Me rastin e Ditës së Evropës, Bashkia e Tiranës dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian organizuan një ekspozitë me pikturat e realizuara nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Viktor Hygo”, të cilët kanë shprehur përmes ngjyrave se çfarë është Evropa për ta. Nga sheshi pranë bashkisë, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ambasadori Luigi Soreca vizituan këndin e veçantë, ku janë vendosur punimet e bukura të nxënësve.
“Kjo është festa më e pazakontë në histori për Ditës së Evropës. Zakonisht, me ambasadorin kemi përgatitur organizime të mëdha, forume, koncerte, por kësaj here është ndryshe. Unë besoj se Evropa është bashkim vendesh dhe kombesh, por është edhe bashkim kreativiteti. Evropa është gjithashtu një bashkim politik, ekonomik, financiar, por edhe një bashkim i artit, i pikturës, i kulturës, i teatrit, dhe të gjithë atyre fijeve të përbashkëta që na bashkojnë”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se përmes kësaj ekspozite, e cila është një udhëtim tek ëndrrat dhe fantazitë e fëmijëve, është treguesi më i qartë se destinacioni i gjeneratës së re të shqiptarëve është pikërisht Evropa. “Ajo që na pëlqeu është se për gjeneratën e re të shqiptarëve, destinacioni është i qartë. Jemi të gjithë pro evropianë! Për sa kohë që fryma e gjeneratës së re është pro evropiane, pro bashkëpunimit, pro solidaritetit, ky është një lajm fantastik për Tiranën. Mezi pres që të bëjmë akoma më shumë aktivitete me ambasadorin, që vitin tjetër të kompensojmë edhe eventet që kishim planifikuar për këtë vit”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se eksperienca e tërmetit dhe COVID-19 tregoi se Shqipëria po trajtohet si anëtare e familjes së madhe evropiane. “Kuptuam se u trajtuam si pjesë e familjes, jo si një fqinj i largët. Kur një anëtar i familjes ka nevojë, sigurisht që mbështetet nga e gjithë familja. Mbështetja për tërmetin dhe emergjencat, me mjete, pajisje, qoftë edhe me ndihmën për shëndetësinë, na bëri të ndihemi realisht pjesë e një familje. Të gjithë për një, e një për të gjithë”, tha Veliaj.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadori Luigi Soreca tha se solidariteti është fjala e duhur në këtë javë. “Jam i lumtur që arritëm të organizonim këtë “Javë të Evropës”, pavarësisht izolimit, dhe jam shumë i kënaqur për faktin që ndodhem këtu , duke u bërë bashkëpjesëmarrës në këtë rrugëtim të Shqipërisë drejt BE-së. Tani fillon një fazë e re dhe jemi këtu për të ndihmuar Shqipërinë, që të hyjë në “puzzle”-in e në një prej vizatimeve që pamë pak më parë”, shtoi ai.
Lajmi kryesor: