Xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi ka siguruar medaljen e artë në Kampionatin Evropian i cili po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku garojnë 400 xhudistë nga 46 vende të ndryshme. Në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë, 30-vjeçarja mposhti francezen Amandine Buchard për të siguruar medaljen e tretë të artë radhazi në një Evropian dhe të katërtën në karrierë. Kosova fiton për vitin e 14-të radhazi të paktën një medalje në kampionatet kontinentale.
Distria garoi në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi. Ajo nisi me fitore ndaj çekes, Tereza Bodnarova. Ndaj saj fitoi me uazari, teksa dominoi gjithë garën. Në përballjen e dytë, përkatësisht në çerekfinale, e kontrolloi luftimin me lëvizje taktike ndaj polakes Aleksandra Kaleta. Edhe ndaj saj fitoi me uazari.
Në gjysmëfinale Distria kishte përballë italianen e njohur, Odette Giuffrida. Ashtu siç pritej, përballja ishte e fortë dhe thuajse e barabartë. Dueli shkoi në kohën shtesë, kurse Distria fitoi më “Yuko”. Kjo ishte hera e 13-të që Distria Krasniqi përballej me Giuffridan në karrierë. Xhudistja e Kosovës tani ka nëntë fitore dhe katër humbje kundër saj, duke fituar në gjashtë përballjet e fundit.
Xhudistja pejanë ka një ecuri të pabesueshme. Ajo ka fituar medalje në 16 gara rresht. Gjatë karrierës së mahnitshme ka fituar edhe medalje të artë dhe medalje të argjendtë olimpike.
Të enjten garuan edhe Fatjona Kasapi dhe Erza Muminovic. Fatjona fitoi një garë dhe u ndal në të dytën në kategorinë deri 52 kilogramë. Ndërkohë Erza u ndal në xhiron e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Të premten garojnë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena. Shpresat janë për fitore të medaljeve të tjera.
Komente








