Detyrimet financiare/ Borxhi publik në nivelin e 63.63% e PBB-së në fund të marsit

Detyrimet financiare/ Borxhi publik në nivelin e 63.63% e PBB-së në fund të marsit

Foto ilustruese

Borxhi publik i Shqipërisë në fund të muajit mars ka zbritur në një shifër sa 63.63 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është e zakonshme që në tremujorin e parë, shifra e borxhit zakonisht është më e ulët dhe rritet tremujorët e tjerë. Por sidoqoftë, shifra aktuale kjo është edhe më e ulët se ajo që u shënua në tremujorin e parë të vitit të kaluar, kur borxhi publik u raportua zyrtarisht se ishte sa 65.8 për qind e PBB-së.

Faktorët
Në fakt, si sasi në vlerë, borxhi rezulton i rritur në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nëse në fund të 2018-ës detyrimet e përgjithshme të pushtetit qendror e vendor ishin 1 trilion e 107 miliardë lekë, kjo shifër në datën 31 mars 2019 ishte 1 trilion e 116 miliardë lekë, pra me një rritje prej rreth 9.4 miliardë lekësh. Por është raporti me Prodhimin e Brendshëm Bruto, si dhe kursi i këmbimit valutor që kanë ndikuar në trendin pozitiv të borxhit. Ndërkohë që për vitin e kaluar është marrë si PBB e përafërt një vlerë prej 1 trilion e 648 miliardë lekësh, për vitin në vazhdim shifrat janë më optimiste: 1 trilion e 753 miliardë lekë.

Në këto kushte, edhe pse vlera nominale e borxhit është rritur, raporti ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, të planifikuar në rritje, rezulton të jetë më i vogël se një vit më parë në të njejtën periudhë. NGa ana tjetër, kursi i këmbimit të lekut me të gjitha valutat e huaja ka qenë shumë pozitiv. Edhe përpara zituatës së jashtëzakonshme, të krijuar nga grabitja e një sasie të madhe valute në pistën e aeroportit të Rinasit, që solli stepjen e bankave për të blerë valutë në treg deri sa të sistemohen problemet e sigurisë në transportin e parave, euro dhe dollari kanë humbur vlerë ndaj lekut. Duke qenë se një sasi shumë e madhe e borxhit publik është në euro e dollarë, natyrshëm llogaritja e këtij borxhi total, e konvertuar në lekë, është më e vogël.

Në këtë kuptim, edhe pse nominalisht për çdo ditë në tre muajt e parë të vitit 2019 borxhi publik i Shqipërisë është rritur me 104 milionë lekë të reja, apo më shumë se 840 mijë euro sipas kursit aktual, në fakt në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto kemi një ecuri shumë të mirë, që pasqyrohet në uljen e vazhdueshme të borxhit në raport me PBB-në, që është edhe parametri më i besueshëm në vlerësimin e borxhit publik.

Që kjo shifër të bëhet e besueshme dhe e qendrueshme, natyrisht duhet që prognoza për rritjen e PBB-së në atë nivel që e vlerëson ministria e Financave dhe Ekonomisë të jetë reale, ndërkohë që euro e dollari të mbeten në këto nivele që kanë sot. Të dy këto parametra mbetet të shihen se si do të shkojnë gjatë vitit në vazhdim.

Në fund të vitit 2018 borxhi publik ishte i barabartë me 67.16 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një ulje prej 4 përqindësh për tre muaj është një sinjal i mirë për ekonominë dhe stabilitetin e saj, por ky trend duhet të konsolidohet më tej në tremujorët pasues. Ndërkohë, projeksionet e buxhetit të shtetit flasin për një vlerësim të tillë, i cili parashikon që borxhi publik duhet të arrijë në rreth 64.9% në fund të vitit 2019.

Tendenca
Raporti i borxhit publik me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka ardhur në rënie të shpejtë gjatë vitit të fundit. Pas një rekordi negativ prej 72.67 përqindësh ndaj PBB-së në vitin 2015, në fund të 2016-ës kjo shifër arriti në 72.21%, me një ulje minimale. Ulja pasuese ka qenë më e ndjeshme, duke arritur në 70.02 për qind në fund të 2017-ës, me 2% pakësim. Ndërkohë, ulja ka qenë edhe më e ndjeshme vitin e kaluar, me shifrën 67.16% të raportit borxh publik/ PBB në fund të 2018-ës, gjithnjë sipas buletinit statistikor të borxheve të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Qeveria ka bërë shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve buxhetore, sidomos në investime, vitet e mandatit të parë katërvjeçar, çka është pasqyruar edhe në nivelin e borxhit. Po kështu, këtu ka ndikuar edhe përdorimi i sistemit të koncesioneve, që normalisht duhet të përfshihen në borxh, por në statistikat zyrtare faktikisht nuk pasqyrohen.

Pagesat
Sa u përket pagesave për borxhet e marra në vite, shifra e tyre vjen në rritje. Në rast se, në fund të tremujorit të parë të vitit 2018 janë paguar 12 miliardë lekë si interesa e principal borxhesh, në periudhën janar-mars të këtij viti shifra ka kaluar në 13 miliardë e 877 milionë lekë, me një rritje në masën 15.7 për qind. Në vazhdën e viteve të fundit spikat shifra më e lartë e pagesës së interesave të borxhit gjatë vitit 2013, kur janë paguar në formën e interesave të huasë 43.3 miliardë lekë. Shifra e vitit të kaluar ishte më e vogël: 36.5 miliardë lekë, por gjithsesi me një rritje krahasuar me 2017-ën, kur u paguan si interesa 31.9 miliardë. Por, buxheti i shtetit nuk ka paguar vetëm interesat. Në total, shërbimi i borxhit, ku përfshihen si interesat, por edhe principali, vitin e kaluar ishte në vlerën e 88.2 miliardë lekëve, ose mbi 700 milionë euro.

Sektorët
Stoku më i madh i borxhit, i cili është krijuar përgjatë viteve, i takon mbështetjes së buxhetit të shtetit shqiptar nga ana kryesisht e institucioneve financiare ndërkombëtare, të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, etj. Në total, aktualisht Shqipëria ka një detyrim për shuma të marra hua në favor të mbështetjes buxhetore në masën 2 miliardë e 676 milionë euro.Në vend të dytë sa i përket shumës së borxheve sipas sektorëve vjen Transporti me 1.4 miliardë euro borxhe aktualisht. Pas këtij sektori vjen energjia, me 853.5 milionë euro.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën