PRISHTINË, 6 Mars/ATSH/.- "Pjesëmarrja e grave ne politikë, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi" ishte tema e konferencës në të cilën morën pjesë edhe 4 deputete të Kuvendit të Kosovës.
Sipas KosovaPress, me rastin e ditës Ndërkombëtare të gruas, 8 Marsit, Parlamenti Evropian organizoi konferencën "Pjesëmarrja e grave në politikë, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi". Në këtë aktivitet, Kosova u përfaqësua nga një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetet Alma Lama, Luljeta Veselaj-Gutaj, Aida Dërguti dhe Mufera Sinik.
Në konferencën ndërparlamentare ku morën pjesë deputete nga vendet e rajonit dhe eurodeputetë u fol për sfidat e grave në vendimmarrjen politike, diskriminimin gjinor, rolin e mediave dhe të edukimit për t'i kapërcyer këto sfida.
Në emër të delegacionit të Kosovës foli deputetja Alma Lama e cila bëri një pasqyrë të shkurtër të punës së grave parlamentare, duke përshkruar rezultatet pozitive që ka sjellë kuota gjinore nga mandati në mandat. Gjithashtu, Lama foli për mungesën e përfaqësimit të grave në qeverinë aktuale.
Në këtë takim u prezantua edhe iniciativa për amendimimin e Kushtetutës dhe për të futur kuotën gjinore edhe në qeveri. Ndërsa deputetja Mufera Sinik vuri theksin tek shumë pozita me rëndësi që mbajnë gratë në Kosovë, duke filluar nga presidentja. Ajo tha se, trajtimi i barabartë i vajzave dhe djemve duhet të fillojë në familje. Fenomeni i ndarjes së roleve gjinore është i shprehur edhe në Kosovë.
Konferenca, e cila drejtohej nga zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, u pasua me një sesion të hapur në Parlamentin Evropian të nesërmen, ku tema qendrore ishte edukimi si mjet për të luftuar diskriminimin.
Eurodeputetët nga vende të ndryshme të BE-së dhe deputetet pjesëmarrëse në konferencë theksuan luftën që duhet të bëhet për të luftuar sterotipet negative për vajzat dhe gratë që fillojnë që në bankat e shkollës. Ky sesion u organizua nga Komisioni për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore i Parlamentit Evropian./m.m/