Dita e parë e shkollës, sa kushton
10 mijë lekë për “luksin” e të vegjëlve

Dita e parë e shkollës, sa kushton<br />10 mijë lekë për “luksin” e të vegjëlve
TIRANE - Në varësi të klasës ku i kanë fëmijët prindërit shqiptarë harxhojnë nga 8 mijë deri në 15 mijë lekë për ditën e parë të shkollës. Dhe këtu kemi parasysh blerjen e produkteve me çmimet më të lira të tregut.

“Luksi” i të vegjëlve në ditën e parë të shkollës, rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e nj familje shqiptare. Kjo pasi, në çantën e tyre nuk ka më vetëm libra, por edhe shumë mjete të tjera ndihmëse, të cilat fëmijët e sotëm i duan patjetër.

ÇANTAT E “LUKSIT”

Është kthyer në aksesorin më të rëndësishëm të të vegjëlve në ditën e parë të shkollës. Sigurisht çanta zgjidhet në mënyrë të tillë, që të mund ta përdori së paku për dy apo tri vitet e ardhshme. Por vajzat dhe djemtë kanë modën e tyre edhe për këtë aksesor, që nuk e ngatërrojnë kurrë. Për vajzat dominojnë ngjyrat rozë dhe sigurisht me personazhet më të njohura për ta, dhe për djemtë janë blu apo të zeza. Çmimet janë të kripura.

Ata të thjeshtat mund t’i gjesh me një çmim minimal prej 1.500 lekësh të reja, ndërsa ata më cilësoret mund të shkojnë deri në 4.000 lekë. Sigurisht po flasim për çmimet e tregut dhe të supermarketeve, pasi në dyqane çmimet e tyre janë disa herë më të larta. Të shtrenjtat janë kryesisht me rrota, që mund të tërhiqen si valixhe dhe nuk mungon asnjëherë anash tyre një xhep ku të vegjlit tashmë mbajnë një minitermus me ujë që e kanë gjithmonë me vete, i cili kushton mesatarisht 350 lekë të reja.

PËRPARËSJA E ZEZË

Një tjetër aksesor shumë i rëndësishëm, sidomos për të vegjlit e klasës së parë, është përparësja e zezë. Sigurisht ajo ka pësuar disa ndryshime, dhe nuk është më aq serioze sa dikur, por këto modifikime kanë edhe një kosto ekstra. Nëse kërkon në treg një përparëse të zezë mund ta gjesh nga 1.000 lekë të reja e deri në 2.500 lekë të reja, kjo në varësi të cilësisë së qepjes.

Jaka e bardhë e përparëses shitet më vete dhe për atë duhet të paguash rreth 250 lekë të reja, kur është e thjeshtë, ndërsa ata që janë me punime tantele, shkojnë deri në 700 lekë të reja. Por tashmë përparësja e zezë, nuk është më edhe aq e zezë. Sipër saj, vajzat veshin një minipërparëse të bardhë, që i jep një tjetër imazh përparëses klasike të zezë. Por edhe ajo kushton rreth 1200 lekë. Pra vetëm për përparësen, nëse marrim çmimin më të lirë një familje duhet të shpenzojë mesatarisht 2500 lekë të reja.

MJETET NDIHMËSE

“Thesari” i vërtetë qëndron në aksesorët që mbushin çantën e të vegjëlve. Kështu përveç Abetares dhe Matematikës, që sigurisht nuk mungojnë, në çantën e të vegjëlve, do të gjesh patjetër edhe fletoret e punës për këto dy libra. Në të nuk mungojnë as një fletore shkrimi dhe një tjetër matematike. Por këto janë vetëm gjërat bazë, pasi “luksi” i vërtetë duket kur fëmijët fillojnë e nxjerrin nga çanta e tyre mjetet ndihmëse.

Le ta nisin me portofolin që mban lapsat. Ai më i thjeshti kushton 200 lekë të reja, por në varësi të madhësisë dhe cilësisë, kushton edhe 500 lekë të reja. Ka edhe nga ata që kushtojnë 1.500 lekë të reja dhe kanë brenda një set lapsash, gomë dhe prefëse lapsash. Të vegjlit kanë patjetër, në portofolin e tyre të mjeteve, edhe gomën, një evidentues që shënon poshtë fjalët më të rëndësishme, plastelinë me të cilën ata të punojnë gjatë orëve të lira, fletore vizatimi, etiketa që i vendosin mbi libra dhe fletore, lapustila, lapsa me ngjyra, korrektor për të korrigjuar germën apo fjalën që shkruajnë gabim, e shumë e shumë gjëra të tjera.

Në total, klasa e parë, duhet të harxhojë rreth 6700 lekë të reja, nëse i shtojmë mjeteve të çantës edhe çmimin prej 1075 lekësh që u kushtojnë librat, shkon diku tek 8 mijë lekë të reja. Sigurisht bëhet fjalë për çmimet më minimale, pasi mesatare e kalojnë 10 mijë lekëshin. Duke mos harruar edhe buqetën me lule për ditën e parë të shkollës, ndërsa shpenzimet për në 9-vjeçare dhe në gjimnaz rriten, pasi shtohet numri i mjeteve që përdorin apo edhe librave apo fletoreve të punës, librave të ushtrimeve, librave të testeve që nxënësit tashmë i blejnë të gatshëm. Shifra që shkojnë deri në 20 mijë lekë shpenzime për çdo fëmijë.
 
KLASA I
Një fëmijë që futet në klasën e parë i kushton minimalisht buxhetit të familjes rreth 8 mijë lekë të reja, për të siguruar mjetet më bazë
 
KLASA IX
Një nxënës i klasës së nëntë, i kushton një familje, dita e parë e shkollës, rreth 15 mijë lekë të reja, pasi shtohen edhe librat ndihmës që blejnë
 
KLASA XII
Një maturant i vitit të fundit, i kushton familjes, rreth 17 mijë lekë të reja, pasi shumë shtrenjtë blejnë librat që i përgatisin për maturën shtetërore
 
ÇFARË BLIHET PËR DITËN E PARË TË SHKOLLËS
 
Përparëse e zezë             2500 lekë
Çantë                              1500 lekë
Termus për ujin                300 lekë
Portofol i thjeshtë             200 lekë/copa
Portofol me set                500 lekë/copa  
Set vizoresh                    100 lekë/copa
Evidentues                      80 lekë/copa
Fletore                            20-90 lekë/copë
Fletore vizatimi                50-260 lekë/copë
Etiketa me personazhe     20-80 lekë/copë
Lapustila                         70 lekë/copë
Plastelinë                        200 lekë/copë
Paletë me bojëra             320 lekë/copë
Set vizoresh                    80 lekë/copë
Ngjitës                            30 lekë/copë
Gomë                             15 lekë/copë
Korrektorë                       200 lekë/copë
Kompas                          80 lekë/copë
Lapsa                             50 lekë/copa
Raporter                         40 lekë/cope
Totali                              6700 lekë

Mjete Shkollore
(Në foto: Mjetet që duhet të blerë familja për nxënësit t klasës së parë

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Akti Normativ/ Qeveria miraton pagesat për orët shtesë të punonjësve të policisë dhe kompensimin financiar ushqimor

Akti Normativ/ Qeveria miraton pagesat për orët shtesë të punonjësve të policisë dhe kompensimin financiar ushqimor