Dështon legalizimi i pallateve
pr/ligji kthehet mbrapsht

Dështon legalizimi i pallateve<br />pr/ligji kthehet mbrapsht
TIRANE- Hipotekimi i pallateve pa leje në Kryeqytet po shkon drejt dështimit. Dje është paraqitur për diskutim një projekt-amendim për ligjin nr. 8402 “Për kontrollin dhe disipliminim e punimeve në ndërtim”. Akti, në formën e një projektligji, të kaluar edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ka të bëjë me hapjen e rrugës për hipotekimin e disa qindra pallateve, çka ka qenë një ndër premtimet më kryesore të kryebashkiakut të kryeqytetit Lulzim Basha gjatë fushatës së tij në maj të këtij viti. Sipas drejtorit juridik të dikasterit, Iglon Peçi, projektligji parashikon t’u japë zgjidhje përfundimtare të gjithë atyre objekteve, të cilëve nuk u gjendet investitori apo kompania ka falimentuar e kështu nuk mund të hipotekohen. Ndryshimi i tij do t’i hapte rrugën legalizimit të këtyre objekteve, 400 prej të cilëve janë të evidentuar në Tiranë.

Por, Bashkia e kryeqytetit, e cila nuk ka denjuar të dërgojë në Kuvend asnjë përfaqësues të saj, ka vënë veton për këtë projektligj, duke "çuar fjalë" se nuk është e mirëpërcaktuar në këtë akt zgjidhja e problematikave që mund të hasen në terren. Edhe pse nuk ka depozituar në ministri asnjë lloj komenti apo sugjerimi përkatës mbi këtë draft, Bashkia ka vënë në pikëpyetje formulimin e ligjit. Këtë e ka pohuar para deputetëve, në rolin e një zëdhënësi të vërtetë të Bashkisë, kryetari i Komisionit Jemin Gjana. Ai ka thënë se ka biseduar vetë me përfaqësuesit e pushtetit vendor të Tiranës dhe ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me problematikën që do të krijohet në rast se miratohet ligji në formulimin e paraqitur nga juristët e Olldashit.

Nga ana e tij, drejtori juridik i MPPT-së ka replikuar, duke thënë se Bashkisë i është dhënë në dispozicion projektligji, por nga ky institucion nuk është paraqitur asnjë vërejtje dhe asnjë sugjerim. Megjithatë, Gjana ka kthyer mbrapsht projektin, për t'u lënë kohë ministrisë dhe Bashkisë që të rakordojnë punën për ndryshimet e mundshme.
Problemi me dosjet e 400 pallateve të Tiranës që kanë mbetur pa u hipotekuar u mendua se u zgjidh me një Udhëzim të Këshillit të Ministrave të datës 5 tetor të vitit të kaluar. Sipas Udhëzimit, do të mund të regjistroheshin në mënyrë të rregullt objekte, për të cilat nuk është lëshuar leje për arsye të ndryshme. Pas hipotekimit të 100 dosjeve të para, duket se procesi ka ngecur, megjithë mnjë marrëveshje midis bashkisë dhe MPPT dhe ministrisë së Drejtësisë, pasi kërkohen ndryshime në ligj. Ligji për kontrollin e ndërtimeve është ndryshuar pesë herë, nga të cilat katër herë nga mazhoranca aktuale. Megjithatë, duket se ka një mosmarrëveshje të dukshme midis dikastereve dhe Bashkisë, që lidhet me pamundësinë e kësaj të fundit për të realizuar premtimin për hipotekimin e të gjitha ndërtimeve.

Qendrimi i opozitës politike ndaj këtij procesi është shprehur në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku është theksuar se po bëhet mashtrim me hipotekimin e pallateve, ndërkohë që kryebashkiaku Basha pranoi publikisht që gënjeu për lejet e shfrytëzimit të banesave për hipotekim, se nuk i ka firmosur ai, pra i ka firmosur zoti Rama. Opozita ka kërkuar edhe që Basha t'u thotë qytetarëve të Tiranës përse ai dhe qeveria ku ka qenë ministër bllokuan për shumë vite hipotekimin e banesave tiranase në zyrat e qeverisë, ashtu siç bllokuan me këshilltarët buxhetet e bashkisë për dy vjet.

Në fakt, Bashkia e Tiranës ka deklaruar një numër shumë më të vogël objektesh ndërtimi, të pajisura me leje shfrytëzimi në vite, nga sa janë në të vërtetë. Kjo del nga lista zyrtare, e publikuar prej saj. Por, midis listës që ka në dispozicion Bashkia dhe listës qeveritare ka mospërputhje shifrash.

Duke lënë mënjanë vitet e tjera, gjatë vitit të fundit, kur janë dhënë leje, që është 2009-a, numri i tyre ishte 25, sipas të dy burimeve, por ndryshojnë shifrat e tjera. Në proces shqyrtimi qeveria njeh vetëm një aplikim, ndërkohë që Bashkisë i rezultojnë katër të tilla. Sipas këshillit të Ministrave, janë 21 ndërtime që nuk kanë aplikuar për leje shfrytëzimi, por sipas Bashkisë ky numër është 18.

Në total, gjatë viteve, del se janë dhënë 682 leje ndërtimi. 267 prej tyre kanë edhe lejen e shfrytëzimit, ndërkohë që 51 të tjera janë në proces shqyrtimi. Për 43 të tjera është ndërprerë procedura, 99 janë në proces legalizimi dhe 223 nuk kanë aplikuar për të marrë lejen e shfrytëzimit.
(Shkrimi eshte botuar sot ne Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Radhë kilometrike automjetesh në autostradën Durrës-Tiranë, në Vorë qarkullimi është bllokuar

Radhë kilometrike automjetesh në autostradën Durrës-Tiranë, në Vorë qarkullimi është bllokuar