Dy kompanitë private si sigurisë, punonjësit e të cilave dhunuan protestuesit në Zvërnec të shtunën nuk do ta ushtrojnë më aktivitetin e tyre. Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se u ka hequr të dyja shoqërive licencat për shkelje të rënda.

“Rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF”, tha Hita.

Më konkretisht “Major Security”, rojet private të cilës tërhoqën vëmendje për shkak të maskave dhe përdorimit të sprajit piper, i është hequr licenca për shkak të dhunës së ushtruar nga punonjësi i saj i licencuar, apo ndryshe pronari në hije i saj, tashmë i arrestuar, Gerald Biba, i cili goditi me grusht një protestues.

Kompania “Major Security” rezulton e regjistruar në pronësi të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri. Ajo është themeluar në nëntor 2016 në Durrës, dhe nga ky muaj e deri në nëntor 2021, emri i Gerald Bibës figuron vetëm si administrator.

Pas veprimit arbitrar të Bibës që qëllon me grusht, 2 punonjës të tjerë të kompanisë, në hetim në gjendje të lirë, tërhoqën zvarrë protestuesin, për të krijuar një prej pamjeve më skandaloze ndonjëherë në raste protestash, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme trupore.

Hetimi i Policisë së Shtetit zbuloi se të dy këta punonjës që paraqiteshin si të “Major Security”, në fakt rezultuan të paregjistruar dhe të palicencuar nga vetë kompania.

Veprimet e paprecedenta të Gerald Bibës dhe 2 të tjerëve, i kushtuan shumë rëndë edhe kompanisë tjetër të ruajtjes fizike, “Myrto Security 1.3A”. Nga verifikimi paraprak rezultoi se kjo kompani nuk zbatoi rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objektin e rrethuar me tela me gjemba, dhe se nuk e administronte një listë emrash që lejoheshin brenda.

Ata lejuan hyrjen e 2 punonjësve që të kompanisë “Major” duke qenë të paregjistruar dhe pa licencuar. Po ashtu, rojet e kompanisë “Myrto Security”, nuk ndërhynë në asnjë moment kur protestuesi dhunohej nga Biba dhe tërhiqej zvarrë nga 2 persona të tjerë, që ishte në kantier të paligjshëm, përfshirë edhe hedhjen e gurëve ndaj protestuesve.

Drejtori i policisë Hita tha ndaj të dyja kompanive po zhvillohet paralelisht hetim administrativ dhe penal, ndërkohë që iu rikthye edhe një herë situatës në policinë e Vlorë, ku tashmë është komanduar Edvin Ndreu, pasi u njoftua përfundimisht shkarkimi i Elidon Çelës.

“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nevojë të nxjerrë mësimet e duhura”, tha Hita.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:19
Hita shkarkon drejtorin e Policisë së Vlorës: Dështoi në menaxhimin e protestës në Zvërnec! Komandohet Edvin Ndreu

Edvin Ndreu është komanduar sot në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, pas ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese dhe largimit të Elidon Çelës. Ky i fundit u shkarkua nga detyra pas ngjarjes të dhunshme në Zvërnec, ku gjatë protestave kundër ndërtimit të një resorti u regjistruan akte dhune dhe përdorim i lëndës spray ndaj protestuesve nga rojet private të kantierit.

"Ai do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave në Vlorë, në funksion të shërbimit të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit. Drejtori u shkarkua 2 ditë më parë për shkak të dështimit të menaxhimit të tubimit, por edhe për informacionin e pavërtetë për një qyet që u mor forcërisht dhe u godit nga rojet private të kompanisë së sigurisë” tha Skënder Hita duke prezantuar emërimin e Ndreut

Ndreu, i cili më herët mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, do të drejtojë përkohësisht Policinë e Vlorës deri në një vendimmarrje të mëtejshme.

Ora 11:52
‘Zvërneci’/ Kryepolici Hita në Vlorë, ndalesa e parë në prokurori

 

Kryepolici Skënder Hita vizitën në Vlorë e ka nisur këtë të hënë në Prokurori. Hita po zhvillon në prokurori një takim me përfaqësues të saj.

Mendohet se arsyeja e vizitës së Hitës në Prokurorinë e Vlorës lidhet me ngjarjet zinxhir të zhvilluara ditët e fundit në zonën e Dalanit në Zvërnec. Pas prokurorisë, ai ka zhvilluar takime edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës, ku vendosi pezulimin e drejtorit dhe hetimin e gjithë zinxhirit.

Ora 10:14
Dhunoi e tërhoqi zvarrë protestuesin në Zvërnec, Gerald Biba pronari në hije i ‘Major Security’! Kompaninë e ka regjistruar në emër të vjehrrës

1780215076_geraldbiba.jpg

Punonjësi privat i “Major Security” Gerald Biba është arrestuar nga policia pasi dhunoi e tërhoqi zvarrë, së bashku me 2 punonjës të tjerë (të cilët rezultuan të palicensuar), një protestues, i cili ngriti zërin kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Gerald Biba rezulton të jetë pronari në hije i “Major Security”, ndërsa kompania është e regjistruar në pronësi të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri. Kompania e sigurimit privat “Major Security” është themeluar në nëntor 2016 në Durrës. Nga ky muaj e deri në nëntor 2021, emri i Gerlad Bibës figuron vetëm si administrator.

“Major Security” i ka ofruar shërbime personazheve vip të shoëbizit shqiptar, përfshirë këtu edhe reperit Noizy.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 09:49
Dhunoi e tërhoqi zvarrë protestuesin në Zvërnec, Gjykata e Vlorës lë në burg Gerald Bibën

1780322285_vlor.JPG

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg punonjësin privat i “Major Security”, njëkohësisht pronari në hije i kësaj kompanie.

Seanca u drejtua nga gjyqtari Etien Isak, ndërsa prokurore e çështjes ishte Julinda Gjika. Pasi u dëgjuan palët dhe prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, gjykata vendosi të lërë në fuqi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar ndaj të ndaluarit masën “arrest në burg”.

Biba u arrestua nga policia pasi dhunoi e tërhoqi zvarrë, së bashku me 2 punonjës të tjerë (të cilët rezultuan të palicensuar), një protestues, i cili ngriti zërin kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, më 30 maj.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë