Një ligj tërësisht i ri për shërbimin diplomatik shqiptar po diskutohet në Komisionet parlamentare, pritet të prekë punën e trupës sonë të shërbimit të jashtëm.

Edhe pse dokumenti synon zyrtarisht rregullimin e karrierës diplomatike, pika 3 e nenit 68, parashikon që të gjithë punonjësit aktualë të Shërbimit të Jashtëm "duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre".

Ky proces duhet të përfundojë brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, gjë që për opozitën sjell pasiguri për diplomatët.

“Të gjithë diplomatët sot kanë marrë mesazhin e pasigurisë për vendin e tyre pavarësisht viteve që kanë. Testimi mund t'ua vërë në pikëpyetje karrierën në atë moment. Vetting për të tërë”, tha Oerd Bylykbashi, Deputet i PD.

“Duhet t'i nënshtrohen një procedure transparente konkurruse dhe objektive rivlerësimi profesional. Jo vetëm duhet, po është një domosdoshmëri”, iu përgjigj ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali.

“Boshllëku që do të krijojë në shërbimin diplomatik, në shërbimin e jashtëm... me çfarë do t'i mbushni?”, pyeti Bylykbashi.

“Të jeni të sigurt qëllimi nuk është që diplomatët tanë të dalin jashtë sistemit, po t'u jepet një mundësi”, theksoi ministrja.

"Sa hap kjo rrugën të atyre të cilët nuk janë nga shërbimi i karrierës, të fusim në një kontroll edhe më politik të vetmin ishull që po reziston më vështirësi nga ndikimi politik?”, pyeti Bylykbashi.

“Sot ka individë me 15 vite punë në organizata ndërkombëtare e nuk hyn dot në shërbimin diplomatik shqiptar, sepse është nipi i këtij apo është kunata e atij. Mund të jenë edhe familjarë, kalojnë testimin, janë të kualifikuar, s'kanë asnjë lidhje me nepotizmin apo arsye të tjera politike”, vijoi Spiropali.

Testimi i aftësive të diplomatëve aktualë dhe trajnimi i të rinjve do të bëhet nga Akademia Diplomatike.

Akademia e cila pritet të ngrihet me ligjin e ri, shndërrohet në një qendër të zhvillimit të karrierës, dhe merr kompetenca për organizimin e programeve të kualifikimit dhe testimeve të detyrueshme periodike për të gjithë diplomatët; trajnimin e dedikuar të krerëve të misioneve përpara marrjes së mandatit dhe ofrimin e kurseve me pagesë për palët e treta.

Për herë të parë parashikohet edhe figura e koordinatorëve pranë institucioneve të tjera (Kuvend, President, Kryeministri), të cilët do të emërohen nga radhët e diplomatëve të karrierës për një afat 2-vjeçar.