Gjykata e Kavajës ka vendosur ditën e sotme masën e sigurisë 60 ditë burg për autorin e ngjarjes së rëndë në një lokal të Kavajës, Rizan Aliu.

Aliu, 45 vjeç, u arrestua më 22 shtator në një banesë në zonën e plazhit në Durrës, pasi akuzohej për dhunimin barbar të fqinjit të tij Besnik Çelmeta më 17 shtator, ngjarje që u filmua nga kamerat e sigurisë së lokalit.

Report Tv transmetoi pamjet e konfliktit ku klientët, të cilët ndodheshin aty ndërhynë për të ndarë dy fqinjët, por kur panë thikën u tërhoqën. Aliu me vete kishte dhe vajzën e tij të vogël, e cila u bë dëshmitare e skenës brutale.

Konflikti mes tyre kishte nisur për hedhjen e mbeturinave, ndërsa agravoi deri në përdorimin e thikës dhe plagosjen e Çelmetës, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

60-vjeçari Çelmeta banonte në katin e parë të pallatit përbri vilës ku jetonte Rizan Aliu. Gjithçka nisi kur Çelmeta ankohej pse Aliu i hidhte plehrat në rrugë ç'ka i shkaktonte atij ndotje poshtë ballkonit në katin e parë.

Gjatë konfliktit, Rizan Aliu plagosi lehtë me thikë edhe nipin e tij Mariglen Aliu,  pronar i lokalit ku ndodhi sherri. Ai u godit kur po tentonte të shuante sherrin mes xhaxhit të tij dhe 60-vjeçarit.