Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka dërguar një letër Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, për dijeni sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, duke i shprehur disa shqetësime në lidhje me Projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores mbi procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që lidhen me ose ndikojnë në infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacion të ndjeshëm apo mbi lirinë e medias”.

Dhoma Amerikane thotë se e vlerëson mekanizmin e skanimit të investimeve të huaja si një instrument i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe rendit publik, por ky projektvendim ka disa probleme thelbësore që cenojnë parimin e proporcionalitetit dhe të dekurajojnë investitorët e huaj seriozë. Projektvendimi me këtë rregullore që janë në proces konsultimi publik synon ngritjen e mekanizmave që të kontrollojë dhe hetojë investimet e huaja direkte që do të bëhen në sektorë më rëndësi kritike për sigurinë kombëtare.

Fokusi kryesor i kësaj rregulloreje do të jetë tek kontrolli investimeve të huaja në fushën e medias, me qëllim që të shmangen fushatat e dezinformimit apo ndikimet keqdashëse nga shtete të huaja. Por Dhoma Amerikane vlerson se janë 7 probleme që duhet të marrin zgjidhje për të garantuar qëndrueshmëri në investimet publike. Së pari ata thonë se një nismë e tillë kaq serioze nuk mund të bëhet vetëm me një vendim qeverie për të hartuar këtë rrëgullore. 

"Një mekanizëm i tillë kërkon një ligj të posaçëm, i cili të adresojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjitha elementet e procesit të “screening”, duke reduktuar hapësirat për interpretime subjektive dhe qasje të paunifikuara", thuhet në letër.

Po ashtu Dhoma thekson se drafti nuk është plotësisht i përputhur me legjislacionin e BE-se, nuk garanton transparencë të mjaftueshme në procesin e shqyrtimit të investimeve. 

"Kriteret e vlerësimit të riskut duhet të jenë të përcaktuara qartë, objektive dhe të parashikueshme, në mënyrë që investitori i huaj të ketë siguri juridike dhe të mund të vlerësojë në mënyrë të informuar rrezikun rregullator", vijon më tej letra.

Dhoma Amerikane gjykon se një risk i rëndësishëm lidhet me arkitekturën institucionale të vendimmarrjes. Drafti  përqendron kompetenca shumë të gjera në një Komitet Ndërministror, pa parashikuar rregulla të detajuara për funksionimin e tij, përfshirë kuorumin, mënyrën e votimit dhe trajtimin e konflikteve të interesit. 

Kritika e 5 është për afatet procedurale dhe proporcionaliteti pasi vlerësojnë se afati 5-ditor për plotësimin e dokumentacionit nga investitori i huaj, me pasojë anulimin e procedurës në rast mosrespektimi, konsiderohet joproporcional. Së gjashti sipas tyre parashikimi i “thirrjes së investitorit të huaj në seancë dëgjimore” krijon perceptimin e një procedure hetimore ose ndëshkuese, e cila nuk është në përputhje me frymën nxitëse dhe mikpritëse që duhet të karakterizojë kuadrin ligjor për investimet e huaja. 

Pasi kanë ngritur këtë shqetësime Dhoma Amerikane ka vlerësuar se është i nevojshëm një ligj i ri për investimet e huaja në sektorë me rëndësi kombëtare.

"AmCham vlerëson se projektvendimi aktual duhet të ripunohet në tërësinë e tij dhe sugjeron hartimin e një ligji të posaçëm për shqyrtimin e investimeve të huaja, i cili të adresojë në mënyrë të qartë dhe koherente, ndër të tjera: fushat dhe sektorët subjekt të shqyrtimit; profilin dhe origjinën e investitorëve; pragjet e investimeve; kriteret e vlerësimit të riskut; strukturën institucionale; procedurat dhe garancitë procedurale; sanksionet; si dhe përputhshmërinë e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian", thuhet në pikën 7 të letrës.  

Projektvendimi i hedhur në konsultim parashikon që investimet në media të trajtohet me kujdes të veçantë, duke siguruar kontroll kombëtar, mbrojtje ligjore, dhe monitorim të vazhdueshëm, në mënyrë që paratë e huaja të mos kthehen në burim ndikimi të dëmshëm për shoqërinë apo shtetin.

“Përpunimi i të dhënave sensitive dhe media krijojnë rreziqe për ndikim politik, propagandë, apo rrjedhje informacioni. Fushëveprimi i shqyrtimit të investimeve të huaja në këto sektorë sensitivë është prioritar për shkak të shtrirjes së ndikimit në shoqëri dhe pasojave politike dhe ekonomike që mund të krijojë”, vijon më tej relacioni.

Në nenin 3 të rregullores thuhet se investimet e huaja direkte kontrollohen në rast të një rritjeje të pjesëmarrjes në ndërmarrje në nivelet nga 20% deri 75% menjëherë. Kjo kategori do të merret në shqyrtim që do të thotë një procedurë që lejon vlerësimin, hetimin e deri tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Në nenin 4 të projekvendimit, thuhet se për të përcaktuar nëse një investim i huaj direkt, ndikon në sigurinë dhe rendin publik do të merret në konsideratë nëse ky investitor është i lidhur direkt ose tërthorazi me qeverinë e shtetit të tij, duke përfshirë organet shtetërore ose forcat e armatosura, të një vendi të tretë.

Nëse investitori i huaj ka qenë i përfshirë në aktivitete që ndikojnë në sigurinë ose rendin publik në një shtet anëtar të BE-së ose nëse ekziston një rrezik serioz që investitori i huaj të përfshihet në aktivitete të paligjshme ose kriminale. Investimet do të hetohen nga Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte, nëpërmjet njësisë përgjegjëse brenda Ministrisë së Ekonomisë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë