Policia e Dibrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale ditën e sotme, duke vënë në pranga një 20-vjeçar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Inteligjenca” shërbimet operacionale dhe patrullat e Përgjithshme kanë ndaluar automjetin dyshuar tip "Benz", me targa të huaja që drejtohej nga 20-vjeçari me inicialet L.D., banues në fshatin Brezhdan, Dibër.
Sipas policisë, i riu qarkullonte me automjet me targa të huaja dhe shasi të dëmtuar, i armatosur me armë zjarri me kallashnikov, i pajisur me doreza dhe një bidon 20 litra me benzinë.
‘Gjatë kontrollit brenda në automjet, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov me krëhër e municion luftarak, dhe një bidon me lëndë djegëse benzinë dhe një palë doreza’, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.