale është një kontratë e nënshkruar me ndërkombëtarët", është shprehur Gashi për Report TV.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com