Dinamo fitoi të mërkurën 3-2 kundër Egnatias në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke siguruar trofeun e dytë radhazi në këtë kompeticion dhe të 15-in në histori.
Kjo ndeshje ishte e veçantë edhe për trajnerin e 'Nëndetëses', Ilir Daja. Ky i fundit bëhet trajneri më i suksesshëm në Shqipëri me 13 trofe të fituar në karrierë, duke lënë pas një emër si Mirel Josa me 12 trofe.
Trofeun e parë Daja e ka fituar me KF Elbasanin, titullin kampion në sezonin 2005-06. Më tej, 59-vjeçari ka fituar 2 trofe me Skënderbeun, 4 me Dinamon dhe 6 të tjera me skuadrën e Ballkanit në Kosovë.
Pas ndeshjes ai u shpreh i lumtur, duke treguar pikat e forta dhe dedikimin për Kupën.
"Suksesi - E kam thënë gjithmonë, po bëj pak furçe tani meqë nuk i kam pasur marrëdhëniet aq të mira me presidentin, i takon atij për investimet që ka bërë. U takon lojtarëve, sepse kanë mbajtur një volum shumë të madh, po me shumë kontingjent të limituar. Gjithmonë 7-8 lojtarë kanë mbajtur peshën kryesore se një grup vinte e një ikte.
Na vjen mirë që Dinamo kthehet prapë në sezonin e dytë edhe në Final Four, edhe në fitimin e trofeut. Personalisht, jam i kënaqur.
Dedikim? Sot nipi im bëri 11 muaj, po ia dedikoj atij këtë Kupë. Ta bëj futbollist? Nuk e di, besoj që jo.
Trajneri me më shumë trofe? Është një punë që ka shumë vite, nuk po i tregoj vitet se pastaj do duket se jam edhe më i madh. Janë shumë vite investim qoftë në sport, ashtu edhe në pozicionin e trajnerit, mendoj se kanë qenë vite sakrifice e përkushtimi, se pjesa më e madh e jetës, përveç familjes ka qenë futbolli.
Kur kthej kokën mbrapa dhe listoj trofetë e fituar dhe karrierën që kam bërë deri në Europë, qoftë me grupet e Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës, është një punë e kthyer mbrapsht në pjesën e sodisfaksionit. Se është në fund fare kënaqësi në një periudhë 15-vjeçare, se gjysmën e karrierës e kam kaluar me grupmosha e akademinë private që kam pasur për një periudhë kohe", tha Daja.
Dinamo 'eksperte' e ndeshjeve teke
Tre finale të luajtura brenda një viti kundër Egnatias, 8 gola të shënuar dhe 3 trofe të fituar. Dinamo e trajnerit Ilir Daja është një eksperte e ndeshjeve teke.
Në majin e vitit të kaluar 'Blutë' e kryeqytetit triumfonin në 'Elbasan Arena' pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesat kishin përfunduar me rezultatin 2-2. Dy golat u shënuan nga Itodo Mandela, ndërsa portieri Teqja ishte vendimtar te penalltitë e pritura kundër Egnatias.
Në dhjetor të vitit të kaluar Dinamo fitonte 3-1 ndaj Egnatias në 'Air Albania' dhe ngrinte lart trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Bregu, Nani dhe Qefalia përmbysnin rrogozhinasit pas një ndeshjeje spektakolare nga ana e kryeqytetasve.
Dhe tashmë një tjetër finale e fituar, ajo e Kupës së Shqipërisë, po ndaj Egnatias, po në 'Air Albania'. Edhe këtë herë Dinamo shënoi 3 gola, me autorë Malomo, Bregu dhe Mustapha.
Komente










