SARANDË- 5 persona janë shpallur në kërkim ndërsa 1 tjetër është shoqëruar në polici, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Rexhep Ismaili 66 vjeç, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lokalin në pronësi të tij në fshatin Gjashtë në dalje të Sarandës. Autor i vrasjes është Lulzim Tabaku, i cili vijon të jetë në arrati së bashku me Idriz Çela, Eljo Muço, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, të cilët akuzohen për kanosje e shkatërrim të pronës.

Shkak është bërë një konflikt që miku i 66-vjeçarit, Viktor Ruçi, i cili ndodhej në lokal, kishte me një tjetër person për çështje pronash në zonën e bregdetit. Teksa Ruçi ishte në tavolinë me Rexhep Ismailin dhe me disa persona të tjerë, 6 vetë kanë mbërritur në lokal ku menjëherë ka nisur një përplasje e ashpër fizike që ka përfunduar në shkrehjen e armëve dhe vrasjen e 66-vjeçarit me 1 plumb në kokë.

Në policia është shoqëruar 31-vjeçari Kostandin Vogli, i dyshuar si personi që ishte në konflikt me Ruçin. Ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore pasi ka mbetur i plagosur në këmbë.

Dinamika e ngjarjes

Rreth orës 21:30, në lokalin e Rexhep Ismailit, mbërriti një grup prej 6 personash, pasi i kishte thirrur Kostandin Vogli, i cili kishte informacion se te karburanti dhe lokali i vëllezërve Ismaili ndodhej 50-vjeçari Viktor Ruçi, me origjinë nga Tepelena dhe banues në fshatin Gjashtë.

Në sherr e sipër, 66-vjeçari Rexhep Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me “Kallashnikov”, duke hapur zjarr disa herë ku ka mbetur i plagosur Kostandin Vogli. Ndërsa autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, e ka qëlluar me pistoletë me plumb në kokë Ismailin. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.

Vëllai i Rexhep Ismailit ka fshehur armën automatike me të cilin 66-vjeçari qëlloi në drejtim të grupit me 6 persona, tashmë e gjetur dhe e sekuestruar nga policia së bashku me një krehër me 21 fishekë. Ndërkohë është sekuestruar një automjet tip ‘Audi Q8’ i dyshuar si i përdorur nga të dyshuarit dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Sakaq, në fshatin Nivicë është gjetur i braktisur motomjeti me të cilin dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes autori Lulzim Tabaku.

Rexhep Ismaili është gjithashtu pronar i një prej plazheve më të njohura private, ‘Pema e Thatë’ në Ksamil si dhe eksponent i PD. Vrasja e tij ka shkaktuar reagime të forta në politikë. Deputeti i PS-së Ardit Bido e ka cilësuar ngjarjen “të kobshme”, duke theksuar se Ismaili drejtonte shoqatën “Çamëria” në Sarandë dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzës shqiptare. Edhe deputetja e PD-së Ina Zhupa është shprehur e tronditur, duke theksuar se demokratët humbën një figurë të rëndësishme, pjesë e strukturave të PD-së.

1778225072_atentatisarande.jpeg

Një prej mjeteve të autorëve që mbeti në vendngjarje 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Vrasja në Sarandë/ Miku i biznesmenit në konflikt me 6 persona, shpallen në kërkim! Gjendet në Nivicë motori me të cilin u largua autori

Drejtori i Policisë së Vlorës Elidon Çela ka dalë sot me një deklaratë publike ku ka informuar për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Rexhep Ismaili në lokalin në pronësi të tij në fshatin Gjashtë në Sarandë.

Deklarata e plotë e drejtorit të policisë Vlorë

Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.

Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.

Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit:

L.T., Lulzim Tabaku

I.C., Idriz Çela

E.M., Eljo Muço

K.V., Kostandin Vogli

M.A  Marjo Agalliu

dhe E.Sh.Ermal Shkalla

kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Viktor Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.

Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima R. I ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt,

Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi L. T. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit R. I., i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi K.V.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi H. I., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:

L. T., 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

I. C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Si dhe u proceduar penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës.

Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.

Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.

Ora 16:36
Report Tv siguron foton e mikut të Rexhep Ismailit, në konflikt me autorët për çështje pronash

1778250911_viktorruci.jpg

Report Tv ka siguruar foton e 50-vjeçarit Viktor Ruçi, personi i cili ishte në konflikt me autorët që vranë me plumb në kokë 66-vjeçarin Rexhep Ismaili. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lokalin e këtij të fundit. Sipas raportimeve paraprake, Ruçi ishte në konflikt me persona të tjerë për çështje pronash.

