Dëshmia e ish-deputetit: Si u arratisëm me varkë nga liqeni i Pogradecit, 16 pjesëtarët e familjes në regjimin komunist

Dëshmia e ish-deputetit: Si u arratisëm me varkë nga liqeni i Pogradecit, 16 pjesëtarët e familjes në regjimin komunist

Publikohet historia e familjes Fejzollari nga Pogradeci, e cila në korrikun e vitit 1975, me anë të një varke që e kishin përgatitur në kushte artizanale në bodrumin e shtëpisë së tyre, mundi që të arratisej nga liqeni i Pogradecit dhe të dilte në qytetin e Strugës, ku më pas erdhi dhe i morri i jati i tyre, Hakiu, ish-partizan dhe shok i ngushtë i Rreshit Çollakut gjatë kohës së Luftës, i cili në vitin 1949-të, ishte arratisur nga Shqipëria dhe jetonte në Australi, pasi si kryetar i pushtetit lokal të Pogradecit, kishte kundërshtuar terrorin dhe pushkatimet pa gjyqe ndaj të arratisurve që u vetëdorëzuan pas dhënies së amnistisë nga regjimi komunist i asaj kohe…

“Në 25 qershor të vitit 1975 kur vëllai ynë Feridoni sapo kishte dalë nga burgu,  u mblodhëm dhe vendosëm që të arratiseshim me not nga Liqeni i Pogradecit. Por ky plan na dështoi pasi u diktuam nga nëna e cila na gjeti një komardare të madhe zetori në bodrumin e shtëpisë, në të cilën kishim lidhur disa dërrasa. Nëna na mblodhi ne të tre vëllezërit dhe na tha: ‘Nuk është zgjidhje ajo që keni mendur ju, mirë mua, po ku do t’i lini gratë dhe fëmijët që do të mbeten rrugëve pa asnjë përkrahje dhe do të kalbemi të gjithë nëpër internime. O të ikim të gjithë o të vdesim të gjithë, rrugëzgjidhje tjetër nuk ka’.

Pas fjalëve të nënës ne u bindëm dhe vendosëm që të iknim të gjithë, duke kaluar nëpër Liqenin e Pogradecit dhe unë mora përsipër që të ndërtoja varkën që do të na duhej për t’u arratisur. Pas tetë ditëve unë arrtita ta ndërtoja varkën në bodrumin e shtëpisë dhe në mesnatën e datës 3 korrik 1975, duke u gdhirë data katër, së bashku me 16 pjestarët e tjerë të familjes, mbërritëm në bregun tjetër të liqenit, në Ohër”.

Flet dhe deshmon për Memorie.al, Et’hem Fejzollari, i cili rrëfen gjithë historinë e dhimbëshme të familjes së tij, e cila pasi u persekutua për shumë vjet nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në korrikun e vitit 1975, u largua nga Shqipëria duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin shtetëror me një varkë të vogël në Liqenin e Pogradecit.

Si u arratis Hakiu nga Shqipëria në vitin 1949 dhe si erdhi ai tre vjet më vonë nga Jugosllavia për të takur familjen e tij në kampin e internimit në Kamëz dhe si mundi  t’i lironte ata nga internimi, pasi mori peng Kryetarin e Degës së Brendshme të Pogradecit, Nuçi Tirën? Si u persekutua më pas familja e Haki Fejzollarit dhe si u arratisën ata në vitin 1975 nga Liqeni i Pogradecit? Cilat ishin dënimet që u dhanë për 17 funksionarët e lartë të Pogradecit që u konsideruan përgjegjës për arratisjen e bujshme dhe si arriti deri në Australi familja Fejzollari? Lidhur me këto e ngjarje të tjera të kësaj familje, na njeh me dëshminë e tij, Et’hem Fejzollari, i cili është kthyer në Shqipëri në vitin 1991 dhe pasi ka qenë i angazhuar për disa kohë në politikë dhe si deputet në parlamentin shqiptar, aktualisht i është kushtuar familjes dhe punëve të saja.

Haki Fejzollari kundërshton terrorin komunist

Për meritat dhe kontributin e madh që kishte dhënë gjatë Luftës, babai i Et’hemit, Haki Fejzollari, në dhjetorin e vitit 1944 u emërua në funksionin e kryetarit të pushtetit vendor për nënprefekturën e Pogradecit, pasi deri në atë kohë ishte marrë me organizimin e Këshillave Nacionalçlirimtare. Ndërsa Hakiu u caktua në atë funksion të rëndësishëm, si numri një i pushtetit vendor të Pogradecit, sekretar i parë i Partisë Komuniste për atë nënprefekturë, ishte emëruar bashkëluftëtari i tij, Pirro Gusho. Çarja e parë e madhe ndërmjet Haki Fejzollarit dhe regjimit komunist të Enver Hoxhës, e ka zanafillën në vitin 1946, kur qeveria e Tiranës shpalli një amnisti të gjerë për shumë nga eksponentët e Ballit dhe Legalitetit, të cilët ajo i konsideronte si kundërshtarët e saj politik. Lidhur me këtë, Et’hem Fejzollari, dëshmon: “Në atë kohë që u dha ajo amnisti, shumë nga ata persona që qëndronin nëpër male në arrati, si Nuri Udenishti, Beshir Placeri, Jaup Çezma, Hasan Malellari, Tushi Laçkua etj., u kthyen dhe u dorzuan vetë në Degën e Brendshme të Pogradecit. Por këta persona të cilëve iu bë thirrje që të dorzoheshin, nuk u falën ashtu siç dhe iu ishte premtuar, por u pushkatun të gjithë pa asnjë proces gjyqësor. Kjo gjë e irritoi jashtë mase babain tim Hakiun, i cili shumë prej personave që u dorzuan, i kish pasur bashkëluftëtarë në çetat e brigadat partizane dhe ai ndjehej fajtor për atë pabesi që po iu bëhej atyre. Babai e kundërshtoi hapur ekzekutimin pa gjyq të gjithë atyre burrave, duke thënë se një pjesë e tyre kishin dhënë një kontribut të madh gjatë Luftës dhe se ai veprim ishte terrorizëm i hapur. Ky reagim i babait solli dhe konfliktin e tij të parë me pushtetin komunist dhe konkretisht me Pirro Gushon, Sekretar i Parë i Partisë për Pogradecin dhe Nuçi Tirën, që ishte Kryetar i Degës së Brendshme të qytetit tonë. Si rezultat i atij qëndrimi që mbajti babai ndaj terrorit të hapur komunist, ai u bë objekt i shumë kritikave nëpër mbledhjet e ndryshme të Partisë, duke u cilësuar si njeri që ‘përkrahte hapur reaksionin dhe elementët antiparti’. Kritikat ndaj Hakiut vazhduan për një kohë të gjatë, pasi ai nuk i bindej vijës së Partisë dhe si rezultat i atij qëndrimi, atë e shkarkuan nga funksioni i Kryetarit të Pushtetit vendor dhe e caktuan të punonte si inspektor në Ndërrmarjen e Grumbullimeve po në qytetin e Pogradecit”, kujton Et’hem Fejzollari për babanë e tij Hakiun.

Arrestimi i Haki Fejzollarit

Në korrik të vitit 1949, ndërsa Hakiu vazhdonte të punonte si inspektor në Ndërrmarjen e Grumbullimeve Shtetërore të Pogradecit, ai u arrestua së bashku me disa shokë të tjerë. Lidhur me këtë, i biri i tij, Et’hem  dëshmon: “Arrestimi i tim eti dhe i disa shokëve të tij erdhi pas disa denoncimeve që kishte bërë Xhemal Manastrezi, i cili ishte futur nga organet e Sigurimit dhe për të mos e dekonspiruar u arrestua edhe ai së bashku me grupin ku bënte pjesë babai, Haki Hadaj, etj. Pasi i mbajtën për tetë ditë të arrestuar, babanë e shokët e tij i liruan dhe që nga ajo kohë babai e la punën fare dhe qëndroi disa kohë në shtëpi. Më datën 8 gusht të vitit 1949, babanë e thërritën në zyrat e Komitetit të Partisë, ku Sekretari i Parë, Pirro Gusho, bashkë me Kryetarin e Degës, Nuçi Tirën, i kërkuan falje për arrestimin që i ishte bërë dhe i propozuan që të fillonte punë që atë ditë si përgjegjës në Ndërrmarjen e Grumbullimeve Shtetërore. Babai e pranoi atë detyrë pasi ai ishte akoma anëtar partie dhe që të nesërmen më datën 9 gusht, atë e njoftuan se me porosi të Komitetit të Partisë, duhet të shkonte me shërbim në qytezën e Prrenjasit, ku do të merrej me organizimin e rekrutëve të rinj. Babanë gjithashtu e porositën që para se të nisej për në atë shërbim, duhej të merrte rroba dhe ushqim për tre ditë dhe në orën tetë të mbrëmjes, duhej të paraqitej në Komitetin e Partisë, ku do t’i komunikoheshin porositë e tjera dhe do të bëhej nisja për në Prrenjas. Sipas asaj që i’u tha, babai u paraqit në orën e caktuar në Komitetin e Partisë dhe aty i dhanë makinën “Xhip” që kishte Komiteti dhe dy persona të panjohur të cilët do ta shoqëronin gjatë shërbimit. Bashkë me ata dy persona, u caktua dhe një person i tretë që ishte ushtarak me gradën e kapitenit, i quajtur Selman Vishocica. Nga ora nëntë e mbrëmjes ata të katërt u nisën për në Prrrenjas dhe teksa ishin duke udhëtuar, shoferi i “Xhip”-it, që ishte shoferi personal i Kryetarit të Degës, Nuçi Tirës, e ndaloi makinën dhe iu tha atyre të zbrisnin e të ndiznin një cigare, ndërkohë që ai do merrej me rregullimin e difektit. Babai me personat e panjohur kishte zbritur nga makina dhe filloi të dridhte një cigare, kapiten Selmani, të cilin ai e njihte që nga koha e Luftës, nxorri pistoletën dhe ia vuri tek koka duke i thënë: ‘Haki, ti je tradhëtar i pushtetit, kjo do të ta marri shpirtin sonte’. Në atë moment, dy të panjohurit i hodhën një kapotë ushtarake në kokë dhe pasi i’a lidhën duart me tela me gjëmba, e futën brenda në makinë. Pas kësaj makina u kthye mbrapsht dhe ata u ndaluan në afërsi të urës së Lumit të Tërhanit, ku e zbritën Hakiun dhe dolën rreth njëzet hapa mbi rrugë, filluan ta rrihnin me zinxhirët e makinës. Më pas ata ia zgjidhën duart dhe i dhanë një kazëm e një lopatë duke i thënë që ta hapte vetë gropën, ku do ta futnin pasi ta ekzekutonin. Kapiten Selmani me dy të panjohurit, i vunë kusht Hakiut duke i thënë që nëse pranonte ta hapte vetë gropën, ata do ta vrisnin me plumb, ndërsa po të mos pranonte, do ta vrisnin me kazëm. Babai pranoi ta hapte vetë gropën duke mendur që më mirë të vritej nga plumbi, ashtu siç ishin vrarë shumë nga shokët e tij gjatë Luftës. Ndërsa babai  vazhdonte të hapte gropën ashtu i dërmuar nga plagët që i kullonin gjak prej goditjes së zinxhirëve, në rrugë kaluan dy makina që ishin eskorta e ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, i cili po shkonte në zonën e Korçës ku kishin filluar trazirat në kufirin me Greqinë, që njihen ndryshe edhe si Provokacionet e Gushtit. Sapo pa “Xhip”-in e ndaluar që kishte hedhur dritat mbi rrugë, Mehmet Shehu e ndaloi makinën e tij pranë saj dhe pyeti shoferin se ç’ po ndodhte aty. Shoferi i Nuçi Tirës, iu përgjigj duke i thënë se; aty po ekzekutohej një tradhëtar. Mehmeti e pyeti përsëri se kush ishte ai dhe shoferi i tha: ‘Një Haki i gjatë nga Pogradeci’. Pasi dëgjoi atë emër, Mehmeti kërkoi përsëri sqarime, duke pyetur nëse ishte Haki Fejzollari  ata i thanë se pikërisht ai ishte, ai zbriti  nga makina dhe iu afrua aty ku babai po hapte gropën nën kërcënimin e automatikëve të dy të panjohurve dhe kapiten Selman Vishocicës. Sapo e pa babanë në atë gjëndje, Mehmet Shehu i tha: ‘Edhe ti o Haki, ke tradhëtuar veten tënde dhe gjakun e shokëve’?! Sapo i dëgjoi zërin, Hakiu e njohu menjëherë Mehmet Shehun të cilin e kishte pasur komandant në Brigadën e Parë në vitet e Luftës.
Pas fjalëve të Mehmet Shehut, babai iu përgjigj: ‘Nuk kam tradhëtuar unë shoku komandant, as veten dhe as gjakun e shokëve që na u vranë në luftë, por kanë tradhëtuar këta që më kanë sjellë mua këtu’. Pas fjalëve të babait, Mehmet Shehu e pyeti kapiten Selman Vishocicën, nëse kishte dalë në gjyq Hakiu. Pasi Selmani iu përgjigj se nuk dinte gjë, Mehmeti e urdhëroi: ‘Thuaj Nuçi Tirës, që nëse ka dalë Hakiu në gjyq, të më sillni gjithë dokumentet në Ministri’. Në këtë kohë babai ndërhyri duke i thënë: ‘Shoku komandant, jo vetëm që nuk kam dalë në gjyq, por nuk jam thirrur asnjëherë që të kritikohem politikisht dhe unë akoma jam antar partie’. Pas atyre fjalëve, Mehmeti i urdhëroi ata që ta linin menjëherë të lirë Hakiun dhe t’i dërgohej raport me shkrim se kush e kishte dhënë  urdhër. Pas urdhërit të Mehmet Shehut, ata e morën babanë dhe e dërguan në Degën e Brendshme, ku prisnin Nuçi Tira me Pirro Gushon, të cilët pas raportimit të kapiten Selmanit për çka kishte ndodhur, e lanë të lirë babanë, duke i vënë kusht që të mos tregonte asgjë për çfarë i kishte ndodhur, përndryshe do të përgjigjej para Partisë”, kujton Et’hem Fejzollaroi lidhur me ngjarjen e babait të tij, i cili shpëtoi nga vdekja e sigurt dhe tragjike, vetëm nga ndërhyrja e Mehmet Shehut, i cili kaloi rastësisht aty ku po ekzekutohej ai.

