KUVEND/ Shtyhet gjendja e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor! Deputetët pa maska, Ruçi u tërheq vëmendjen! (VIDEO)

TIRANË- Me 91 vota pro, (5 kundër dhe 3 abstenim) mazhoranca së bashku me dakordësinë e disa deputeteve të opozitës kanë miratuar shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me dy muaj, deri në 23 qershor 2020.

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, deputetët Ralf Gjoni dhe Myslym Murizi dolën hapur kundër këtij vendimi, me argumentin se qeveria nuk ka dhënë një shpjegim logjik për këtë vendim, e aq më tepër se shifrat nuk e justifikojnë shtyrjen me 2 muaj të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. 

Në përgjigje të tyre, doli kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili si një nga arsyet kryesore se përse shtyrja e kësaj gjendjeje është domosdoshmëri theksoi mosndërprerjen e operacionit humanitar për familjet në nevojë, e ndërsa në vëmendje solli rastin e deputetit Adriatik Alimadhi, i cili u infektua me COVID-19. "Kur të keni mundësi bëjini një telefon kolegut Adriatik Alimadhi. Pyeteni si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dëngla këtu. Është një situatë e vështirë, një gjendje e vështirë", tha mes të tjerave Balla.

Ajo që u vu re në seancën e ditës së sotme, ndryshe nga e kaluara, deputetët nuk kanë respektuar masat e marra, ku kryetari i Kuvendit u ka tërhequr vëmendjen deputetëve, teksa kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla ka shkuar më tej duke kërkuar që Kuvendi të mbyllet. Madje, ai tha se do t'i propozojë qeverisë që të bëjë mbajtjen e maskave me detyrim.  

Deri në 23 qershor, vendi do të jetë në situatat të fatkeqësisë natyrore duke zbatuar të gjitha kufizimet dhe masat e përcaktuar në luftën kundër koronavirusit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:07
Shiu bën 'grumbull' deputetët në Kuvend/ I mbajnë maskat jashtë, i heqin në sallë (FOTO)

Shiu ka bërë 'grumbull' deputetët e Kuvendit. Ajo që është vënë re është se deputetët kanë mbajtur maskat kur kanë qenë jashtë godinës, e ndërsa brenda disa prej tyre i kanë hequr, aq sa pati reagimin e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit.

Ora 14:06
Xhaçka bën bilancin e operacionit humanitar: Mbi 300 mijë familje u është dërguar ushqim në shtëpi (VIDEO)

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si përgjegjëse e operacionit humanitar ka dhënë shifra zyrtare mbi ndihmat që u janë dhënë familjeve në nevojë dhe pensionistëve të vetmuar në kohë COVID-19.

"Përveç këtyre detyrave që angazhojnë çdo ditë 700 efektivë, qindra të tjerë janë vënë në shërbim të programit të ofrimit të asistencës në banesë të familjeve dhe individëve në nevojë. Ky program asistence në bashkëpunim të ngushtë me rezervat e shtetit, bashkitë, prefekturat, shërbimin social, sigurimet shoqërore dhe postën shqiptare deri më tani i ka ardhur në ndihmë;

171.195 familjeve në nevojë me pako ushqimore në të gjithë vendin.

68,262 pensionistëve ju Janë siguruar medikamente mjekësore të rimbursueshme dhe

82.793 familjeve, kryesisht pensionistë, me shërbime në familje sipas nevojave.

Nga fillimi i procesit dhe deri në këto momente numri total i familjeve të shërbyera në banesë është 322,250. Ndërkohe që janë 470.000 pensionistë që marrin pensionin në shtëpi nëpërmjet shërbimit të ofruar nga posta shqiptare që po bën një pune kolosale që nga fillimi i epidemisë. Sigurisht, ky operacion vazhdon, FA janë aty dhe do të jenë aty deri në ditën e fundit, kur do ta fitojmë këtë luftë, duke ju gjendur me të gjitha mundësitë dhe përkushtimin tonë çdo qytetari që do të ketë nevojë për ndihmën tonë", tha Xhaçka.  

Ora 13:53
Riatdhesimet/ Hajdari: Pse i çoni në hotel dhe nuk u bëni tamponin? Balluku: Aty i ruajmë me ushtri, në shtëpi nuk i kontrollojmë dot (VIDEO)

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate sa i takon vendimeve të mara nga qeveria për të përballuar situatën e emergjencës së krijuar në vend. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari ka kërkuar shpjegime se përse shtetasve që riatdhesohen nuk iu bëhet tamponi por futen në hotele dhe krijojnë rrezik për krijimin e një vatre të re infektimi.

“Për riatdhesimin, më falni zonja balluku dua një shpjegim cila është arsyeja që sot ata që riatdhesohen futen nëpër hotele pa asnjë lloj mase? Ku e dini ju që ata persona nuk mund të krijojnë një vatër tjetër duke qenë  pa asnjë lloj mase në ato hotele. Ata janë duke u futur në një dhomë. Pse nuk testohen individ pas individi dhe ata që janë të infektuar të karantinohen dhe të tjerët të shkojnë në shtëpi”, pyet Hajdari.

Kësaj pikëpyetje i është përgjigjur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e cila tha se është e pamundur të kontrollohen qytetarët nëpër shtëpi, ndërsa në hotelet e kthyera në karantinë ata ruhen nga ushtria dhe policia vëzhgon kamerat e sigurisë.

“Askush nuk mund të shkojë në shtëpi zonja Hajdari sepse shtëpitë nuk i kontrollojmë të gjitha. Nëse ne do të shkonim shtëpi më shtëpi dhe të shikonim nëse ata vërtetë jetojnë vetëm apo ata shtëpi janë të pa-frekuentuar nga njerëz të tjerë do të ishte e pamundur. Hotelet nuk janë më hotele, por struktura karantinuese. 132 persona kur zbresin nga autobusi shoqërohen nga policia e Shtetit nga Rinasi deri në derë të hotelit dhe aty është policia që merr përsipër ruajtjen e tyre. Ju sigurojë që të gjitha kamerat kontrollohen nga polica e shtetit dhe ata qëndrojë në dhomë, jashtë çdo dhome lidhet një karrige ku lihet çarçafët e pastër ushqimi, kur kanë kërkese lajmërojnë në recepsion, Kjo është mënyra më e mirë e karantinimi”, tha Balluku.

Faza e dytë e riatdhesimeve vijon normalisht që kur ka nisur më datë 18 prill, dhe në total sipas ministrisë së Infrastrukturës pritet të riatdhesohen 1500 shtetas shqiptarë të mbetur jashtë vendit si pasojë e mbylljes së kufijve, por kjo shifër mund të rritet pasi po shikohen edhe destinacionet të reja përfshirë Vienën, Madridin apo dhe Bukureshtin. Deri më tani janë riatdhesuar mbi 700 persona dhe ditën e sotme do të jetë fluturimi i radhës nga Parisi ku pritet të riatdhesohen 130 persona. Pasi mbërrijnë në aeroportin e Rinasit, ata transportohen në hotelet e kthyera në karantinë në qytetin e Durrësit ku do të qëndrojnë për 14 ditë.

Ora 13:31
VD/Deputetët pa maska në seancë...Dhe distancojnë gazetarët nga Parlamenti (u kalojnë me makina te këmbët)

TIRANË- Deputetët duhet të jenë shembull të respektimit të rregullave, në një botë ideale, por kjo nuk ndodh në Shqipëri.

Në seancë e sotme parlamentare e zhvilluar në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ajo që u vu re është se një pjesë e deputetëve në sallë nuk i kanë respektuar masat e marra, disa flisnin pa maskë, disa të tjerë nuk e mbanin fare, të tjerë pa doreza apo nuk respektonin distancimin sociale, gjë e cila bëri që kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, por edhe kreu i grupit socialist Taulant Bala u ka tërhequr vëmendje.

Megjithatë, teksa nga njëra anë nuk i respektojnë hapur masat, kanë përdorur si "justifikim" distancimin social për të shmangur gazetarët, edhe pse këta të fundit të pajisur me maska dhe doreza. Deputetët kanë përdorur këtë justifikim për të mos iu përgjigjur pyetjeve që mund të kenë gazetarët, si përcjellës të zërit të qytetarëve.

Si në masë mbrojtëse, gazetarët janë pozicionuar në anën tjetër të trotuarit të parlamentit, dhe kjo gjë ka bërë që ndryshe nga herët e tjera, duke bërë që deputetët t'u kalojnë "përpara këmbëve" me makinë, pa ecur në këmbë siç ka ndodhur gjithmonë, ku ndalonin edhe për të dhënë prononcime të ndryshme.

1587642345_tredeputete.jpg

Ora 12:58
Kuvendi voton/ Miratohet shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor

1587640652_kuvendi.jpg

Me 91 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim, parlamenti miraton shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor.

Ora 12:00
Balla- opozitës së re: Pyesni deputetin Alimadhi pse është e nevojshme shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore (VIDEO)

Në përgjigje të deputetëve të opozitës që janë renditur kundër shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se është një domosdoshmëri. Në argumentin e tij, Balla tha se nëse nuk do të zgjatej gjendja e fatkeqësisë natyrore do të ndërpritjej në mes ndihma humanitare për familjet që janë shumë në nevojë.

"Pse qeveria i ka kërkuar kuvendit zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme? Sot janë 29 raste të reja. Z. Gjoni ju thatë që nuk është ndonjë gjë e madhe se kemi 27 jetë të humbura, për mua edhe një jetë e humbur është fatkeqësi. Kur të keni mundësi bëjini një telefon kolegut Adriatik Alimadhi. Pyeteni si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dëngla këtu. Është një situatë e vështirë, një gjendje e vështirë. Ne iu shprehim ngushëllimet atyre familjeve që kanë humbur të dashurit, lutemi për ata që janë në gjendje të vështirë. Në këtë situatë kaq sfiduese, për qeverinë, për sistemin tonë shëndetësor gjej rastin t’i falënderoj për punën heroike gjatë këtyre javëve, një mirënjohje e ndjerë ndaj shprehjes së ndërgjegjes qytetare në nivele më të larta që kanë bërë mjekët, infermierët dhe pse ndonjëri u mundua të përdorte detyrën që pati misioni i parë në Itali.

Kolegë edhe këto masa të sotme që përfshihen në gjendjen e fatkeqësisë natyrore kanë në fakt mesazhin që jemi ende në një situatë delikat. Rreziku jemi më shumë ne njerëzit se sa virusi. Ne sot jemi rrezik potencial i vetvetes. Sulmi i armikut padyshim që nuk na gjeti në befasi. Ne kemi kaluar për mrekulli këtë fazë të parë, nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë por shohim përditë se si kemi arritur të kemi një kurbë që është më në kontroll se në vendet e Europës. Nuk shohim të na mungojnë shtretërit e spitaleve, nuk kemi të humbur në radhët e bluzave të forta”, tha Balla.

Ora 11:57
Balla: Të mbyllet Kuvendi, deputetët nuk po respektojnë masat! Qeveria të bëjë me detyrim mbajtjen e maskave (VIDEO)

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar që parlamenti ta bëj me detyrimin përdorimin e maskave, e ndërsa vuri theksin se nuk ka respektim të masave nga ana e deputetëve, duke kërkuar që Kuvendi të mos vazhdojë seancën.

" Maska nuk është kombinim me veshjen, është një detyrim. Do e nxisja qeverinë që të konsultohet me ekspertë dhe përdorimi i maskave të jetë domosdshmëri. Nuk është vetëm për t'u mbrojtur, por edhe ai tjetri që nuk e mban,mund të kthehet në një shpërndarës të armikut", tha Balla.

Ora 11:56
Hajdari:Pse i izoluat shqiptarët kur kishte 9 raste të reja, sot që ka 29 i lironi...nuk na keni dhënë asnjë shpjegim logjik (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari kërkon shpjegime se përse kërkohet shtyrja e Fatkeqësisë Natyrore me dy muaj. Sipas saj, nuk është dhënë asnjë arsyetim logjik, teksa thote se përse qeveria mori vendimin për karantinimin e shqiptarëve kur kishte vetëm 8 raste, e ndërsa thotë që do të marrë masa lehtësuese kur ka 25 raste në ditë.

"Deri më sot nuk kam dëgjuar një shpjegim logjik që pse po i marrim hapat e deritanishme. nuk dëgjoj asnjë plan konkret të qeverisë, ju sot kërkoni një shtyrje të afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pse jo 2 javë apo 30 ditë sa e lejon afati. Nuk jam këtu për të kundërshtuar qeverinë, por po përfaqësoj popullin dhe për t marrë një përgjigje mbi arsyet konkrete pse e kërkoni këtë ndryshim. Nuk keni dhënë asnjë arsyetim, pse i keni ndryshuar fashat orare, pse çfarë ndryshoi nga dje, çfarë është kjo fazë e dytë, sa faza do ketë. Kur kërkohet llogari nuk do të thotë që po kundështohet, një deputet e ka për detyrë të kërkojë llogari. Është e drejta ime, pse izoluat sghqiptarë me 8 raste dhe sot po i kërkoni me 25 raste në ditë. Sot thoni hajde lironi bizneset dhe në fakt rastet po rritet dhe kur kishte vetëm 8 raste i izoluar. Çfarë garancie u jepni qytetarët që situata nuk po përshkallëzoni, ju i thoni njerëzve është më i sigurt të eci në rrugë se të ecë me makinë private. Ku është shpjegimi juaj, ku i keni epidemiologët që ju japin këto mendime? nuk mundet të merrni këto vendime. Pse u tërhoqët pa asnjë lloj konsultimi nga të drejtat Europian të të Drejtave të njeriut. A u nxituat, a është kjo si në 97? Unë them se jo. Pse vazhdoni të thoni se e-albania paska kompetencën e duhur, a janë ekspert të fushës, kush janë këto që japin leje që të dalim jashtë. Kërkoni ta shtyni këtë gjendje me dy muaj, të hapni bizneset. Kjo është një situatë shumë e ndërlikuar për shqiptarët, sot u thoni që do e keni këtë gjendje edhe për 2 muaj pa u dhënë asnjë shpjegim", tha Hajdari.  

Ora 11:43
Ahmetaj: 22 mijë familje jashtë asistencës sociale futen në paketën financiare....Bankat aprovojnë 72 aplikime kredie të biznesit të madh (VIDEO)

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se në paketën financiare për përballimin e situatës së COVID-19 janë futur edhe 22 mijë familje që kishin dalë nga mbështetja e asistencës për shkak të pikëzimit.

Ahmetaj e bëri të ditur këtë fakt gjatë fjalës në parlament  ku argumentoi kërkesën e mazhorancës për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. Ministri po ashtu bëri të ditur se janë aprovuar sot nga bankat 72 aplikimeve të bizneseve të mëdha për mbështetje për pagat e punonjësve, në sajë të garancisë sovrane, nga 100 milionë dollarë që është instrumenti i garancisë.

Ahmetaj: "Gjendja e fatkeqësisë natyrore duhet shtyrë mendon shumica e mazhorancës. Është një grup që e shfrytëzon kohën për replikë boshe politike, dhe një grup qoftë Roshi, qoftë Halili, qoftë Enveri, jo vetëm që diskutojnë për çështje serioze çfarë po ndodh me jetën e qytetarëve apo çfarë po ndodh me biznesin e madh. A duhet shtyrë gjendja e fatkeqësisë natyrore? Të diskutosh janë 30 apo 60 ditë se po e përdor mazhoranca...Jemi duke folur për jetë njerëzish. Një jetë njeriu është e shtrenjtë, dhe janë 27 qytetarë që kanë humbur jetën dhe janë 27 familje që kanë humbur njerëzit e dashur. por po të bëni një krahasim, në një debat njerëzor me njëri-tjetrin në funksion të mbrojtjes së qytetarëve. nëse do merrnim numrat e Serbisë dhe Maqedonisë dhe do ecnim me logjikën e Serbisë, Shqipëria do të kishte 100 fatalitete, po të kishim trajektoren e Italisë, Zot na ruaj. Nëse do ishte ajo situatë ju do thonit fajin e ka qeveria. Është përgjigjja e qeverisë dhe e juaja nëse doni për të frenuar përhapjen e virusit. Dhe diskutimi duhet të jetë në funksion të jetës së qytetarëve dhe me dritë në fund të tunelit. Të drejtat e njeriut janë themelore, dhe më themelorja është e drejta e jetës".

Janë 52 mijë qytetarë që kanë marrë pagën e luftën dhe janë aprovuar 17 mijë aplikime të aprovuara nga paketa e dytë 40 mijë lekëshin, që përfitojnë mbi 37 mijë punonjës.

Ora 10:48
Gjoni: E keni bërë Metën deputet me korrespondencë! Rama me fat që ka Bashën përballë, një dështak që rri si dele (VIDEO)

Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni është shprehur kundër shtyrjes së fatkeqësisë natyrore, e ndërsa nuk ka lënë pa komentuar edhe aktualitetin politik, ku nuk munguan ironitë dhe akuzat për Ramën- Bashën- Metën.

"Unë jam kategorikisht shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por nuk shoh kushtet e përshtatshme për logjikën e kërkesës. Nuk shoh fatkeqësi natyrore, por 20 e kusur vdekje në logjikën time nuk janë një arsye e fortë. Më shumë ka vrarë tërmeti i 26 tërmeti se koronavirusi. Pse kjo po ndodh në Shqipëri, që në fakt është një lajm i mirë. Por realiteti është ky që në Shqipëri COVID-19 nuk po bën kërdi, prandaj duhet që jeta të ktheje normaliteti, se kjo i jep target qeverisë që të jetë më autoritare. Skemën politike po e dominon Rama, dhe dashuria e tij për Metën. Ku je Taulant, pse s'po shkarkoni Metën? E morët nga politika e cuat në azil, tani e keni kthyer në deputet me korrespodencë. Si mund që presidenti të bëjë propozime për ndryshimin e Kodit Penal. Rrotullohen treshe në krevat mbi kurrizin e popullit, kjo është fatkeqësia e këtij vendi, bëjnë teatër ndërkohë që vendi po grabitet. Rama ka një fat të madh që ka përballë një dështak, e kam fjalën për atë që bën si lider opozite, por rri si dele. Është e turpshme", tha Gjoni.

Ora 10:45
Murrizi- Spiropalit: Jeni konsultuar me dashurinë e Lalzit për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore...Meta tha se ishte dakord me 30 ditë (VIDEO)

Kundër shtyrjes së fatkeqësisë natyrore është rreshtuar deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi, ku nuk i ka kursyer ironitë për kryeministrit Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta.

"Dëgjova zonjën Spiropali, nuk e di për zgjatjen e afatit a jeni konsultuar me kapon se ai tha 30 ditë do jetë darkod, e mos i vjen SMS nga llozha Taulantit shkarkohet Ulsua dhe vjen data tjetër, prandaj, flisni para e të mbushni kutitë, flisni me dashurinë e Lalzit dhe aleancës së ngjalave.

 Rikthimi pas një divorci formal, ashtu si familjet shqiptare ndaheshin për të marrë një kile vaj e sheqer, kështu jeni ndarë edhe ju me Skënderbeun e Kushteutës, besëlidhjes së Lezhës numër tre dhe u pajtuat, nga gjithë kjo tollovi përveç fatkeqësive që humbën jetën, ndodhi se ai njoftoi legjitimitetin e kuvendit, kodi që gardiani që firmosi dje kërkon 84 vota, se nga i gjeti 84 të ligjshëm, mbase ka ardhë ka votuar edhe gardiani vetë. Gjithë sa votuam ne këtu, i madhërishmi doli dhe tha lere se kam bërë shaka, fali të gjitha, 6 mijë gjoba që kanë prerë 12 mijë policë, kush I pyet ata, ky është ai që sjell peshqeshe, pse votoni kot, pyesni kapon njëherë që është dakord për 23 apo jo, e pastaj pyesni të madhin apo del nesër e thotë falen të gjitha. Për ca i hapni hotelet, kush do flejë në hotel, kur shqiptarët janë të mbyllur. Do hapni rrugët ju, burri në timon gruaja skic, i thoni atij ju që ju që burra e gra flenë bashkë në krevat gjithë natën, apo jo, po në gjumë ca bëjnë këta", tha Murrizi.

Ora 10:35
Duhet të jenë shembull, por deputetët nuk respektojnë masat në Kuvend, Ruçi u tërheq vëmendjen (VIDEO)

Disa deputetë nuk kanë respektuar masat mbrojtëse duke hequr maskat teksa flasin, apo lëvizin në sallë. Kjo gjë ka bërë që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi t'u tërheqë vëmendjen.

"Shikoj disa deputet që nuk marrin masa mbrojtëse, janë për të mbrojtur veten dhe kolegët. Ju lutem të respektohet ky rregull", tha Ruçi.

Ora 10:24
Murrizi kritika për ndryshimet në Kodin Penal, i përgjigjet Ruçi (VIDEO)

Deputeti Myslim Myrrizi gjatë fjalës në Kuvend tha se ndryshimet në Kodin Penal në seancën e shkuar u bënë në shkelje me ligjin, pasi sipas tij u bë një amendim në moment të fundit ndërkohë që deputetët sipas tij e kishin mbyllur votimin. Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi në përgjigje të këtij pretendimi tha se nuk bëhet fjalë për amendim por një riformulim gjatë diskutimeve nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që uli nga 15 në 8 vite për kë përhap infeksionin COVID me dijeni dhe shkakton pasoja të rënda.

Mylsim Murrizi: Unë do t'iu ftoja që në seancën e datës 16 në këtë vend është miratuar një ligj në kundërshtim me rregulloren e kuvendit. Ne kishim votuar, nuk di me çfarë tagri dikush kishte marrë fjalën për të propozuar diçka. Amendamenti nuk ishte protokolluar 24 orë përpara. Unë e kam rendin e ditës të datës 16 dhe ne nuk kemi njoftim për amendament shtesë. Nuk e di se nga erdhi ai variant për Kodin Penal dhe kush e shpiku. Unë ju ftoj ju dhe kolegët e mazhorancës të marrin në shqyrtim shkeljen kushtetuese të 3 neneve të rregullores.

Gramoz Ruçi: Nuk kemi të bëjmë me amendim të ri, por me marrjen në konsideratë të të gjitha vërejtjeve që u bënë për uljen e viteve të ndëshkimit penal, nga 15 në 8, nga 8 në 5, nga 5 në 3 e kështu me radhë. Janë propozuar nga kreu i grupit parlamentar zoti Balla. Kur ishte diskutimi për çështjen, ai u ngritur dhe bëri riformulimin. Nuk kishte amendim fare. Është hequr shifra 15 vite dhe është bërë shifra 8 vite.

Unë kam lexuar rezultatin e votimit në tërësi , ndërsa nen për nen ata që ishin këtu kanë votuar. Murrizi, ti kur janë votuar këto, nuk ke qenë në sallë, ka votuar vetëm zonja Hajdari për uljen e këtyre shifrave.

Ora 10:20
Gjuzi: Pse Bashën nuk e dërgoni para drejtësisë për '21 janarin'? Ruçi: Të paktën ji mirënjohës se të bëri deputet (VIDEO)

Seanca e parlamentit e ditës së sotme ka nisur me deputetët e opozitës që kërkojnë më shumë kohë për të folur, por deputeti Kujtim Gjuzi ka zgjedhur ta nisë direkt me akuza për qeverinë Rama. Nuk ka munguar përgjigja me ironi e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjuzi: Ishim ne ata që lejuam Ramën të vazhdojë teorinë e tij, por nuk mundte të zgjedhë se kush do të zgjedhë opozitën. Pse se çoni para drejtësisë Lulzim Bashës, ish- ministër i Brendshëm për 4 vrasjet në Bulevard.

Ruçi: Lulzim Basha nuk është këtu. Të paktën t'i jesh mirënjohës se të bëri deputet, që të pruri në këtë sallë

Gjuzi: Nga ajo opozitë e papërgjegjshme ne jemi këtu

Ora 10:06
Opozita bashkon zërat: Mos na merrni të drejtën e fjalës, edhe Majko guxon e voton kundër, 'good luck' me lëpirësat e Ramës (VIDEO)

Deputetët e opozitës, Andi Përmeti, Halit Valteri dhe Ralf Gjoni u bënë një zë në seancën e kësaj të enjteje në Parlament, duke thënë se në Konferencën e Kryetarëve është ndarë në mënyrë të padrejtë koha e fjalës për mazhorancës, dhe opozitën, të cilës i është lënë vetëm 15 minuta përballë 90 minuta të shumicës. Ata kërkuan që të bëhet tjetër ndarje për të drejtën e fjalës në seancë, duke mos u caktuar koha sipas grupeve parlamentare, por veçanërisht për deputetët. Përmeti, Valteri dhe Gjoni, hodhën akuza ndaj kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla se kanë blerë disa nga deputetët e opozitës, prandaj koha sipas tyre, duhet ndarë me emra të përveçëm deputetësh.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në përgjigje të pretendimeve të tyre, tha se "edhe këtë seancë edhe të shkuarën mazhoranca ka 70 minuta. Minoranca edhe seancë e shkuar edhe sot, ka 62 minuta, pra 8 më pak se mazhoranca".

"Deputetët e pavarur kur bëhet me kohë të kufizuar, nuk kanë më shumë se 10 minuta të gjithë bashkë", shtoi Ruçi.

Diskutimet në Kuvend

Andi Përmeti: Është në shkelje të nenit 48 pika 3 e rregullores. Është hera e dytë që vidhet koha e opozitës dhe i jepet mazhorancës. 95 minuta mazhoranca, 25 minuta opozita. Edhe Pandeli Majko ka guxuar të votojë kundër mazhorancës, dhe këta nuk kanë ngritur një herë kartonin kundër nga ai që ngre Taulant Balla. O do bëjmë opozitës, o teatër, të flasin ata deputetë të opozitës dhe jo ata që i thurin lavde Edi Ramës.

Halit Valteri: Të njëjtin shqetësim kam edhe unë. Për çfarë duhet të flasë 95 minuta mazhoranca, çfarë ka për të mbrojtur. Për çfarë ne kemi vetëm 15 minuta, se ti the shumë 25. E di që u shqetësove zoti balla, ne kemi vetëm fjalën në këtë parlament. As nuk iu ndalim dot, se i ke blerë 15 deputetë këtu, se ia çoni me whatapp, dhe votojnë, në komision i kalojnë ligjet siç i doni ju. Ose na thoni të ikim nga ai parlament e na thoni të ikim ku kanë dalë ata të parët, por menduam të sillnim diçka ndryshe.

Ralf Gjoni: I bashkëngjitem shqetësimit të kolegëve dhe dua t'u kërkoj me dashamirësi që vendimi i marrë në konferencën e kryetarëve për të ndarë kohën e diskutimeve nuk është zbatuar gjatë seancës së fundit. Koha iu dha kryeministrit. Unë nuk mendoj që në kushtet aktuale të cilësisë së këtij parlamenti, të grupeve parlamentare, koha të ndahet mes grupeve parlamentare. Koha duhet ndarë mes deputetëve, si deputetë, dhe jo si anëtarë të ndonjë grupi parlamentar, qoftë fake, që krijohen me urdhra të mazhorancës.

Ne kemi çështje jetike për shqiptarët për të diskutuar, dhe ne na mohohet e drejta e fjalës. Unë druaj se cilësia e jetës parlamentare po cenohet rëndë. Ju ftoj ta rishikoni këtë vendim dhe të ndahet koha në mënyrë më proporcionale. Nëse mazhoranca nuk do të ketë opozitës, do të ketë lëpirësa, dhe good luck, vazhdoni parlamentin me lëpirësat tuaj.

B.K./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Refugjati: 23/04/2020 15:19

    Belinda vazhdon te kakarise dhe te genjeje popullin me bizneset e hoteleve ne kurris te emigranteve

    Përgjigju
  • Faisbe: 23/04/2020 14:21

    Komedianet e regjisor rruçit e lozin lojen hatashem si klloun te denatyralizuar. Duan te japin mesazhin ne popull se po fitojne bastin me Ameriken zagaret lapangjoze S(sali)I(ilir)G(ruçi)E(kryeminister)-SIGE. Po dardha e ka bishtin mbrapa...

    Përgjigju
  • KUJTIMI MADHËSHTOR: 23/04/2020 11:39

    Të flasësh drejt e pa diskutime Kujtim Gjuzi sot ka folur si BURR i madh shteti. Është të ulurish kryekrimineli malok qeni bastsrd bajg salhe berisha i ka duart me gjak me gjakun e Shqiptarve e ky qen lëviz i lir e lef gjat gjith kohës. Lyli vodhi vrau e prap bën karshillik jeton i lir e shëtit nëpër Bot. Jevgjiti fatmir bajg mediu po ashtu ktiminel e duart me gjak e shëtit nëpër Bot. Sy peshkaqeni i qenit bastard berisha xeni shētit nëpër Resortet më të shtrenjta të botës me lekët e vjedhura nga babai tij bastard. O Shqiptar mos u merni me budallallëqe pa vler thirini trurit e largojni kta bastard nga politika që nga Edi Rama e deri të genc ruli kryehajdut. Zhelefina hajdute me çizme tani që e hoqën ka filluar kakarit pa pushim. Ridvan Bode vodhi sa plasi bëri kontrata të pa para skandaloze në kuriz të Shqiptarve e ky bastard jo vetëm që su fut në burg po dhe shpërblehet nga Edi Rama mer vënd pune të pa par pra paguhet si mbret me lekët e Shwiptarve që i ka vjedhur me zell deri në shkatrim. Pra o Shqiptar faijn e keni vet që kta bastard nga të katër krahët duhen nxjer jasht politike me shkelma. Ose mbanjni e i pagshi hsjrin. E meruni me tër tër e mër mër .

    Përgjigju
  • Orli: 23/04/2020 11:18

    Po mire more z.ruci se ky Gjuzi u dashka te jete mirnjohes lulit qe e ka bere deputet! Po ju perse i jeni mirnjohes?!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!