TIRANE - Në “Ditën botërore të Refugjatëve”, në një ceremoni të posaçme të organizuar në Qendrën e Pritjes së Refugjatëve, në Babrru, zëvendësministrja e Brendshme Elona Gjebrea shprehu angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për ngritjen e kapaciteteve në ndihmë kësaj kategorie personash.

Gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë Clive Rumbold, zëvendësambasadori amerikan në Tiranë Henry V. Jardine, si dhe të ftuar të tjerë, Gjebrea nënvizoi se po punohet intesivisht për të përgatitur kartat e identitetit dhe dokumente udhëtimi të azilantit.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ngritjen e kapaciteteve për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie personash që parashikohet të jetë në rritje. Jemi duke punuar intesivisht për të përgatitur kartat e identitetit dhe dokumente udhëtimi të azilantit, që të kenë mundësi të jetojnë sa më denjësisht në Shqipëri. Kjo është një mënyrë e mirë për të shkëmbyer mes njëri-tjetrit zakonet, traditat, kulturat, duke pasur një mundësi për të jetuar në paqe dhe në harmoni këtu, në Shqipëri”, theksoi Zv/ministrja Gjebrea. 

Në mjediset e Qendrës së Pritjes së Refugjatëve u zhvillua, gjithashtu, edhe një koncert festiv për refugjatët që ndodheshin në të.

Në vite, Shqipëria në bashkëpunim me organizata të huaja ka ofruar asistencë dhe ndihmë për azilantët dhe azilkërkuesit e ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Aktualisht në Shqipëri janë rreth 350 azilantë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)