Arratisja e Haki Fejzollarit në ’49-ën

Pasi shpëtoi nga thonjtë e vdekjes, Haki Fejzollari, në fillim nuk u tregoi njerëzve të familjes duke u justifikuar për plagët se ishte aksidentuar me makinë, por më pas ai i tregoi nënës gjithshka. Lidhur me këtë, Et’hem tregon: “Pas asaj ngjarje, babait iu bë jeta e padurueshme, sepse Nuçi Tira e provokonte vazhdimisht, deri sa e detyroi që ai të arratisej, në mënyrë që të humbnin gjurmët e atij krimi që ata kishin bërë me të. Kështu më 16 gusht të vitit 1949, babai u arratis në Jugosllavi, ku fillimisht e mbajtën 13 muaj në burg, duke e akuzuar se ai kishte shkuar aty me mision nga Tirana. Pas arratisejes së babait ne na hoqën nga Pogradeci dhe na internuan familjarisht në Fushë-Krujë. Në korrik të vitit 1952, babai së bashku me gjashtë shokë të tjerë shqiptarë të arratisur në Jugosllavi, hyri ilegalisht në Shqipëri dhe erdhi deri në Kampin e Kamzës, ku ne vuanim internimin. Ai e takoi nënën kur ajo ishte duke mbushur ujë jashtë kampit dhe i tha: ‘Shko merr fëmijët dhe hajde të ikim’. Pasi nëna i shpjegoi se ajo  ishte e pamundur, nga që ne paraqiteshim në apel, babait iu mbush mëndja dhe u largua me gjithë shokët e tij, për në drejtim të Pogradecit. Kur mbërriti atje, në ora dy të natës, babai shkoi dhe trokiti në shtëpinë e Kryetarit të Degës, Nuçi Tirës, ndërsa shokët e tij qëndronin në gatishmëri me armë në dorë. Gruaja e Nuçit hapi derën pasi babai i tha se ishte një shok i Nuçit dhe vinte nga Tirana, ai u fut brenda me revole në dorë dhe iu drejtua Nuçit duke i thënë: ‘Në rast se për 60-ditë, nuk ma liron familjen nga internimi dhe nuk ma sjell këtu në Pogradec, do të t’i vras me dorën time dhe këta fëmijët e djepit. Sot mos ki frikë, se të kam ardhur si mik dhe nuk të bëj gjë’. Pas atyre fjalëve, babai u largua me gjithë shokët e tij dhe kaloi kufirin përsëri për në Jugosllavi, ndërsa Nuçi Tira që të nesërmen erdhi në Tiranë dhe i tregoi gjithshka Mehmet Shehut, duke insistuar që; ose ta transferonin nga Pogradeci, ose në të kundërt të lironin familjen e Haki Fejzollarit nga internimi, sepse Hakiu ishte nga ata burra që e mbante fjalën. Nuçi ia mbushi mëndjen Mehmet Shehut, që ta lironin familjen tonë e të na çonin në Pogradec, me qëllim që kur të vinte babai për të na marrë, ata ta arrestonin. Mehmeti e pranoi sugjerimin e Nuçi Tirës dhe ne na kthyen në shtëpinë tonë në Pogradec, ku na futën dy policë brenda si qeraxhij, ku dhe gratë e tyre i paisën me automatikë. Gjatë asaj kohe shtëpia jonë ruhej në distancë me civilë të armatosur që prisnin se mos vinte babai për të na marrë”, kujton Et’hem Fejzollari peripecitë e familjes së tij.

Plani i arratisjes në 1975-ën

Që nga viti 1952 kur familja e Haki Fejzollarit u kthye pranë shtëpisë së tyre në qytetin e Pogradecit, ajo ishte vazhdimisht nën survejimin e Sigurimit të Shtetit të cilët prisnin të vinte Hakiu nga Jugosllavia për t’i marrë. Po kjo gjë nuk ndodhi, sepse pas kthimit të familjes në Pogradec, Hakiu u largua nga Jugosllavia e vajti në Greqi, ku në vitin 1953 emigroi për në Australi. Që nga ajo kohë e më pas, familja e Haki Fejzollarit në qytetin e Pogradecit shikohej me sy të keq nga regjimi komunist dhe iu nënshtrua persekucionit si familje reaksionare, duke u privuar nga shumë të drejta nga më elementaret. Lidhur me këtë, Et’hem tregon: “Sikur të mos mjaftonte ajo që po hiqnim ne si familje, disa vjet pas arratisjes së babait, na arrestuan vëllanë e madh Feridonin, i cili u lirua nga burgu në vitin 1973, pasi vuajti për 13-vjet si i burgosur politik. Edhe pas lirimit të tij ne na u bë jeta e padurueshme, sepse jo vetëm na lanë të gjithëve pa punë, por Sigurimi i Shtetit na survejonte vazhdimisht dhe ne ishim nën një terror psiqik të paparë. Nisur nga kjo situatë ku ndodheshim, unë bashkë me dy vëllezërit e tjerë, vendosëm që të arratiseshim për në Jugoslllavi, por ai plan na dështoi pasi nëna  na gjeti një komardare zetori në bodrumin e shtëpisë, të cilën e kishim rregulluar me disa dërrasa si varkë. Pas kësaj  nga data 25 qershor 1975, nëna na thirri të tre vëllezërit dhe na tha: ‘Kjo nuk është zgjidhje, mirë mua, po ku do t’i lini gratë dhe fëmijët që do kalben të gjithë burgjeve dhe internimeve pa asnjë përkrahje dhe në mëshirën e fatit?! O të ikim të gjithë, ose të vdesim të gjithë, rrugëzgjidhje tjetër nuk ka’. Pas fjalëve të nënës ne vendosëm që të arratiseshim të gjithë dhe për këtë unë mora përsipër që të rregulloja një varkë (meqë kisha punuar marangoz), me të cilën do të iknim nëpërmjet Liqenit të Pogradecit. Për shtatë ditë  unë punova në bodrumin e shtëpisë duke bërë skeletin e varkës, të cilën e kisha llogaritur për të mbajtur peshën e 16-pjestarëve të familjes tonë që do lundronim me të. Pasi mbarova skeletin e varkës, për ta provuar e montova atë duke i vënë dhe një mushama nga ato të tavolinave  të cilën e kishim qepur me makinë. Duke u gdhirë data 3 korrik, ne transportuam dërrasat e varkës pjesë pjesë nga shtëpia deri në vëndin e quajtur “Fortesa e Dytë” (bunkeri) tek Kalaja, i cili ndodhej jo më shumë se 100 metra nga bregu i liqenit dhe aty lamë vëllanë tonë të voglin dhe një nga nipat tanë që ta ruanin”, kujton Et’hem.

Peripecitë para arratisjes me varkë

Pas ndërtimit të varkës dhe transportimit që ata i bënë duke e çuar nga shtëpia e tyre tek vëndi i quajtur “Fortesa e Dytë” e Kalasë, vëllezërit Fejzollari bënë përgatitjet e fundit për t’u larguar nga Shqipëria nëpërmjet Liqenit të Pogradecit, ku deri në atë kohë nuk ishte dëgjuar ndonjë aventurë e tillë? Lidhur me këtë, Et’hemi kujton: “Arsyeja që ne kishim paracaktuar datën 3 korrik për t’u arratisur, ishte sepse ato ditë Komanda e Kufirit nuk e ndizete prozhektorin e madh që kontrollonte liqenin, gjë e cila bëhej për të kursyer energjinë elektrike. Sipas planit që kishim bërë më parë, natën e 3 korrikut, ne dogjëm të gjitha dokumentat e fotografitë e familjes dhe para se të dilnim nga shtëpia, lamë një letër ku kishim shkruar të gjitha arsyet që na kishin detyruar për t’u arratisur nga Shqipëria, gjë e cila kishte të bënte me qëndrimin shtypës që ishte mbajtur ndaj familjes sonë. Pasi lamë letrën mbi tavolinë, morëm me vete një pushkë, dy granata dhe tre kg. dinamit me fitila e kapsolla dhe aty rreth orës nëntë të mbrëmjes, dolëm të gjithë nga shtëpia, duke u ndarë në katër grupe dhe me drejtime të ndryshme. Ne kishim vendosur që po të na shikonin  rojet e kufirit, do të hidhnim veten në erë me dinamit, për të mos rënë të gjallë në duart e tyre. Në orën dhjetë të mbrëmjes, u mblodhëm të gjithë tek bunkeri ku kishim fshehur varkën dhe menjëherë e bëmë gati atë për ta zbritur në buzën e liqenit. Por na u desh të prisnim rreth dy orë, sepse në atë kohë në rrugën nacionale po kalonte një kolonë e madhe me rezervistë, të cilët vinin nga një stërvitje ushtarake. Aty nga ora 12.00 e natës, pasi u siguruam se nuk kishte më lëvizje rezervistësh, unë me vëllanë e vogël morëm varkën që nuk peshonte më shumë se 60 kg. dhe u nisëm ta zbrisnim poshtë. Por ndërsa u afruam pranë rrugës nacionale, ne ulëm varkën menjëherë në tokë, pasi pamë dy persona me biçikletë që kishin ndaluar dhe po përgjonin fare pranë bunkerit ku qëndronin të fshehur njerzit e familjes sonë. Ata kishin ndaluar pasi dëgjuan të qarat e njërit prej fëmijëve tanë disa muajsh, dhe ishin bërë kurioz duke dyshuar se ç’donte ai fëmi në orën 12 të natës në breg të liqenit! Vëllai i madh Feridoni, që e kishim lënë roje në rrugë, u afrua tek ata dhe i kërcënoi. Në atë moment duke dëgjuar debatin e tyre, unë u afrova për të parë se ç’po ndodhte aty dhe pashë se ata ishin dy fshatarë nga Starova që punonin në Minierën e Gurit të Kuq. Për të hequr dyshmin e tyre, unë iu drejtova vëllait Feridonit duke i thënë: Shoku brigadier, i njoh unë këta dhe nuk janë nga ata që vjedhin qershitë e Fermës. Ndërsa unë flisja, Feridoni e kuptoi lojën time dhe tha: Për ideal, do të shkoj tek drejtori i Minierës, Zvetan Mazniku, e ta bëj rezil që ka lëshuar puntorët të vjedhin qershitë e Fermës, por me që i njihke ti, le të kalojnë. Ndërsa u sigurova se ata ikën dhe nuk dyshuan për asgjë, u ktheva tek vëllai i vogël që po më priste dhe menjëherë e morëm varkën dhe e hodhëm në ujë”, kujton Et’hemi minutat fatale para se të niseshin në aventurën e tyre drejt liqenit.

Arratisja me varkë

Aty rreth orës 12 e 10 minuta të mesnatës së 4 korrikut të vitit 1975, të 16-të pjestarët e familjes Fejzollari, hipën në varkë dhe nisëm të lundronim në thellësi të liqenit me drejtim për në bregun tjetër. Lidhur me ato çaste ankthi, Et’hem, dëshmon: “Ndërsa ne lundronim nëpër terrin e natës nëpër liqen, kishim frikë se mos na çahej mushamaja dhe do të fundoseshim të gjithë. Ndërsa vozisnim varkën, disa herë u rrezikuam të përmbyseshim të gjithë nga disa dallgë të mëdha që krijoheshin herë pas here. Aty nga ora dy e natës, si për ters doli hëna mbi Malin e Thatë, gjë e cila na e shtoi akoma e më shumë ankthin, pasi i gjithë liqeni u ndriçua e dukej si pasqyrë nga qyteti i Pogradecit. Pas pak për fatin tonë hëna u mbulua nga retë dhe nuk doli më prej andej deri sa u zbardh. Rreth orës katër e gjysëm të mëngjezit, kur ne menduam se i kishim kaluar ujrat tona territoriale, pamë shenjat që tregonin se ishim akoma në ujrat shqiptare dhe nuk kishim arritur aty ku duhej. Në atë kohë i shpejtuam lopatat në mënyrë që të kalonim në ujrat maqedonase pa u kuptuar nga rojet tona të kufirit. Aty nga ora 8 e mëngjezit, ne mbërritëm në bregun tjetër të liqenit. Aty takuam një shqiptar i cili na ofroi ndihmë për të na çuar me furgonin e tij për në drejtim të kufirit me Greqinë, pasi na tha se shpesh herë maqedonasit i kthenin shqiptarët që arratiseshin. Ne nuk pranuam duke i thëmë se aty në Strugë kishim babanë dhe ndërsa bisedonim me të, erdhi policia e cila na mori me tre makina dhe na çoi në burgun e Ohrit. Pasi na morën në pyetje, na mbajtën vetëm ne tre vëllezërit, ndërsa gratë e fëmijët i lanë të lirë. Pas shtatë ditësh na nxorrën në gjyq dhe na dënuan me tre javë burg për shkelje të paligjshme kufiri. Ndërsa ishim brenda të izoluar, sipas njoftimit që kishim bërë, na erdhi babai nga Australia, me të cilin u takuam pas 26 vjetësh. Ai na bëri garancitë e nevojshme dhe pas shatatë javësh, ne mbërritëm të gjithë në Melburn të Australisë, ku babai jetonte që nga viti 1953”.

Represioni dhe dënimet në Pogradec

Por ç’ndodhi më pas në qytetin e Pogradecit dhe çfarë “shije” la aty arratisja e familjes Fejzollari? Lidhur me këtë, Et’hemi dëshmon: “Që të nesërmen e arratisjes sonë, në Pogradec u bë bujë e madhe dhe menjëherë nisën arrestimet e internimet e shumë familjeve të rrethit tonë e të krushqive tona. Djali i tezes sime, Agron Hadëri dhe një shok i ngushti i imi, i quajtur Muharrem Xhydollari, u dënuan me nga dhjetë vjet burg, për mungesë vigjëlence. Vjehrri i vëllait të vogël, Hazis Latollari, nuk e duroi dot presionin që iu bë dhe u mbyt në pus. Po kështu përveç këtyre dënimeve, me urdhër nga lart, u shkarkuan gjithsej 17 funksionarë të lartë të Pogradecit (një më shumë seç ishim arratisur ne), duke filluar nga Sekretari i Parë, Kryetari i Degës së Brendshme, oficerë të Sigurimit etj. Pasi qëndruam në Australi për vite me rradhë, më 11 maj të vitit 1992, ne u kthyem për herë të parë në Shqipëri, ku në shtëpinë tonë gjetëm disa familje rome që i kishte futur regjimi komunist për të na injoruar, që pas arratisjes sonë”, e përfundon rrëfimin e tij Et’hem Fejzollari, mbi aventurën e famshme të arratisjes së familjes së nga Liqeni i Pogradecit në 1975-ën, me anë të një varke të vogël të ndërtuar prej tij e cila sot ndodhet në muzeun e Shkupit.

Kush është familja Fejzollari nga qyteti i Pogradecit?

Origjina e familjes Fejzollari është nga qyteti i Pogradecit dhe deri anë verën e vitit 1975, ajo familje ka banuar në lagjen “Goricë” e cila ka qenë edhe lagjia e parë ku shtrihej qyteti i vjetër. Gjyshi i Et’hemit, Beshir Fejzollari në fillimin e viteve 1900, u largua nga qyteti i tij i lindjes, Pogradeci dhe u vendos në Rumani, ku për shumë kohë bashkëpunoi ngushtë me patriotin Shahin Kolonja (Ypi) për nxjerrjen e gazetës “Drita”. Në vitin 1907, Beshiri u kthye në qytetin e Pogradecit ku nuk qëndroi shumë kohë, sepse një vit më pas ai u largua përsëri nga Shqipëria dhe u vendos në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, ku për tre vjet, përfundoi dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake të atij qyteti. Pas diplomimit, Beshir Fejzollari u kthye në Shqipëri dhe në nëntorin e vitit 1912, ai shoqëroi delegatët e Qarkut të Korçës në ngritjen e Flamurit në Vlorë, ku me një dekret të Ismail Qemalit, u emërua si ushtarak në Qeverinë e përkohshme të Vlorës. Me rënien e Qeverisë së Ismail Qemalit në vitin 1913, Beshiri u largua nga Shqipëria dhe emigroi përsëri për në Rumani, ku ishin vendosur shumë familje nga qyteti i Korçës dhe i Pogradecit. Në Rumani ai qëndroi deri nga viti 1916 dhe në atë kohë pasi kishte filluar Lufta e Parë Botërore, ai u kthye përsëri në qytetin e Pogradecit ku hyri përsëri si oficer me trupat shqiptare në qeverinë e Turhan Pashës. Në vitin 1918, Beshiri u martua dhe nga ajo martesë atij i lindi vetëm një djalë që u quajt Haki. Një vit më vonë në 1919-ën, Beshiri u vra nga italianët në rrethana krejt të panjohura në qytetin e Vlorës, ku kishte vajtur me një shërbim. Djali i Beshirit, Hakiu (babai i Et’hemit) pasi mbaroi mësimet e shkollës unike në qytetin e Pogradecit, së bashku me shokun e tij të ngushtë, Kopi Hambo, u regjistrua në “Normale”-n e Elbasanit, të cilën e mbaroi me rezultate shumë të larta në vitin 1936. Pas kësaj ai u kthye në vëndlindjen e tij dhe aty nga viti 1939, ai u caktua si nëpënës në administratën vendore të qytetit të Strugës, që asokohe ishte nën juridiksionin e Tiranës. Gjatë asaj kohe që shërbente si nëpunës në Strugë, Haki Fejzollari mori kontakte me kushëririn e tij, Reshit Çollakun, i cili ishte i internuar në Dibër të Madhe dhe aty nga viti 1942, ata të dy, së bashku edhe me Nuçi Tirën, Pirro Gushon e Islam Danin (kushëri i tij), u angazhuan në krijimin e celulave të para komuniste në nënprefekturën e Pogradecit. Më pas aty nga fundi i vitit 1942, Hakiu u inkuadrua në çetën partizane që komandohej nga kushëriri dhe miku i tij i ngushtë, Reshit Çollaku, me të cilin luftoi bashkarisht kundër italianëve në betejën e Pojskës, ku Reshiti mbeti i vrarë bashkë me njëmbëdhjetë partizanë të tjerë të çetës së tij. Sipas dëshmive të Haki Fejzollarit, Reshit Çollaku (Hero i Popullit) është vrarë me tradhëti në betejën e famëshme të Pojskës dhe plumbat që e morën atë nga pas shpine, ishin të shokëve të tij. Në verën e vitit 1943, kur do të formohej Brigada e Parë partizane e Mehmet Shehut, në Vithkuq të Korçës, Haki Fejzollari ishte një nga partizanët që u caktua si efektiv i saj dhe deri në mbarimin e Luftës, ai ishte komisar kompanie në atë formacion partizan. Për meritat dhe kontributin që kishte dhënë Haki Fejzollari gjatë Luftës, që në dhjetorin e vitit 1944, ai u caktua në funksionin e Kryetarit të Këshillit për nënprefekturën e Pogradecit, ku Sekretar i Parë i Partisë Komuniste për atë rreth ishte Pirro Gusho./Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aleks: 02/03/2020 11:45

    Ky që u kthye nga Australia. Që banoi 18vjet dhe nuk u ingrana dot do tè thote se jo vetem dembel por edhe rrugaç. Dhe erdhi né Shqiperi. Duke lene atje gjithe fisin.

    Përgjigju
    • Tirana: 02/03/2020 13:37

      Ai erdhi ketu se ka ndar gruan me tre femij edhe merret me ate gruan qe i ka vdek burri dhe i ka hedh ne gjyq vllezerit e burrit per pronat , jevgen e laver bariut nje femer ordinere dhe totalisht e perdal .. bashk jeton me vajzen e laverit bariut grua me te ndyr dhe me rrugace kurr ne jeten time skam pare..

  • www.youngtribune.com: 02/03/2020 11:02

    Se paskin duruar ate sistem diktatorial.Trima na paskan qene te arratisesh nga liqeni me femije

    Përgjigju
  • Trimeri dhe kaluar Trimerise..: 02/03/2020 10:58

    Shyqyr edhe Zoti qe i Ndimoi ne ate kohe shume te geshtira . Histori qe ka lene gjurme,ne ato vite.

    Përgjigju
  • Santa Quaranta: 02/03/2020 10:09

    Njerez trima dhe te forte!!

    Përgjigju
  • Tirana e re: 02/03/2020 08:22

    Ky et’hemi qe shkruani ju eshte nje maskara une e kam ne lagje nje rrugac qe bashkjeton me nje rrugace jevge [vajza e laver bariut] jan ber problem ketu ne lagje njerez me te ndyre dhe me te liq nuk me kan zen syt leri pastaj sa dallaveraxhinj jan pupu..fatkeqesi qe i keni ber heronj keta badakcinj njerez te mbaruar edhe nga karakteri edhe nga morali..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja