Ndërsa më 23 maj pritet të zhvillohet gara për kreun e ri të demokratëve, anëtarja e Partisë Demokratike Alesia Balliu është vënë në lëvizje për të penguar kandidimin e Sali Berishës. Balliu i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryesisë së PD-së dhe Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD, të cilëve u kërkon që të konstatojnë përfundimin e mandatit të Sali Berishës si kryetar të partisë.
Kërkesën e saj, Balliu e bazon në nenin 46 të Statutit të PD-së, (i njohur edhe si neni 'Basha'), i cili sanksionon se kryetari largohet nëse humb zgjedhjet parlamentare. Por, ndonëse ku nen u vendos nga vetë Berisha pas luftës me Lulzim Bashën për partinë, ai refuzoi ta zbatojë pas disfatës së thellë të 11 majit me argumentin se zgjedhjet ishin farsë elektorale.
Pikërisht nga fakti që Berisha nuk e zbatoi statutin, Balliu i kërkon Kryesisë së PD-së të ndërhyjë, duke thënë në kërkesë se mandati i Berishës ka mbaruar që me datë 4 shtator 2025 dhe që prej asaj dite ai nuk mund t’i ushtojë më funksionet e kryetarit.
“Në nenin 46 pika 8 e Statutit përcaktohet se: Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.
Siç përcakton qartë kjo dispozitë mandati i kryetarit ka mbaruar që në datën 04.09.2025 dhe që prej asaj datë shtetasi Sali Ram Berisha nuk mund të ushtojë më funksionet e kryetarit të PDSH-së pasi një veprim i tillë bien ndesh me një dispozitë urdhëruese të Statutit.
Në zbatim të nenit 48 të Statutit është detyra e Kryesisë së PDSH-së që në mungesë të vullnetit institucional të uzurpuesit të pozicionit të kryetarit të PDSH-së të ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për të vendosur në vend legjitimitetin e organeve drejtuese të PDSH-së”, thuhet në kërkesë.
Duke iu referuar statutit të Partisë Demokratike, Balliu kërkon jo vetëm konstatimin e përfundimit të mandatit të Berishës, por edhe ndalimin e kandidimit të Berishës për postin e kryetarit në zgjedhjet e 23 majit 2026. Po ashtu, referuar statutit Balliu i kërkon Kryesisë komandimin e sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka në detyrën e kryetarit deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.
“Sekretari i Përgjithshëm do të duhet të ngarkohet me kryerjen e detyrave të Kryetarit të PDSH-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri dhe nga ana e Kryesisë do të duhet të ndërmerren të gjitha hapat procedural për të zbatuar përcaktimet e këtij statuti i cili është në fuqi pas një beteje të gjatë gjyqësore dhe se parimet e vendosura në të triumfuan si parimet me demokratike në jetën politike të Republikës së Shqipërisë.
shtetasi Sali Ram Berisha ka pengesë statutore për të kandiduar pasi ai rezulton që ka qënë kryetar i PDSH-së kur janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 11.05.2025 rezultati i të cilave është certifikuar me anë të Vendimit me Nr. 34 të Komisionit Rregullator dhe të Vendimit Nr.30 datë 04.09.2025 të Kolegjit Zgjedhor dhe njohur dhe respektuar me veprime konkludentë nga ana e PDSH-së”, thuhet në kërkesën e Balliut.
Balliu ka shprehur publikisht ambicien për të garuar në zgjedhjet e 23 majit për kreun e PD, por njëjtë si për Salianjin, Partia Demokratike deklaruar se ata nuk mund të bëhen pjesë e garës pasi nuk janë anëtarë të partisë, me argumentin se i kanë përjashtuar.

Kliko këtu për të lexuar kërkesën e plotë
Komente











