Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj, është shprehur se në Partinë Socialiste nuk ka krizë dhe përçarje.
Komentet Pacaj i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se diskutimi publik mbi një përplasje të mundshme mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama erdhi pasi në mbledhjen e Grupit të PS, deputetja socialiste u ul në rreshtat e fundit.
“Ne jemi një forcë politike që thuajse një vit para zgjedhjeve lokale, administrojmë 53 nga 61 bashkitë në vendin tonë. Ne i kemi fituar këto bashki në sajë të punës dhe besimit. Asgjë nuk ka ardhur rastësisht. Krizë në PS nuk ka. Në mbledhjen e Grupit të PS nuk ka pasur përplasje apo debate të forta. Një debat i tillë që do të çonte në përjashtimin e disa personave nga PS nuk ekziston.
Një ndër arsyet, një nga argumentat ishte fakti i pozicionimit të koleges në fund të rreshave. Po të shohësh, dy karrige më andej jam unë. Kur shkova, shkova fiks në orën 11:00 në mbledhje dhe u ula në fund. Ne deputetët nuk e kemi me protokoll se ku duhet të ulemi. Dhe normalisht kur merren të tilla indicie dhe të tilla skenarë që bëhen lajm, hajde i diskutojmë. Por nuk ka substancë dhe nuk ka gjë për të diskutuar në këtë rast”, tha mes të tjerash Pacaj.
Ndërkohë më tej Pacaj foli edhe për ambicien e shprehur nga deputeti Socialist Erion Braçe për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës nën siglën e PS.
Pacaj tha se është totalisht legjitime që një deputet i PS që ka 30 vite në politikë të shprehë një ambicie të tillë. Sipas Pacaj, në fund janë forumet e partisë ato që do të marrin një vendim për këtë çështje.
“Një ambicie si ajo e Braçes, që ka 30 vite në politikë, nuk mendoj se duhet bërë lajm. Ajo që mund të ketë bërë Braçe është një ambicie e tij totalisht legjitime. Në fund fare janë forumet e partisë ato që do vendosin”, tha mes të tjerash Pacaj.
Komente












