Mijëra njerëz dolën të martën mbrëma në rrugët e Beogradit në një protestë kundër korrupsionit dhe veprimeve të qeverisë, e cila akuzohet se po godet universiteteve, nga ku kanë nisur edhe revoltat popullore kundër presidentit Aleksandër Vucic.
Në Ditën Kombëtare të Arsimit, protestuesit u mblodhën para selisë së Universitetit të Beogradit dhe protestuan në paqe nën sloganin “Dija është fuqi”.
Ata dolën në mbështetje të dhjetëra profesorëve dhe mësuesve që kanë humbur vendet e punës, pasi morën pjesë në demonstratat kundër qeverisë.
“Asnjë qeveri në historinë tonë nuk e ka trajtuar komunitetin akademik me kaq arrogancë, hakmarrje dhe ligësi, vetëm pse nuk pranoi të heshtë,” i tha turmës Vladan Gjokiç, rektori i Universitetit të Beogradit
Protestat udhëhiqen kryesisht nga studentët dhe janë transformuar në lëvizjen më të madhe dhe më të qëndrueshme anti-regjim në Serbi prej vitesh duke vënë nën presion pushtetin e presidentit Aleksandar Vucic.
Tubimi në Beograd u mbajt pak ditë pas atij në Novi Sad ku policia special nxorri me forcë studentët protestues nga godina e fakultetit.
Gjokiç foli edhe për presion financiar dhe ligjor ndaj universiteteve, si dhe për sulme të shpeshta verbale ndaj profesorëve dhe studentëve protestues, që nga zyrtarë dhe media pranë qeverisë janë quajtur “terroristë”.
Ai u bëri thirrje kolegëve të tij “t’i rezistojnë presionit dhe të ruajnë dinjitetin e profesionit me shembull personal”.
Më herët gjatë ditës, disa fakultete në Beograd pezulluan mësimin si shenjë proteste.
Protestat nisën pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Shumë qytetarë fajësuan korrupsionin dhe shpërfilljen e rregullave të sigurisë gjatë rikonstruksionit të godinës. Studentët nxitën protestat duke bërë përgjegjëse qeverinë e Vuçiçit për neglizhencë dhe korrupsion. Qeveria reagoi ndaj bllokimit të universitetit, bllokimit të rrugëve dhe demonstratave masive duke përdorur dhunën, kryer arrestime arbitrare dhe shkarkuarnga puna pedagogët që simpatizonin protestuesit.
Serbia është përballur me kritika ndërkombëtare për përdorim të tepruar force dhe ndalime arbitrare të protestuesve. Ndërsa Vuçiç kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Europian, në të njëjtën kohë forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën.
Komente