Ora 16:19
Vrasja e 66-vjeçarit në Sarandë, vetëdorëzohet një nga të rinjtë e përfshirë në ngjarje! U plagos në këmbë me armë zjarri

1778184978_vrasjesarande.jpg

Një nga të rinjtë e përfshirë në sherrin e dhunshëm në Gjashtë të Sarandë, që përfundoi tragjikisht me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, është vetëdorëzuar rreth 3 orë më parë.

Bëhet fjalë për Kostandin Vogli, 31 vjeç, banues në Shën Vasil të Himarë. Ai është transportuar drejt spitalit të Sarandë, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, pasi rezultonte i plagosur me armë zjarri në këmbë.

Gjatë qëndrimit në spital, Vogli është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes, ndërsa pritet të transferohet drejt spitalit të Vlorë për mjekim më të specializuar, por edhe për arsye sigurie.

Sipas dyshimeve paraprake, Kostandin Vogli dyshohet të ketë qenë personi që kishte konflikt me 50-vjeçarin Tori Ruci. Hetuesit dyshojnë se pas përplasjes ai ka thirrur disa miq të tij, pasi kishte konstatuar praninë e Rucit në lokalin e Rexhep Ismaili në Gjashtë.

Ora 10:27
Vrasja e pronarit të karburantit, Bido: I kobshëm lajmi i vrasjes i drejtuesit të Shoqatës 'Çamëria' në Sarandë

1778228582_arditbido.jpg

Foto: Rexhep Ismaili dhe Ardit Bido

Deputeti i PS Ardit Bido ka reaguar për vrasjen e Rexhep Ismailit, pronari i një karburanti në Sarandë dhe njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Bido thotë se lajmi i vrajses së tij ishte i kobshëm teksa thekson se Policia duhet të zbardhë sa më shpejt këtë çështje.

“I kobshëm lajmi i vrasjes së Rexhep Ismailit. Kryefamiljar që rriti një familje të mirë, biznesmen i suksesshëm, patriot dhe drejtues i zellshëm i Shoqatës Çamëria në Sarandë.

Humbja e tij trondit jo vetëm familjen dhe miqtë, por mbarë komunitetin. I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë dhe autorët të përballen me drejtësinë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën.

Lamtumirë Rexhep!”, shkruan Ardit Bido në rrjetet sociale.

Ora 10:19
Vrasja e pronarit të karburantit në Sarandë, Zhupa: PD humbi një bashkëpunëtor të vyer

1778228392_inazhuparexhepismaili.jpg

Foto: Ina Zhupa dhe Rexhep Ismaili

Deputetja e PD, Ina Zhupa shprehet e tronditur për vrasjen e Ismail Rexhepit, ndërsa thotë se PD humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer.

Postimi i plotë:

E tronditur thellë nga lajmi për vrasjen e Rexhep Ismailit. Një njeri me vlera dhe një patriot i përkushtuar.

Partia Demokratike humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer. Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.

Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë dhimbje dhe tronditje te të gjithë ne që e njohëm.

Pres që institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, të veprojnë me përgjegjësi të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan Rexhep Ismailin.

U prehtë në paqe.

Ora 09:45
Atentati në Sarandë/ Reagon shoqata ‘Çamëria’: Kërkojmë zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes! Zë i palëkundur i çështjes çame

Shoqata ‘Çamëria’ ka reaguar për atentatin në Sarandë ku mbeti i vrarë kryetari i saj, Rexhep Ismaili. Në një postim në rrjetet sociale, shoqata ka dënuar ngjarjen dhe kërkon zbardhjen e saj të menjëhershme.

Gjithashtu, nënvizon kontributin e 66-vjeçarit si “zë i palëkundur” dhe “mbrojtës i pashoq” për çështjen çame.

"Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili, Kryetar i Shoqatës 'Çamëria' Sarandë. Ai ishte një zë i palëkundur dhe mbrojtës i pashoq i çështjes çame që prej fillimeve të demokracisë. Shoqata 'Çamëria' dega Vlorë dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!", shkruhet në postim.

Ora 09:27
Vrasja në Sarandë/ 10 persona shkuan për të rrëmbyer një person në lokalin e tij, Ismaili ndërhyri për t'i ndalur! Mjeti i autorëve në vendngjarje

1778225072_atentatisarande.jpeg

Sherri në të cilin mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili në lokalin e karburantit të tij në Sarandë, nuk e përfshinte drejtpërdrejt viktimën.

Sipas burimeve, gjatë mbrëmjes të së enjtes në lokal kanë shkuar të paktën 10 persona që kanë patur konflikt me dikë që ka qenë në lokal dhe kanë dashur ta rrëmbejnë. Dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt pronësie.

Rexhep Ismaili u ka thënë “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu” dhe më pas situata ka degraduar. Në vendngjarje ka mbetur një automjet i autorëve.