Dëshmia e rrallë e shqiptaro-amerikanit: Si e ruajta Mbretin Viktor Emanueli i III-të në Pallatin ‘Curinale' dhe pse s'pranova për të zbarkuar si diversant në Shqipëri

Dëshmia e rrallë e shqiptaro-amerikanit: Si e ruajta Mbretin Viktor Emanueli i III-të në Pallatin ‘Curinale' dhe pse s'pranova për të zbarkuar si diversant në Shqipëri

Publikohet historia e panjohur e Todi Shytit me origjinë nga fshati Krutje e poshtme e Lushnjes dhe një nga familjet më të varfra të Myzeqesë gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, në prillin e ’39-ës, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e Benito Musolinit, u caktua në efektivin prej 1000 forcash që Qeveria Shqiptare e kryeministrit Shefqet Vërlaci përzgjodhi nga të gjitha rrethet e vendit, për formimin e batalionit shqiptar të Gardës Mbretërore, i cili më pas nën urdhrat e komandantit të batalionit italo-shqiptar, kolonel Alfredo D`Andrea, (që kishte shërbyer si këshilltar për Ushtrinë Kombëtare Shqiptare pranë Ahmet Zogut, në kohën e Monarkisë), u dërguar në Itali, ku bëri shërbim si roje nderi pranë Pallatit ‘Curinale’ të Mbretit Viktor Emanueli i III-të, deri më datën 9 shtator të vitit 1943, kur në orët e para të mëngjesit, Mbreti, së bashku me kryeministrin, gjeneral-armate, Badoglio, u larguan nga Pallati ‘Curinale’ dhe shkuan në Brindizi. Dëshmia e rrallë e Todi Shytit, i kthyer në Shqipëri në vitin 1993, pas një emigrimi të gjatë në SHBA-ve ku ai ishte vendosur që në vitin 1948, ku ai tregon se si pas takimit me Nesti Nasen dhe ndihmës financiare që i jepte misionit shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atij i’u mundësua ardhja disa herë në Shqipëri që nga viti 1974, si dhe angazhimi i tij me Partinë Republikane në SHBA-ve ku për disa vjet financoi fushatat elektorale të asaj partie, për të cilat morri falenderimet nga presidentët Xhorxh Bush dhe Ronald Regan.

“Batalioni jonë që përbënte Gardën Kombëtare shqiptare, u vendos në kazermat e Regjimentit ‘Granatieri Di Sardenja’ i cili ndodhej afro tre kilometra nga Pallati ‘Curinale’ që ishte rezidenca mbretërore e Viktor Emanuelit të III-të, ku ne do të kryenim shërbimin e rojes së nderit. Pas disa ditësh nga mbrritja jonë atje, më datën 9 maj që ishte dita e shpalljes së Imperatorisë Italiane, ne bëmë një parakalim ushtarak përpara Benito Musolinit dhe Mbretit Viktor Emanueli. Shërbimin e rojes së nderit pranë Pallatit Mbretëror ne e kryenim të veshur me kostumin kombëtar shqiptar, që ishte dy llojesh; i Veriut dhe i Jugut të Shqipërisë. Sa herë që Mbreti Viktor Emanueli kalonte afër nesh, na përshëndeste me dorë…”!

Kështu e kujtonte atë kohë të largët, Todi Shyti me origjinë nga Krutja e poshtëme e Lushnjes, pas kthimit në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ai kishte jetuar që nga viti 1948, i cili dëshmonte për herë të parë të gjithë historinë e jetës së tij, që kur u largua nga fshati në vitin 1939, për t’u inkuadruar në Gardën Kombëtare Shqiptare të Mbretit Viktor Emanueli i III-të dhe emigrimin më pas për në SHBA-ve, ku ai përveç ndihmës që i jepte ambasadës shqiptare në Lidhjen e Kombeve, financoi rregullisht dhe fushatat elektorale të Presidentëve Republikanë, Ronald Regan e Xhorxh Bush dhe mori letra falenderimi e mirënjohje prej tyre. Për të gjitha këto dhe më shumë ngjarje dhe fakte nga jetë e tij, që nga propozimi që i’u bë për të ardhur si diversant në Shqipëri në vitin 1948, vizita në ambasadën shqiptare në Itali në fillimin e viteve ’70-të ku kërkoi vizë për në Shqipëri, takimi dhe njohja me diplomatin shqiptar Nesti Nase në misionin diplomatik shqiptar në OKB, ndihmat financiare që ai u jepte atyre, drekat dhe darkat e personelit të misionit shqiptar në shtëpinë e tij në Neë York, vizitat e shpeshta në Shqipëri pas vitit 1974 dhe bisedat me familjarët e tij në rrethin e Lushnjes, etj., etj., ai na njeh në këtë intervistë që Memorie.al e publikon në dy numra, duke filluar nga ky shkrim.

Zoti Shyti, fillimisht një biografi të shkurtër tuajën, pra kush është Todi Shyti?

Unë kam lindur në fshatin Krutje të Poshtme të rrethit të Lushnjes në vitin 1917-të, prej nga është dhe origjina e familjes sime. Babai im quhej Llambi Shyti, kurse nëna Stasa Mone. Ashtu si shumë familje të tjera të fshatit tonë, asokohe dhe ne jetonim në një varfëri të tejskajshme. Ajo që ne banonim dhe e quanim shtëpi, s` ishte gjë tjetër veçse një kasolle që gjysma ishte e mbuluar me kashtë dhe gjysma tjetër me tjegulla. Shpesh mbërmjeve kur binte shi, çfarë binte jashtë na binte brenda dhe na i lagte rrogozët që ne i kishim në vend të dyshekut. Nga kjo varfëri që kishte pllakosur familjen tonë, babai detyrohej të më dërgonte për të ruajtur lopët dhe unë nuk shkoja në shkollë si të gjithë moshatarët e mi. Megjithkëtë unë mësova të shkruaj e të lexoj me ndihmën e një shoku më të madh se unë. Nga që nuk mundja ta duroja dot atë jetë mizerje, unë u largova nga fshati dhe provova disa punë të tjera, si në Lushnje dhe Tiranë, duke bërë tulla apo si ndihmës rrobaqepës, por dhe ajo gjë nuk më eci dhe u detyrova e u ktheva përsëri në fshat.

Çfarë bëre kur i riktheve përsëri në fshat?

Aty nga viti 1939-të, unë fillova të punoja si ndihmës shofer për një lushnjar të quajtur Gaq Pjetri, i cili u bë dhe njeriu që i ndërroi fatin jetës sime.

Si dhe në ç’rrethana ndodhi kjo?

Gjatë asaj kohe që punoja si ndihmës shofer për Gaq Pjetrin, ai u tregua njeriu më zemërmirë dhe zemërbardhë që kam njohur në jetën time në Shqipëri. Para se të filloja punë tek Gaqi, unë bëja blloqe betoni tek Vangjel Pupi në Lushnje. Një ditë unë ju luta atij që t`ë më jepte ca lekë, sepse si i ri që isha, doja të blija një palë rroba të reja si gjithë moshatarët e mi, Vangjeli jo vetëm që nuk mi dha, por më përmendi një xhaketë të vjetër që më kishte dhënë para disa kohësh. Ëndërrën time për rroba të reja ma bëri realitet vetëm Gaq Pjetri, i cili më dha të hollat që bleva edhe këpucët e reja. I përmenda rrobat e reja që m’i bëri peshqesh Gaq Pjetri, sepse ato ndërruan krejt rrjedhën e fatin e jetës sime.

Një palë rroba të reja ju ndërruan fatin e jetës…?!

Po, sepse pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prillin e vitit 1939-të, ku Viktor Emanueli i III-të u shpall dhe Mbreti i Shqipërisë, Qeveria shqiptare e kryeministrit Shefqet Vërlaci vendosi që të dërgonte në Itali një grup të madh të rinjsh shqiptarë që do të përbënin rojen e nderit të Mbretit të Italisë dhe Shqipërisë. Kështu, në kuadrin e formimit të Gardës Mbretërore Shqiptare, Qeveria e Shefqet Vërlacit asokohe kërkoi nga Zyra e Rekrutimit e Lushnjes, 18 djem të rinj që të ishin të edukuar, të veshur mirë dhe të pashëm. Nisur nga veshja ime në atë kohë, si dhe fakti që unë kisha kryer në Tiranë një kurs një vjeçar për tetar ku kisha dalë shkëlqyeshëm, kryetari i Zyrës së Rekrutimit të Lushnjes, më zgjodhi ndër 18 të rinjtë që i kërkonte Tirana. Kur arritëm në Tiranë, mjeku Pavllo Flloko na seleksionoi duke zgjedhur vetëm pesë prej nesh (katër nga Lushnja dhe unë nga fshati) që do të niseshin për në Romë. Një prej tyre isha dhe unë, jo se kisha shkollë, por zgjedhja u bë në bazë të pamjes e veshjes. Nga ajo përzgjedhje që u bë, unë mendoja se qeveria shqiptare donte të dërgonte në Romë djemtë më të mirë që kishte Shqipëria, për ta nderuar atë.

Çfarë ndodhi më pas me ju?

Pas seleksionimit në Tiranë, të gjithëve ne që na kishin mbledhur nga rrethet e ndryshme të Shqipërisë, na mblodhën tek Kazermat e Ali Rizait në periferi të kryeqytetit. Aty na thanë se do të shkonim në Itali për të parakaluar me rastin e ditës së 9 majit, që Musolini e kishte shpallur ditën e Imperatorisë Italiane dhe do të ktheheshim përsëri në atdhe.

Kush ua tha këto fjalë?

Këto fjalë na i tha komandanti i batalionit të Gardës Mbretërore italo-shqiptare, Alfredo D`Andrea, i cili kishe shërbyer si këshilltar për Ushtrinë Kombëtare Shqiptare pranë Ahmet Zogut, në kohën e Monarkisë.

Si vijoj më tej organizimi aty?

Pas atyre fjalimeve kortezie, aty tek kazermat e Ali Rizait, batalioni shqiptar i Gardës Mbretërore të Viktor Emanuelit të III-të, u kompletua me 1000 ushtarë, oficerë dhe nënoficerë. Më pas me kamionët e ushtrisë italiane, ne na nisën për në Portin e Durrësit, ku na priste një traget i madh që do të na transportonte për në drejtim të Italisë.

Ku u vendosët kur shkuat në Itali?

Pas zbritjes nga trageti në portin e Barit, ne na nisën në drejtim të Romës, në një udhëtim që zgjati rreth 7-8 orë. Mbasi bëmë përgatitjet e duhura, më datën 9 maj të vitit 1939, ne bëmë parakalimin ushtarak përpara Benito Musolinit dhe Mbretit Viktor Emanueli të III-të. Pas kësaj sipas fjalës që na kishin thënë, ne do të ktheheshim në Shqipëri, por për fatin tonë kjo gjë nuk po ndodhte.

Përse…?!

Para se t’ju them këtë, desha t’ju tregoj se, kur zbrita në Itali dhe pashë me sytë e mi atë realitet, thashë me vete se nuk do të kthehesha më kurrë në Shqipëri, gjë e cila vinte edhe nga vuajtjet dhe mjerimin që kisha kaluar aty. Kështu pas disa kohësh, doli një urdhër dite, ku thuhej se i gjithë efektivi i batalionit shqiptar të Gardës Mbretërore, do të rrinte përgjithmonë në Romë dhe se kush të dëshironte, do të plotësonte formularët përkatës. Unë si gjithë të tjerët i plotësova ato formularë dhe m’u njoh edhe grada e nënreshterit me rrogën përkatëse, për të cilën kisha bërë një vit kurs në Shqipëri.

Sa vetë i plotësuan formularët për të qëndruar në Romë pranë atij batalioni të Gardës Mbretërore?

Me ndonjë përjashtim të vogël, pothuaj të gjithë vendosën të qëndronin aty dhe plotësuan formularët. Në fillim, të 1000 forcat shqiptare të batalionit të Gardës Mbretërore, na vendosën në Santa Croçe, në pjesën lindore të Romës pranë Regjimentit “Granatieri Di Sardenja”. Batalioni jonë ishte ndarë në disa kompani. Komandant i Kompanisë ku isha unë dhe shoku im nga Lushnja, Reshat Bejko, ishte Adnan Ypi. Batalioni jonë i Gardës Mbretërore që ishte i vendosur afro tre km. larg Pallatit Curinale, që ishte pallati rezidencial ku rrinte Mbreti Viktor Emanueli i III-të, mbas disa kohësh bëri betimin, ku ne u betuam se për Mbretin e Italisë dhe Shqipërisë, do të jepnim dhe jetën.

Si e kujtoni Pallatin Mbretëror të Viktor Emanuelit të III-të në atë kohë, ku ju u dërguat për të bërë roje dhe si ishte trajtimi juaj si nga ana financiare dhe kushtet e jetesës, në krahasim me efektivat italiane që shërbenin aty?

Pallati i Mbretit ishte shumë i bukur me gjashtë kate dhe zinte një sipërfaqe prej 1 km. katrore. Ai ishte ndërtuar në vitin 1870-të, kur ishte bashkuar Italia e Jugut me atë të Veriut. Kushtet e jetesës të batalionit tonë, nuk ju linin asgjë mangët atyre të ushtrisë italiane dhe trajtimi që na bëhej si nga ushtarakët italianë ashtu dhe nga populli, ishte i shkëlqyer dhe tepër njerëzor. Të gjithëve ne shqiptarëve, si ushtarëve të thjeshtë, ashtu dhe oficerëve, na jepej një rrogë mujore nga 300 deri në 700 lireta, që na dilnin dhe na tepronin, sepse ushqimin dhe veshjen ne i kishim gratis. Në festat e Krishtlindjeve dhe të vitit të ri, kushdo nga ne ushtarët shqiptarë që kishte lidhje me ndonjë familje italiane, u jepej leje që t`i kalonte atje ato festa.

Përveç shërbimit të rojës, a bënit ndonjë përgatitje nga ana ushtarake?

Para se të fillonim shërbimin e rojes pranë Pallatit Mbretëror, që na u bë ditët e para, menjëherë pas sistemimit, ne filluam stërvitjen ushtarake dhe marshimet për t’u përgatitur ushtarakisht. Pas kësaj më 18 prill të vitit 1939, ne filluam shërbimet e rojes pranë Pallatit Curinale të Mbretit, të cilat i bënim me ndërresa, ku secila prej tyre kishte nga 100 ushtarë.

Ku e kryenit shërbimin, në çfarë ambientesh?

Shërbimi jonë i rojes së nderit, bëhej si në ambientet e jashtme të Pallatit Mbretëror, ashtu dhe në ambientet brenda tij. Në ditët e para të shërbimit pranë Pallatit Curinale, ne na shoqëronin ushtarët italianë për në vendet e shërbimit. Më pas, këtë gjë ne e bënim vetë, të pashoqëruar nga ata. Që para se të shkonim ne aty, pranë Pallatit Curinale të Mbretit Viktor Emanueli, bënin shërbimin e rojes pothuaj ushtarë nga të gjithë llojet e armëve që kishte ushtria italiane, si nga Fanteria, Milicija, Karabineria, Marina, Këmbsorija, etj. Të gjithë efektivat e këtyre armëve së bashku me ne, vazhduam që të bënim shërbimin e rojes së nderit pranë Pallatit Mbretëror sipas rradhës.

A patët rastin të takoheshit ndonjëherë me Mbretin Viktor Emanueli i III-të?

Gjatë gjithë periudhës që batalioni jonë i shqiptarëve qëndroi me shërbim atje si roje nderi, pra nga 18 prilli i vitit 1939, e deri më 9 shtator të 1943-it, unë nuk pata rastin të takohesha asnjëherë me Mbretin Viktor Emanueli. Nuk e di për shqiptarët e tjerë, por besoj se asnjë nga ne nuk e ka pasur atë mundësi, sepse ai asnjëherë nuk shtroi ndonjë drekë apo darkë për nder të batalionit tonë.

Po për ta parë atë nga afër atë, a patët rastin ta shihnit gjatë asaj periudhe kohe që shërbyet aty?

Neve nga që bënim shërbim aty, na jepej mundësia që ta shihnim atë sa herë nga afër, por jo për t’a takuar. Sa herë që ai kalonte afër nesh, na përshëndeste vetë me dorë, ndërsa ne nuk lëviznim fare, por qëndronim gatitu.

Si e pritët lajmin kur Viktor Emanuelit të III-të, ju bë atentat në Shqipëri nga djaloshi i ri, Vasil Laçi?

Lajmin për atentatin që i’u bë Mbretit Viktor Emanueli i III-të gjatë vizitës së tij në Shqipëri nga Vasil Laçi, ne e mësuam shumë shpejt nëpërmjet radios dhe Buletinit të Luftës. Natyrisht që neve nuk na erdhi hiç mirë nga atentati që ju bë atij. Kjo gjë vinte edhe prej moshës sonë të re, pasi nuk I kuptonim shumë gjëra, por edhe prej propagandës nga ana e autoriteteve italiane që na bëhej në atë kohë, ku ndërmjet të tjerash na thuhej se Shqipëria dhe Italia ishin të bashkuar në një të vetme, etj., etj.

Më konkretisht, çfarë propagande ju bënin atje në lidhje me Shqipërinë dhe Mbretin e saj Ahmet Zogu?

Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu atje nuk përmendej fare, ai ishte harruar. Kurse gjatë orëve të ndryshme të studimit, na thuhej shpesh se Shqipëria po bënte përparime të dukshme dhe po zhvillohej shumë, që nga dita që ishte lidhur me Italinë.

Si e mbani mënd ju rrëzimin e Musolinit dhe kapitullimin e Italisë fashiste në shtatorin e ‘43-it?

Më datën 25 korrik të vitit 1943, ndodhi arrestimi i Musolinit. Kjo gjë erdhi pasi pak ditë më parë Këshilli i Lartë i Partisë Fashiste, i cili përbëhej nga 29 antarë, vendosi shkarkimin e Musolinit, pasi ushtria italiane po pësonte humbje të mëdha në të gjitha frontet e luftës. Pas këtij vendimi, Musolini i pakënaqur erdhi në Pallatin Curinale, për t`u ankuar tek Mbreti Viktor Emanueli i III-të. Në atë kohë që Musolini erdhi në pallat, Mbreti Viktor Emanueli, ju dha urdhër karabinierëve të cilët e arrestuan atë, e në vend të tij u emërua Marshalli Badoglio.

Si e mësuat ju arrestimin e Musolinit?

Arrestimin e tij ne e mësuam nëpërmjet radios dhe buletinit ushtarak që informonte për çdo gjë.

Atë ditë që u arrestua Musolini, ju shqiptarët ndodheshit me shërbim në pallat?

Atë ditë që ndodhi arrestimi i Musolinit, batalioni jonë nuk ishte me shërbim. Atë ditë rradha e shërbimit ishte e italianëve.

Si e kujtoni daljen e Italisë nga lufta, pra kapitullimin e saj  dhe çfarë ndodhi me batalionin e shqiptarëve që asokohe shërbenin pranë Pallatit Mbretëror?

Nisur nga precipitimi i situatës pas zbarkimit të aleatëve në Veriun e Italisë dhe Siçili, më datën 9 shtator të vitit 1943, në orët e para të mëngjesit, Mbreti Viktor Emanueli I III-të, së bashku me kryeministrin, gjeneral-armate, Badoglio, u larguan nga Pallati Curinale dhe shkuan në Brindizi. Qëllimi i Mbretit ishte të shpëtonte kokën dhe të kishte mundësi të hynte në lidhje me forcat aleate anglo-amerikane, në mënyrë që ai të vazhdonte mbretërimin e tij. Atë ditë që Mbreti Viktor Emanueli me gjeneral Badoglion u larguan nga pallati, ne shqiptarët nuk ishim me shërbim aty, por atë gjë e mësuam aty në kazermat e Regjimentit “Granatieri Di Sardenja”.

Ç’ndodhi pas ikjes së Mbretit Viktor Emanueli?

Ikja e Mbretit u pasua me rënien e ç’thurrjen totale të gjithë ushtrisë italiane me ushtarë e oficerë, ku gjithsecili largohej në hesap të vet, pa asnjë lloj komande. Në atë katrahurë të ushtrisë u gjend dhe batalioni jonë i Gardës Kombëtare. Memorie.al

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja