Dita e Verës, historia dhe traditat e një feste të lashtë

Dita e Verës, historia dhe traditat e një feste të lashtë

Dita e Verës në qytetin e Elbasanit

 “Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë.Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira.Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.

Kështu e përshkruante mbi 100 vjet më parë Faik Konica Ditën e Verës, këtë festë të lashtë që shënon ardhjen e pranverës dhe nderon natyrën e bimësine e bukur shqiptare.

Historianët besojnë se kjo festë është kremtuar nga shqiptarët që në antikitet, pra para lindjes së krishterimit. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët (aq sa disa autorë e kanë quajtur "festë arbëreshe"), është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët.

Prof. Mark Tirta, studiuesi i shquar i etnografisë, tregon se përgjithësisht Dita e Verës ka të bëjë me ringjalljen, me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin që jep shpirt.Në këtë kontekst, shpjegon ai, ritet e kësaj natyre janë të dokumentuara të paktën prej tre mijë vjetësh.Sidoqoftë, Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit.Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit sipas kalendarit Julian. Siç dihet, në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës.Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit, ku edhe pas shume shekujsh duket se traditat jane ruajtur brez pas brezi.

Qysh në fëmijërinë time idhim mësuar me zakonat dhe traditat e prindërve tanë, një festë pagane që ka zanafillën përpara Krishtërimit, traditat janë ruajtur brez pas brezi. Evoluimi ka ndodhur sa i përket aktiviteteve artistike. Fëmijët e vegjël marrin hisen që përgatisin nënat tona dhe bëjnë vizita, bajnë kamë.

Blerim Narazani, dirigjent

Dita e verës nuk mund të koneptohet pa Elbasanin sepse është festë e cila ka lindur këtu. E vetmja gjë që i kanë marrë Elbasanit është shëtitja, kurse nuk ka lidhje me pjesën tjetër se si festohej dikur dhe vazhdon sot nga familjet e vjetra elbasanase.Festë madhëshore njësoj si Viti i Ri.

Kreshnik Belegu, Drejtor i muzeut etnografik Elbasan

Gazetarja Erjona Rusi dhe Drejtori i Muzeut Etnografik të Elbasanit Kreshnik Belegu

Sipas studiuesve, zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. Ky element permendet edhe nga Hyjni Ceka, studiuesi elbasanas që ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj, në librin e tij “Dita e Verës”, Monografi, ku shkruan se kjo festë i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, në këto anë ndodhej faltorja e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Djana Kandaviensis).

Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Sot ka ndryshuar shumë kurse përpara ne mezi prisnim që të vinte dita e verës, një natë përpara mezi prisnim, dilnim jashtë..nana na përgatiste një çantë me arra, me vezë të zime, me fiq, ballokume dhe revani, dilnim të Rrapi i Mansit, çdo familje kishte batanije, uleshim. Sot ka ndryshuar shumë, këto pikniqesh nuk bahen më. Na çonin me ba kamë tek të afërmit, por sot nuk është kjo traditë, mund ta bëjë ndonjë në të rrallë. Tani bëhët xhiro në bulevard, bahen ato ballokumet që nuk hyjnë në punë, gruaja ime ja ka marrë dorën nga nana siç baheshin përpara.

Mehdi Zena, këngëtar

Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të Majës së Hekurave etj. Kjo, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri.

Rrapi i Mansit, që shumë nga brezi i vjetër e kujtojnë si një prej pikave kryesore ku festohej Dita e Verës, përmendet edhe nga studiuesi Ceka, i cili shpjegon se te Mansi i sotëm kemi Manthion antik, stacionin e famshëm të Egnatias, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë që vinin në Skampin antik, Elbasani i sotem për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj. “Dita e Verës e Elbasanit, vijon në shkrimin e tij Ceka,çuditërisht sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire. pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm. Kandavët, të cilët kishin Dianën si perëndeshën e tyre, ishin banorët e lashtë të krahinës ilire të Kandavisë, në territorin e së cilës ndodhet sot krahina e Çermenikës në rrethin e Librazhdit. Por pse kur themi Dita e Verës mendja menjehërëna shkon tek Elbasani? Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë.Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit.Elbasani, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës megjithese shume pak mund te thone sot se pse ky qytet eshte kaq i lidhur me kete feste.

Unë kam një variant timin që pak herë e kam thënë, shumë njerëz e trajtojnë festën e ditës së verës si festë pagane, por paganizmi i kësaj dite është ardhja e ekuinoksit të pranverës, edhe pse kam 40 vjet që punoj këtu, nuk i kam dhënë përgjigje pyetjes se pse Elbasani e feston me kaq madhështi këtë festë.

Kreshnik Belegu, Drejtor i muzeut etnografik Elbasan

Gazetarja Erjona Rusi dhe Drejtori i Muzeut Etnografik të Elbasanit Kreshnik Belegu

Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit "alla-elbasançe" të Ditës së Verës, me atë që bëhet ne zona te tjera te Shqiperise apo ndër shqiptarë, mjafton t'u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet bëhen me kohë.

Padyshim i takon besoj 100 e ca vjet përpara, është vendi ku ia kemi dedikuar ditës së verës. Përgatitja e ballokumeve ka qenë gjithmonë një traditë goxha për tu marrë shembull, faktikisht është një punë e lodhshme. Për ditën e verës kokrrat bëheshin pak a shumë të njëjta, por Elbasani këtë lloj ëmbëlsire e ka përdor edhe nëpër dasma.  Për mua përgatitja e ballokumeve ka qënë konkurs mes familjeve elbasanase , ajo nuk duhet të thyhet por të rrijë si e ngjitur.

Kreshnik Belegu, Drejtor i muzeut etnografik Elbasan

Por festimet e kësaj dite, vec pelegrinazhit e traditave te trasheguara nder breza qe ruhen ende sot me shume fanatizem nga familjet e vjetra te Elbasanit, nuk mund te konceptohet dot pa kenget e vallet qe jane bere pjese e pandashme e madheshtise me te cilen kremtohet Dita e Veres ne Elbasan.Jeta artistike që fillon një ditë përpara me shumë trupa, koncerte të bandave muzikore, pra një atmosferë festive e gëzueshme.

Shume kohë perpara sipas materialeve që disponojmë, kur në fillim të shekullit 20 kur u krijua orkestrina e parë nga Isuf Myzyri, ai dilte me grupin e tij në ditën e verës. Pas disa vitesh u krijua Fanfara me emrin Aferdita që ka sot po të njëjtin emër. Vit pas viti duke u krijuar institucionet artistike dhe një aktivitet që ka mbi 25 vjet që janë karnevalet, aktiviteti i parë që zhvillohet në datë 14, ndërsa në datë 13 vijnë artistët më në zë që ka Shqipëria, dhe Elbasani bëhet kryeqytet.

Blerim Narazani, dirigjent

Fillimisht kur baheshin koncertet përpar ditës së verës, fillonte me asamblin me këngët e vallet e Elbasanit pastaj vazhdohej me valle nga jugu, Shqipëria e mesme, vallet e veriut, po kështu edhe këngët, nga të gjitha trevat. Bëhej festë e bukur por sot nuk ka më nga këto.

Mehdi Zena, këngëtar

Gazetarja Erjona Rusi me këngëtarin Mehdi Zena në qytetin e Elbasanit

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja