Të paktën 35 protestues kanë humbur jetën në Iran në protestat e dhunshme që po mbahen që prej më shumë se një jave në Teheran dhe në 40 qytete të tjera. Protestat janë nxitur nga vdekja e Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane 22-vjeçare e arrestuar nga policia e moralit më 13 shtator e akuzuar për shkelje të kodit konservator të veshjes së vendit. Protestat i kanë kaluar kufijtë, duke u shtrirë edhe në Francë e Suedi.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasmin, bëri të ditur se të paktën 1200 persona janë arrestuar gjatë demonstratave, ndërsa regjimi i akuzoi protestuesit për "trazira" dhe "vandalizëm" dhe i bëri thirrje policisë "të mbrojë sigurinë e kombit". Po ashtu, 17 gazetare janë vënë në pranga, sipas një raporti nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Protestuesit kërkojnë t'i jepet fund dhunës dhe diskriminimit ndaj grave, si dhe veshjes së detyrueshme të hixhabit.
Autoritetet iraniane thonë se do të kufizojnë aksesin në internet në vend derisa të rivendoset qetësia në rrugë. Ndërkohë, krahu elitar i ushtrisë iraniane që u krijua pas revolucionit të vendit në 1979, u ka kërkuar të gjithë njerëzve të identifikojnë protestuesit.
Të dielën, qindra mijëra iranianë mbajtën tubime pro-qeveritare në shumë qytete në Iran për të dënuar trazirat e fundit, njoftoi lajmi shtetëror IRNA.
“Njerëzit dolën në rrugë, për të treguar "unitetin dhe zemërimin e tyre ndaj ngjarjeve të fundit. aktet e sabotimit të kryera nga rebelët”, shtoi lajmi shtetëror.
Situata në Iran u përshkallëzuar natën e 13 shtatorit, ku 22-vjeçarja Mahsa Amini u arrestua dhe u dhunua për vdekje nga policia e moralit, me pretendimin se nuk e kishte vendosur mirë shaminë.
Autoritetet qeveritare e mohuan ngjarjen, edhe pse raporti mjeko-ligjor vërtetonte dyshimet e familjarëve për dhunën makabre që kishte pësuar 22-vjeçarja.