Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Në nji ambient të këtillë brumoseshin shpirtet e rij të atyne që do të ishin përfaqësuesit e së nesërmes, kalitësit e së ardhmes, për nji komb e nji vend, që nuk kishte pushue kurrë së vuejtuni, e ku skami e frika, kishin qenë buka e shujta e përditshme. Në këtë humnerë që thërmonte trupat e ndrydhte shpirtin, duhej formue breznia e ndërtimit të nji shoqnie të re, ku njeriu i ri, të lindë në mes të njerëzve të lirë e, të ndërgjegjshëm për dinjitetin e tyne, ku çdo njeri, ishte ma shumë se nji punëtor, nji fshatar, nëpunës ose ushtar, ku njeriu ishte nji qenie njerëzore si unë, e vlla për mue!
Në këtë burg me muret e trasha mesjetare, bota e jashtme që më rrethonte, ishte aq e vogël, sa edhe vetë qelia, dhoma e burgut, e kampi i punës brenda rrethit policor e, telave me gjemba. Por mendimi nuk kufizohet me mure e zinxhirë. Në këtë burg të ngushtë, mendimi gjeti fushë të gjanë e të lirë. Bota ime e brendshme filloi të zhvillohet, të zgjanohet, të zajë vendin e parë, dhe për hir të përsëritjes së vazhdueshme, të mbizotnojë veprimtarinë, qëndrimin, e mënyrat e mia të mendimit. Njihsha veten, çdo ditë e ma shumë! Në mes të sublimes dhe banales, jeta në burg vazhdonte të ishte monotone, përveç kur ndërpritej nga çastet e humorit shkodran.
Megjithatë, kishte situata ku komiku mbetej me gojë mbyllë, nga ultësia e aktit të policit, në kurrizin tonë. Nji ditë që oficeri urdhnoi heqjen e mjekrës së bardhë të Imamit shtatëdhjetëvjeçar, gjithë burgu ra në nji heshtje vorri. Imami plak, nuk foli. Lotët i rrjedhshin, poshtë molletave të faqeve të vyshkuna.
Por kur oficeri me tallje i tha: “Hoxhë, he, si të duket tani, a ndjehesh mirë”?! hoxha plak, u përgjigj thjesht e me nji za që dridhej nga dëshprimi e lodhja fizike: “A nuk turpnoheni prej pleqnisë sime”?! Oficeri u largue pa folë, por me këtë përgjigje, Imami na dha nji fitore të madhe morale. Viktima ngrihej mbi torturuesin, si fitues i duelit të pa kompromis.
Nji zhurmë, theu heshtjen e mbarsun të burgut. Ishte natë! Nji grup rojesh të burgut, hyni në oborr, u drejtue kah qeliza e izolimit, e përpiqej me pengue britmat e shamjet e nji të arrestuemi, që nuk kontrollonte veten. Të rrahunat vazhduen me shkelma e shkopij, e për çdo të rame, ai përgjigjej me nji të shame. U duk sikur urdhnojshin, me u zhveshë lakuriq. Ai refuzonte.
Ata i bijshin pa mëshirë e i hidhshin mbi trup kovat e ujit të ftohtë. Viktima bërtiste. Rojet qeshnin. Na ishim të shtanguem nga egërsia që dëshmojshin. Askush nuk fliste ma! Pak minuta ma vonë, rojet e burgut e nxorën me forcë nga qelia, me dru. Plaku shpejtoi hapin e, filloi me vrapue rreth e rrotull oborrit të brendshëm, tue sha. Rojet qeshnin, sikur kjo tallje kriminale, bahej vetëm për dëfrimin e tyne.
Ma në fund, viktima ra në gjunj, ashtu me duar të lidhuna me zinxhirë, shau përsëri, derisa shkopinjt e panumërt e hodhën në shesh, të shtrime, pa lëvizje, pa za. Rojet qeshnin. Gjithë natën, qindra të burgosun nuk fjetën, nga përshtypja zemër çjerrëse që shkaktojshin grahmat e fundit të plakut që jepte shpirt.
Të nesërmen, morëm vesh se nji polic, kishte rrëmbye në shtëpi vajzën e plakut nga Oblika e, dy ditë ma vonë, ai kishte tentue pa sukses, vrasjen e polici e të vajzës. I arrestuem, u mbyll në burgun tonë, ku vdiq nga të rrahunat natën e parë.
XIX
Vuejtja pa qëllim nuk ka kuptim; asht nji absurditet. Por me shkaktue vuejtjen me qëllim dëfrimi, asht ma shumë se absurditet, ashtë nji akt kriminal i pafalshëm. Sjellja e rojeve të burgut atë natë, forconte edhe ma shumë bindjen time, ne çnjerëzimin e plotë që kishte prue regjimi komunist, në mes të përkrahësve të vet, dhe shërbëtorëve që kryejshin aktet e tiranisë.
Përballë nji gjendjeje të këtillë, vullneti me rezistue kundër së keqes së personifikueme, në veprimtarinë e shërbëtorëve të regjimit, forcohej. Metodat e ndjekuna ishin, padyshim, rruga ma e mire, me krijue armiq, e me pajisë rezistencën, me gjak të ri revolucionar.
Qartazi, armiku ma i rrezikshëm i pushtetit ekzistues, ishte pushteti vetë edhe emisarët e tij, që zbatojshin direktivat me prirje kriminale, pa mendue, pa hezitue. Ndamja në mes të botës së krimit e, asaj të viktimave, ishte e plotë e pazgjishmënisht, e drejtueme kah ballafaqimi vdekjeprumës.
Por tashti, forca brute ishte me komunistët, dominuese e jetës së vendit dhe e qytetarëve, të dënuem me jetue në atë vend, që quejshim “Nana Shqipni”! Si do të përfundonte e gjithë kjo vuajtje e pameritueme, ku do të përfundonte urrejtja e pakufi, që mbushte zemrat tona ato ditë?! Pyetja nuk gjente përgjigje, por, padyshim, më frikësonte shumë.
Më dukej sikur e gjithë bota, ishte zhytë në pellgun e së keqe, të mbrapshtës, të antinjerëzores. Për mue, dilema e kundërshtimit të saj, megjithëse rritej çdo ditë, për arsye të shtrimjes dhe thellimit të krimit, prapë se prapë, nuk më lehtësonte problemin. A duhej pranue si paevitueshmëni, kjo e keqe që kishte mbulue vendin tonë, dhe me ndërgjegjen e plotë se asgja nuk e ndryshonte atë, nji fatalizëm “fetar” që ishte tipik i besimtarëve që kanë guximin me u hedhë ne “të panjohunën” e, që vetëm Krijuesi njeh?
Kisha nevojë për ndihmë! Të nesërmen, me fratin françeskan pranë meje, fillova pyetjet e vazhdueshme, për luftën tonë të përditshme, kundër pranisë “së keqes”, në botë. Kisha dyshimet e mia në Krijuesin, e kundërveprojsha. Nuk jemi vetëm arsye. Sepse Krijuesi, më ka pajisë edhe me zemër, që ndjen për ata që vuajnë e me nji za ndërgjegjeje, që më shqetëson kur gabon. Më paraqitej ideja e sakrificës, e flijimit të jetës për të vuajtunit.
E, natyrisht, sa ma e randë të ishte e keqja, aq ma e madhe ishte ideja e flijimit. Vetmia friksuese e viktimës, sikur më thërriste të afrohem, të bahem vlla me atë. Njerëzit vuajnë ma pak, kur nuk janë vetëm. Frati ndgjonte, e më tha: – “Krishti me mue, e unë me ata që nuk janë në gjendje me kërkue ndihmën e Tij, si duhet”. – ‘E për ata që nuk e meritojnë’? – e pyeta unë, në nji përpjekje me mbrojtë pozitën time.
– “Atë e gjykon vetëm i Lumi Zot. Vetëm Ai, mund të mohojë hirin e tij të pameritueshmit. Unë jam vetëm nji shërbestar i thjeshtë i të Madhit Zot. Unë vetëm shërbej e jam i kënaqun vetëm me aq”.
E tue sjellë sytë kah unë, me nji buzëqeshje që shpaloste ndjenjën e tij të brendshme: – “Biri im, – më tha, – mos harro se çdonjeni prej nesh, ka diçka, sadopak qoftë, që asht e nji natyre njerëzore. Edhe armiku ka nji qoshe zemre, ku struket mëshira e gatshme me u shfaqë”. – E me za të ulët, e tue shënue dyshemenë me gishtin dëfrues, ai shtoi: “Atje ku nuk e pret”!
– “Ndërkaq, prit që të vdesim në torturë e në burgje…ose të uritun në kampe, të coptuem e të poshtnuem. – Thueje të kryqëzuem ma mirë. Të kryqëzuem, sepse na jep shpresë për ringjallje. Mos harro! Kryqëzimi, kur bahet për shpëtimin e njerëzimit, asht si nji akt perëndie”!
Të nesërmen, iu drejtova përsëri Donat Kurtit, fratit të nënshtruem, e fillova litanitë e ankesave të mia, për gjithçka. – “Durim, biri im, durim! I Lumi Zot, na këshillon durimin. Pak nga pak, do të rregullohet çdo gja, do të lirohemi. Do të jetojmë të lirë…! Durim, duhet të mësohemi me durue…”! – I Lumi Zot nuk vdes, – i thashë unë. –
Pater, Ai ashtë i pavdekshëm, apo jo?! – “Po! Nji nder…”! – E Ai, ka kohë mjaft kohë, me pritë me durue e me veprue, – e ndërpreva unë. “Unë jam njeri i përkohshëm në këtë botë, Pater, unë mund të vdes çdo kohë…! Koha kalon pa asnji shpresë kthimi, e vdekja më pret…! Unë nuk mund të duroj. Unë nuk mund të kënaqem, me shpresën e së ardhmes, që nuk e njof, – për ma tepër, nuk varet prej meje”.
– “Duhet pranue vullneti i të Madhit Zot, biri im”! Nuk e dijsha nëse frati im, i shihte vuejtjet e mia, si revoltë spontane e nji të riu, që jetonte me frikën e vdekjes në burg! A po, në hapësinën e tij intelektuale, ai shikonte nji të ri, si të gjithë tjerët, që rezistonte mesazhin hyjnor të dhanun nga klerikët, shërbestarët e Zotit. Por kambëngulja e tij për nënshtrim, nuk më ndihmonte. -Pater – i përgjigja, – ti më kërkon nënshtrimin. Nëqoftëse unë pranoj, çka më mbetet tjetër?
– “Jo nënshtrimin – më ndërpreu ai, – përvuejtninë. E mos harro! Asht edhe lumnia e qiellit”. – E tue ngrejtë gishtin dëftues, si shenjë tregimi për hyjninë, vazhdoi me nji za gjysëm të fikun – “Këtu jemi të përkohshëm. Po, të përkohshëm, po tham”. Në dhomën gjysëm të ndritun, heshtja e zakonshme vazhdonte sot, ashtu si dje, si pardje, si muejt e vjetët e kalueme pa lanë gjurmë. Përreth meje, të burgosunit merreshin me veprimtari të pafryt, të pakuptim, të paqëllim. Përjashta, ndigjohej ritmi i rregullt i çizmes së kuqe ushtarake që bante turnin e ditës në oborrin e brendshëm.
– Pater! – thashë tue e shikue drejt në sy, – si e shpjegon jetën e nji të riu që torturohet për shumë vjet e, vdes pak ditë para lirimit ose, menjiherë mbas lirimit prej burgut?!
– “Vullneti i Krijuesit”. – E tue ulë kokën që të mos ndeshte drejtpërdrejt sytë e mi, me nji za që m’u duk sikur dridhej, pa muejt me e kontrollue, ai shtoi: “Pranoje vullnetin e Krijuesit”!
– E si justifikohet, Patër, kjo vuejtje, që më duket se nuk sjell dobi?! Bota e jashtme, as që e din që na vuejmë të zezën e ullinit. Vuejtja që vdes bashkë me mue, që shuhet me viktimën, që nuk shpaguen ose ringjallë… e na të rijt këtu, nuk kemi as kënaqësinë e misionarit. Deshta të them; “si ti”. Ai buzëqeshi.
– “Ndigjo! Zoti dërgoi të Birin dhe i premtoi Atij kryqin. Mos harro”! –
E tue mbështet dorën mbi supin tim, vazhdoi me nji za që dridhej: “Sa herë që pesha e vuajtjes, bien mbi të pafajshmin, për mue lind nji konflikt. Jeta ime si klerik i krishtenë, asht nji luftë e përditshme, me zgjidhë këtë konflikt. Nuk asht e lehtë për mue…! Por unë besoj në jetën e amshueme, e në besimin tim, unë mbështes shpjegimet e mia, që më lehtësojnë barrën e randë të konfliktit, që më mundon. Unë të këshilloj besimin, biri im, por nuk mund të ndihmoj ma shumë…! Nuk asht nji shembull, që unë dëshiroj të bahem për ty, asht nji nevojë që ti vetë, duhet ta ndiesh me forcë, me aq fuqi sa të vijsh në gjendjen time e, të lehtësohet përvujtnia”!
E sikur nuk dinte të vazhdonte ma gjatë sugjerimin, e mbylli me nji pyetje: – “Në këtë gjendjen tande të rebelimit, më duket se shoh nji lloj kryenaltësie të damshme, apo jo?! Mos harro! Përvujtnia, përvujtnia asht pjesa jonë në këtë jetë”. – “Pater! Mos përkëdhel anën time të dobët. Përvujtnia asht ma e lehtë ndoshta, se kjo kryenaltësi e imja, që të shqetëson, që sheh ti, e që mendon se asht burimi i vuejtjes sime…! Por, më lejo të them, me zemër të hapët se, kjo frymë revoltimi kundër çdo formë nënshtrimi, më frymëzon, më mban gjallë e, si të thuesh…!
– “Të lehtëson vuejtjen, gjithashtu”? – më ndërpreu ai. – Unë mendoj se po. Të paktën nuk më ban thirrje me pranue gojëmbyllun të keqen, e të shumtën e rasteve, me mobilizon me luftue fuqimisht. Pater! Unë due të marr nji qëndrim, të veproj, mos të kryqëzoj krahët para së keqes…ose të laj duart! Në fytyrën e fratit të vorfën, u thelluen edhe ma shumë rrudhat e vuajtjes.
Me vetulla të mbledhuna, ai shikoi rreth vetes dhomën mbarë, masën e të burgosunve pa faj, të zhveshun nga gjithçka, e me çdo mjet të fyem në dinjitetin e tyne çdo orë, çdo ditë, sa herë që shtrihej dora për nji copë bukë, sikur dëshironte me vërtetue në vend, edhe nji herë, përpjestimet e mjerimit që e rrethonte. Mandej, tue drejtue përsëri sytë kah unë, e me nji za, tingëllimi i të cilit, më tha ma shumë se fjala e shqiptueme, u përgjegj:
– “Do të lutem për ty… do të lutem biri im, që nji ditë të ndigjosh më qartas në zemër tande, Fjalën e së Mirës së Pambarueme! Ideja e Zotit, si mundësia e vetme me shpresue në nji të ardhme ma të denjë, për cilësitë që pajisin njeriun, si “mjeku” i vetëm që kupton e shëron shpirtët e tretun rrugëve, zemrat e djeguna për pasion, mendjet kërkuese të së vërtetës, të nji të vërtete, që kënaqë e justifikon çdo kërkesë, më tërhiqte. Por, vetë lehtësia e saj në zgjidhjen e problemit të ekzistencës, nuk më kënaqte. Frati e ndërpreu rrjedhën e mendimeve të mia:
– “Pse flet me ndrojtje, sikur ke frikë se prish harmoninë e mendimeve të mia”? – Po, kam frikë…! – “Pse frikësohesh?! Nëqoftëse ata bien poshtë nga kritikat tueja, atëherë nuk kanë atë vlerë hyjnore, që unë besoj se kanë”. – Pater! Ajo që më tremb, asht se nuk kam diçka tjetër, që ta zëvendësoj. Asht ky boshllëk në brendinë time, që më frikson…e dëshiroj ta mbuloj me aksion!
Çdo mëngjes, frati e unë, shihshim fytyrat e mucatuna të të rijve në burg, sikur të ishin frye me ajër, që ngriheshin nga gjumi i randë, në dhomat që qelbeshin nga fryma e gazet e, ma shumë se njiqind të burgosunve, prej të cilëve, gjysma vuejshin nga smundje të njohuna e të panjohuna, por të rrezikshme. Çdo mëngjes, frati e unë shihshim qartë ndryshimin e dukshëm, të përditshëm, të freskisë djaloshare, në fytyrat e nji ushtrie të rinjsh e, pamjen e tyne të lodhun, të mekun, të pajetë, si gjethet e vyshkuna, në vjeshtën e parë.
Me kalimin e ditëve, muejve e vjetëve, koha bante punën e vet; ajo grabiste rininë e energjinë e të burgosunve e i zëvendësonte me nji ndjenjë shkurajimi, me nji frymë indiference që shihej, sidomos tek “veteranët”, që kishin humbë shpresën e lirimit. Frati e unë, jetojshim në të njajtën botë, por e shikojshim atë me tjetër sy. Nuk ishte se fratit i mungonte, nji koshiencë e zgjueme, ndoshta edhe nji nxitje për revoltë, që ai e shtypte: përkundrazi, rezistenca kundër së “keqes”, së tiranisë së kuqe, ishte e ngulun thellë në mendje e, zemër të tij.
Por ai e vendoste këtë rezistencë, në suazën e bindjes së tij fetare e duronte, e duronte. Për mue, nji qëndrim i këtillë, i arsyetuem me vullnetin e Krijuesit, nuk mjaftonte. Për mue, rezistenca aktive, ishte e domosdoshme që të mos lejohej rruga ma e lehtë e dorëzimit para së “keqes”, përfundimi i paevitueshëm i së cilës, ishte korrupsioni moral dhe përfundimi i tij logjik, dështimi i plotë. Për mue, ishte nji dilemë; “këtu dhe tashti”, që duhej zgjidhë në këtë botë, para se të rrëmbehesha nga dora e vdekjes, asgjasimi i pariparueshëm i jetës mbi tokë.
Jeta tjetër, e botës tjetër? Nuk kishte randësi. Ishte kjo frikë që rriste urgjencën e veprimit, qoftë edhe me forcë, kur ishte fjala për thyemjen e zinxhirëve, që na mbajshin të gozhduem në vend. Frati im përpiqej, jo vetëm me shpjegue këtë frymë pesimiste, por me paraqitë edhe shkaqet, efektet, pikësynimet e nji itinerari të filluem keq, e ma në fund, – oh, sa forcë magjike kishte tregimi i ringjalljes! – Mundësia e shpëtimit, shpresa për nji kand vetjak, në këtë gjithësi të pafund, votër e ngrohtë, për nji shpirt të ngrimë, gjatë udhëtimit të gjatë në errësinë e vetmi!/Memorie.al
Fort i ndershmi profesor Repishti,ne vitet 30 ishin fillesat e ideologjive ne vendin tone ku dominonin Shkodra dhe Korca. Ne nje vizite te tij me 1937 ne vendin tone gazetari shok i Mussolinit,Indro Montanelli,duke pare shperndarjen e pronesise se tokes sipas modelit feudal dhe mjerimin e bujkut myzeqar, tha :Ne cdo vend tjeter,kjo shperndarje e pronesise se tokes ndoshta 85 perqind pronare tokash bejlere dhe 20 perqind prona e vogel ( prodhimi 1/3 me pronarin e tokes dhe ne cifiqet e shtetit 1/10) do te shkaktonte nje kryengritje komuniste te tmerrshme>por kjo nuk ndodh ne Shqiperi sepse bujqit nuk e dijne se cfare te drejtash kane" vazhdon Montanelli.Nisur nga ky problem madhor social politiko ekonomik,Mbreti Shqiptareve Ahmet Zogu ka prue ne vendin tone nji ekonomist agrar nga Firenze qe quhesh Baldacci i cili pergatiti projekt reformen agrare,me 1930 me duket, te cilen e miratoi parlamenti asaj kohe por nuk u realizua dot me sa di une per shkak te nje kundershtimi te forte nga Vrionsit.Zogu e mbajti ne sirtar dhe kur dikush nga paria pronare tokash e kundershtonte,Zogu hapte sirtarin dhe e kercenonte me reformen agrare.Ne organet e kohes si Illyria,Arbenia,Hylli i Drites Bota e re,Leka shume intelektual trajtonin keto problematika,benin thirrrje per ndryshimin e situates socila plitiko ekonomike duke ju drejtuar per ndihme Bolshevizmit,Nazizmit,Fashizmit italian rrymave extremiste te kohes por edhe socila demokracise si Branko Merxhani me organin e tij revolucionar Perpjekja Shqiptare.Pavarsisht se socila demokracia eshte ne themel marxizem ai botoi shkrimin Pse nuk jam marksist duke kritikuar ideologjine marksiste qe zhduk pronen private dhe eliminon.Me pushtimin e vendit tone nga fashizmi italian,shume te rinj patriote gjeten mbeshtetje ne ideologjine komuniste si antidoti i fashizmit.Nderkohe keto dy rryma extremiste sic ka thene Rajmon Aron,burimin e kane ne dekompozimin e idese demokratike permbi shtetin.Vete Branko Merxhani kundershtoi pushtimin si dhe kolaboracionistet duke ju drejtuar M.Krujes"Ne intelektualet e Shqiperise do te largohemi nga ky vend se keshtu kemi bere edhe ne kohen e pushtimit ottoman".Keshtu po ndodh edhe sot.Who forget the passt is condemned to repeat it ! Respekt dhe jete te gjate.nga Veli Stafa
Përgjigju