Bashkimi Evropian ka konfirmuar takimin e radhës të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel. BE thotë se edhe kryeministri Albin Kurti edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

 “Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Ky diskutim vjen në një kohë kur debatet me Serbinë janë ende prezente madje më të forta se kurrë. Dy janë diskutimet kryefjalë për dialogun Kosovë-Serbi: Asociacioni dhe Propozimin franko-gjerman. Të dyja tematikat janë shoqëruar me një lumë diskutimesh brenda shteteve. Vetëm pak ditë më parë, dy kuvendet e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan tek secila seanca të jashtëzakonshme për dialogun mes vendeve. Viti që lamë pas madje u mbyll me tensione në veri të Kosovës ku për 20 ditë qëndruan barrikadat. Ende nuk dihet fokusi i diskutimit, pritet të publikohet ditët në vijim.