Një formë e re e diabetit po ndeshet gjithmonë e më shumë, bëhet fjalë për diabetin e tipit 5. Kjo formë lidhet me kequshqyerjen dhe tashmë që prej vitit 2025 është njohur edhe zyrtarisht nga Federata Botërore e Diabetit. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, ka dhënë në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, disa detaje në lidhje me këtë formë të re, e cila edhe pse ka shenja të ngjashme me dy llojet e diabetit të tipit 1 dhe 2, ka dallime specifike.

Diabeti i tipit 5 është një sëmundje që zhvillohet gradualisht. Njihen dy lloj tipesh diabeti, diabeti i tipit 1 dhe diabeti i tipit 2, por mes këtyre ka qenë i heshtur edhe një lloj tjetër diabeti, që sot njihet si diabeti i tipit 5, i cili vjen si pasojë e mungesës së shumë lëndëve ushqyese. Në thelb ky diabet lidhet me kequshqyerjen kronike që nis që në shtatzëninë e nënës, shtohet në fëmijëri dhe shpërthen në adoleshencë. Pra, lëndët e ndërtimit në trup, nëse nuk janë formëzuar në shtatzëninë e nënës, sjellin këtë sëmundje. Në këtë lloj diabeti pankreasi nuk është zhvilluar.”, theksoi Joka.

Por cilat janë shenjat e diabetit të tipit 5?

Nutricionisti Joka shpjegoi se 0.5 përqind e njerëzve po vuajnë nga ky lloj diabeti: kanë urinim të shpeshtë, lodhje, dobësi, rënie peshe dhe rritje të sheqerit në gjak.

“Këto shenja që i përmenda më sipër janë edhe tek tipet e tjera të diabetit. Diabeti i tipit 5 ka disa elemente të veçanta: ka nën peshë, masë muskulore shumë të dobët, mungesë të lëndëve ushqyese, rritje të glicemisë dhe kur bëhen analizat e hekurit, ky i fundit del shumë i ulët. Në nivele të ulëta del edhe zinku, magnezi, vitamina D, B12, B9; gjithashtu edhe niveli i albuminave është i ulët. Analiza kyçe është S-peptidi; gjithashtu bëhen edhe disa analiza për antitrupat”, shpjegoi Joka.

Simptomat që një njeri ndjen kur është me këtë tip diabeti janë: tharje goje, fytyrë e zbehtë, pas ushqimit nuk ndihemi mirë, keni dobësi, nuk ju zhvillohen mirë muskujt dhe trupi është i dobët.

Nëse ushqehemi mire, mund ta parandalojmë

Këshilla e parë që nutricionisti Joka jep është ushqimi. Sipas tij, ushqimi nuk duhet të konsiderohet ngopje, por një edukim për të ardhmen. Në vitet e para të jetës merren bazat.

“Në Suedi ushqimi në shkolla dhe kopshte është shumë i rregulluar; fëmijët nuk kanë mbipeshë dhe nuk kanë probleme me sistemin imunitar. Në pjatë duhet të kemi 25 përqind proteina, yndyrna të shëndetshme dhe 20 përqind karbohidrate që vijnë nga patatja, orizi etj. Gabimi që bëhet në kopshtet në Shqipëri është se 70 përqind e pjatës janë karbohidrate, 10 përqind sheqerna dhe 20 përqind mbeten proteina”, tha Joka.

Nutricionisti sugjeroi edhe disa bimë që duhet të përdoren në formë çaji ose në ushqime, si kanella dhe moringa, që mund t’u jepen fëmijëve herë pas here.