E ndërtuar rreth 40 vite më parë, Ura e Mujallisë, rreth 800 metra e gjatë, ka shërbyer si i vetmi mjet komunikimi për banorët në dy anët e lumit Seman.

Prej kohësh banorët që përdorin këtë vepër infrastrukture, sot drejt daljes jashtë funksionit, kërkojnë rikonstruksionin, por askush nuk ka bërë përpjekjen më të vogël për ruajtjen e saj.

E konsideruar si një nyje lidhëse e rëndësishme në zonën e Libofshës, Ura e Mujallisë kishte funksion unik, pasi shërbente jo vetëm për lëvizjen e mjeteve, por edhe për vaditje.

“Fillimisht është kanal vaditës. Për të kaluar njerëzit lart, e mbuluan. Në ’90, çdo gjë u shkatërrua dhe kjo urë rrezikon të shembet.”

“Në një vend është shumë delikate”, shprehen banorët.

Teksa e konsiderojnë jetike, ata tashmë jetojnë me frikën nga rreziku qe mund të shkaktohet nga amortizimi i rëndë.

“E frikshme është si lartësi, barriera mbrojtëse nuk ka. Është shumë e rrezikshme, është e amortizuar”, thotë një banor.

Mungesa e rikonstruksionit rrezikon të zhbëjë nga dita në ditë funksionalitetin e urës së Mujallisë, e cila po ashtu konsiderohet si simbol i zonës.