Me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama është zhvilluar në Tiranë dita e 60 e protestës para Kryeministrisë.

Aktori Mehdi Malkaj deklaroi se për të Edi Rama është tashmë një ish-kryeministër, duke e akuzuar se ka dëmtuar vendin dhe qytetarët.

"Nuk bëhet kontratë me gjarpërinjtë dhe hardhucat. Jemi në një kohë të vështirë, por heroike. Unë nuk jam njeriu më i mençur, por e dua Shqipërinë. Këtu nuk mungon asgjë, i kemi të gjitha, por nuk jemi ne mirë. Ky nuk është kryeministër, është ish-kryeministër për mua, e hoqëm me shkelma sepse vodhi edhe jetën e foshnjave ende pa lindur. Nuk ka lënë gjë pa vrarë. Na duhet ky grushti i madh i Migjenit. Unë mbaj përgjegjësi vetëm për veten time. Artistët, kur është puna për ballo me Ramën, i ke atje", u shpreh Malkaj.

Nga protesta foli edhe aktivisti Mirjan Aliaj, i cili i bëri thirrje Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të arrestojë kryeministrin Rama.

"Për fatin e keq të kryeministrit, jemi më shumë se dje. Ky është fundi i Edi Ramës. Po ju tregoj një hulumtim të mediave të huaja mbi lejet që ka firmosur Edi Rama. Kjo është thirrje për SPAK-un. Kjo është provë ulëritëse dhe mjafton që të arrestohet Rama. Hulumtimi flet për atë se kush e shiti bregdetin e Shqipërisë dhe për aferat gjigante të kësaj qeverie. Shpresoj që sekuestrimi i disa dokumenteve nga SPAK të lidhet me këtë hulumtim. Nëse jo, i bëj thirrje Prokurorisë të veprojë. Ne nuk kemi shkuar me pushim dhe as SPAK nuk duhet të shkojë, sepse atdheu është në rrezik. Anuloni ligjin për zonat e mbrojtura. Përveç anulimit të tij, SPAK duhet të arrestojë Ramën", deklaroi Aliaj.

Aktivistja Albina Ruko tha se protesta ka rikthyer shpresën te qytetarët dhe njëkohësisht ka krijuar frikë te pushteti.

"Na u deshën më pak se 60 ditë që t'i ngjallim shpresën këtij populli dhe më pak se 60 ditë që t'i kallim datën çdo patronazhisti, çdo spiuni, çdo kryeministri dhe presidentit. Shpresa jonë kishte vdekur që kur ishim fëmijë, kur prindërit ikën në emigrim dhe u kthyen me thinja ose nuk u kthyen kurrë. Na vranë shpresën dhe fëmijërinë, sepse në vend të lodrave na dhanë punën, na lanë të vdisnim në landfille e në miniera kromi. Na thanë se shpresa do të vinte kur të diplomoheshim dhe të na hapej dera e Bashkimit Europian, por e vetmja derë që na u hap ishte ajo e aeroportit dhe e gomoneve. U deshën 60 ditë që të rikthehej shpresa dhe buzëqeshja", u shpreh ajo.