Ditari i Enver Hoxhës dhe arkivat sekrete ruse: Shokë, mbrëmë morëm një sihariq të madh, për ne dhe të gjithë marksistë-leninistët e botës, Hrushovi u shkarkua nga funksionet

Ditari i Enver Hoxhës dhe arkivat sekrete ruse: Shokë, mbrëmë morëm një sihariq të madh, për ne dhe të gjithë marksistë-leninistët e botës, Hrushovi u shkarkua nga funksionet

Enver Hoxha

Plenumi i tetorit i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1964, çoi në dorëheqjen e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PKBS-së dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS-së, Nikita Sergejeviç Hrushov dhe fundin e periudhës së “shkrirjes së akujve”, (ottepel), 1956-1964. Kishte mbërritur një periudhë e gjatë stabilizimi socio-politike, e njohur si “amullia” , (zastoj), 1964-1985. Në fillim të viteve ’60-të, Bashkimi Sovjetik u përball me vështirësi në rritje, dhe vendimet e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PKBS-së (që nga viti 1953) dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS-së (që nga viti 1958), Nikita S. Hrushov, shkaktuan pakënaqësi si në shtresat e ndryshme të shoqërisë sovjetike, ashtu dhe në nivelet më të larta të pushtetit. U përkeqësua gjithashtu edhe situata e furnizimit me produkte ushqimore.

Në vitin 1962, ka pasur trazira në Novoçerkask. Sulmet e ashpra të Hrushovit ndaj personaliteteve të kulturës, provokuan pakënaqësi në qarqet intelektuale. Programi i shkurtimit të armatimeve, ngjalli pakënaqësinë e ushtarakëve, veçanërisht në kushtet e përkeqësimit të konfliktit me Kinën, gjë për të cilin krerët partiakë gjithashtu, fajësonin Hrushovin. Karakteri i paparashikueshëm dhe “voluntarizmi” i politikës së tij (sidomos grindjet me udhëheqësit komunistë dhe riorganizimet administrative), ngjallën pakënaqësi në emërtesën partiake-shtetërore. Në këto rrethana, rrethi më i afërt i Hrushovit, vendosi të largojë atë nga pushteti.

Hrushovit i pëlqente, mbi të gjitha, të merrte vendime me kokën e vet, shpesh pa u konsultuar me rrethin e tij të ngushtë. Ndërkaq, jo të gjitha këto vendime, ishin të menduara mirë dhe të suksesshme. Njeri i rrëmbyer dhe impulsiv, Hrushovi nuk prirej të pranonte kundërshtime, për më tepër edhe kur ishin të kujdesshme dhe të ndrojtura. Ky stil politik, u quajt “voluntarizëm”. Forcimi i “voluntarizmit” në politikën e Hrushovit, vrazhdësia e sekretarit të parë në komunikim, çoi në izolimin e tij, minuan autoritetin e Hrushovit, si në popull, ashtu dhe në udhëheqjen e partisë.

Planet për mënjanimin e Hrushovit, u diskutuan që nga pranvera e vitit 1964, në dy grupe aparatçikësh. I pari – rrethi i sekretarit të Komitetit Qendror dhe pak kohë më parë – të Kryetarit të Presidiumit të Këshillit Suprem, Leonid Brezhnjev. Rrethi i dytë – “Komsomolasit”, më të rinj në moshë – Kryetari i Komitetit partiak-shtetëror të Kontrollit, Aleksandër Shelepin dhe Kryetari i Komitetit të Sigurimit të Shtetit (KGB-ja) V. Semiçastnij (në të kaluarën, të dy udhëhiqnin Bashkimin Komunist të Rinisë të Bashkimit Sovjetik – “Komsomol”). Idenë e shprehur, në biseda private, për rrëzimin e Hrushovit, e mbështesnin zëvendëskryetari i parë i Këshillit të Ministrave Andrei Kosigin, anëtari i Presidiumit, N. Podgornij dhe anëtarë të tjerë të Presidiumit të Komitetit Qendror.

Kundërshtarëve të Hrushovit, iu desh të bënin marrëveshje me ministrin e Mbrojtjes, Mareshalin R. Malinovskij dhe krye ideologun e partisë, M. Susllov. Rol kryesor në organizimin e largimit të Hrushovit, luajti A. Shelepini. Është vendi të përmendet dhe roli i Brezhnjevit, mbi të cilin binte përgjegjësia kryesore, si në rast suksesi, ashtu edhe në rast dështimi. Secili nga këta njerëz, ishte zemëruar për diçka me Hrushovin ose, i druheshin karakterit të paparashikueshëm të politikës së tij. Disa figura konservatore, nuk mund t’ia falnin Hrushovit, demaskimin e Stalinit, i cili për ta si dhe më parë, mbetej udhëheqës i madh dhe politikën e të cilit, ata e konsideronin të drejtë. Duke shfrytëzuar mundësitë e Komitetit partiak-shtetëror të Kontrollit, Shelepini, ushtroi presion mbi anëtarët e lëkundur të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Deri në momentin e fundit, mbetej i paqartë pozicioni i të fundmit prej bolshevikëve të vjetër, që kishte mbetur në Presidiumin e Komitetit Qendror – Andrei Mikojan. Ai gëzonte respektin e Hrushovit dhe të të gjithë partisë, për përvojën politike. Mikojani ishte kundërshtar i stalinizmit, por “voluntarizmi” i Hrushovit gjithashtu, i ngjallte pakënaqësi. Hrushovi u paralajmërua, për përgatitjen e largimit të tij nga pushteti. Në veçanti, lidhur me këtë nëpërmjet djalit të Hrushovit, Sergejit, u informua nga Golukovi, ish-shefi i grupit të shoqërimit të kryetarit të Sovjetit Suprem të Republikës Sovjetike Socialiste Federative Ruse (RSSFR) N. Ignatov. Me vendim të Hrushovit, Golukovi u takua edhe me Mikojanin, por kjo bisedë, nuk pati pasoja.

Kur Hrushovi dhe Mikojani, shkuan me pushime në Picunda, (Abhazi), Presidiumi i Komitetit Qendror, u mblodh më 12 tetor dhe vendosi të zhvillojë plenumin e tij, në lidhje me faktin se propozimet e Hrushovit, për plenumin e nëntorit të Komitetit Qendror, të planifikuar më parë “shkaktojnë shumë probleme”. Ky ishte shkak formal, për të thirrur Hrushovin në Moskë. Hrushovi ishte izoluar në Picunda. Pasi kuptoi se pushteti i tij po rrezikohej, Hrushovi mund të shkonte me avion, në një nga kryeqytetet e republikave sovjetike dhe të përpiqej të siguronte atje mbështetjen e aparatçikëve dhe ushtarakëve besnikë, ndaj tij. Por rreziku i përçarjes së partisë, me pasoja katastrofike për Bashkimin Sovjetik, e ndaloi.

Ai iu nënshtrua vendimit të Presidiumit të Komitetit Qendror të PKBS-së. Më datat 13-14 tetor 1964, Presidiumi i Komitetit Qendror zhvilloi mbledhjen, në të cilën thirrën Hrushovin. Kolegët e Hrushovit në presidium, e dërmuan atë me kritika. Fillimisht Brezhnjevi, e kritikoi Hrushovin, për çështje të dorës së dytë, por pastaj sekretarin e parë, nisën të akuzonin për të gjitha pikat e politikës së tij. Të gjitha këto pretendime përmblidheshin, në faktin se Hrushovi kishte shkelur karakterin kolegjial të udhëheqjes, merrte vendimet më të rëndësishme, dhe jo gjithmonë të suksesshme, pa u konsultuar me shokët e udhëheqjes së partisë. Analizën më të detajuar të politikës së Hrushovit, e bëri Shelepini, që parashtroi pretendimet, jo vetëm në plan personal, por politik, duke argumentuar se kursi i Hrushovit, drejtohej kundër interesave të popullit sovjetik.

 

Ai deklaroi se; Hrushovi në shumë aspekte, trashëgoi autoritarizmin e Stalinit, ndoqi politikë aventureske, përfshirë krizën e raketave kubane dhe ndryshimet e pamotivuara e të shpeshta në bujqësi. Brezhnjevi, i cili vetë kishte shkruar tezat e fjalimit (ka gjasa, duke mos ua besuar një gjë të tillë kaq të rëndësishme, madje ndihmësve të ngusht), tha: “Nëse Ju, Nikita Sergejeviç, nuk do të vuanit nga vese të tilla, si etja për pushtet, vetëmashtrim nga personaliteti juaj, besimi në pagabueshmërinë tuaj, nëse Ju, do të kishit të paktën pak modesti, Ju atëherë, nuk do të lejonit krijimin e kultit të individit tuaj, kurse Ju, në të kundërtën, bëtë gjithçka që të forconit këtë kult”. Në dekadën pasardhëse, “kulti i individit” i Brezhnjevit, do të tejkalonte atë që Hrushovi, ia lejoi vetes.

Më 14 tetor 1964, zëvendëskryeministri D. Poljanskij, shtroi hapur çështjen për shkarkimin e Hrushovit, nga të gjitha postet. Ky vendim u miratua. Vetëm Mikojani, u shpreh pro lënies së Hrushovit në pushtet, por me kompetenca të kufizuara. Hrushovi u mbrojt me kujdes. Duke ngulur këmbë për korrektësinë e vendimeve të tij, në të njëjtën kohë, ai njohu si të ligjshme dhe të drejtë, një pjese të kritikës dhe shprehu gatishmërinë, për ta pranuar dhe marrë parasysh. Por tashmë, kjo nuk mund të ndryshonte vendimin përfundimtar të “problemit të kuadrit”. Për të shmangur telashe edhe më të mëdha, Hrushovi u detyrua të deklaronte dorëheqjen. Deklarimi u bë në plenumin e 14 tetorit, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Ndryshe nga viti 1957, kur Hrushovi arriti t’i kundërvihej shumicës së Presidiumit, shumica e Komitetit Qendror, (këtë herë anëtarët e tij) ishin “përgatitur” nga kundërshtarët e Hrushovit. Ashtu si në vitin 1957, raportin e mbajti M. A. Susllovi, i cili këtë herë denoncoi Hrushovin. Pa u bërë diskutim, u vendos shkarkimi i tij nga të gjitha postet dhe zgjedhja e Leonid I. Brezhnjevit, në funksionin e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe A.N. Kosiginit – Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS-së. Pas kësaj, Hrushovi u dërgua në pension. Vendimi i plenumit, duke iu referuar “parimeve leniniste të udhëheqjes kolektive”, pohonte se; Hrushovi krijoi “situatë jonormale”, e cila e bën të vështirë, kryerjen e detyrave të tyre, nga anëtarët e tjerë të Presidiumit.

Duke cituar pothuajse qortimin që i beri Lenini – Stalinit, kundërshtarët e Hrushovit vërejtën, se ai; “përqendroi në duart e tij, pushtet të madh”. Pas plenumit të tetorit, Hrushovi tha i brengosur se; Stalini, do t’i kishte pushkatuar, kurse ai vetë, i lejoi ta hiqnin nga posti. Por Hrushovi, i cili humbi në betejën për pushtet, nuk u vra, por vetëm u nxor në pension. Ndoshta ndryshimi i stilit politik, mospranimi i luftës për pushtet për asgjësimin e kundërshtarit, ishte një nga rezultatet më të rëndësishme të “shkrirjes së akujve”.

Me dorëheqjen e Hrushovit, përfundoi periudha e “shkrirjes së akujve”. Në pushtet u konfirmuan qarqet konservatore të emërtesës. Megjithatë, “shkrirja e akujve”, nuk kaloi pa gjurmë. Gjatë periudhës së “amullisë”, vazhduan të zhvilloheshin dhe mendimi ndryshe, si dhe lëvizjet jozyrtare, kontradiktat në elitën politike, etj. Shoqëria nuk u kthye në karakterin monolit stalinian, por u zhvendos drejt Perestrojkës. Pjesën tjetër të jetës, deri sa vdiq, më 11 shtator 1971, Hrushovi e kaloi nën arrest faktik shtëpiak, në një vilë qeveritare. Falë ndihmës së të afërmve të tij, Hrushovi mundi të diktonte dhe të çonte në Perëndim, kujtimet e tij.

                         Dokumenti arkivor për shkarkimin e Hrushovit nga funksionet e tij

                                        Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!

                                           Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik

                                                       KOMITETI QENDROR

                                                              Tepër sekret

Nr. P164 / I

Ekstrakt nga protokolli i 164, i mbledhjes të Presidiumit së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më 13-14 tetor 1964

Problemet, që lindën në Presidiumin e Komitetit Qendror, dhe mbi masat për rivendosjen e parimeve leniniste të udhëheqjes kolektive në veprimtaritë e Komitetit Qendror të PKBS-së. Të pranojë se si rezultat i gabimeve dhe veprimeve të gabuara të sh. Hrushov, që shkelnin parimet leniniste të udhëheqjes kolektive, në Presidiumin e Komitetit Qendror, kohët e fundit u krijua një situatë krejtësisht jonormale, e cila e bën të vështirë kryerjen e detyrave për udhëheqjen e partisë dhe vendit nga anëtarët e tjerë të Presidiumit të Komitetit Qendror.

Sh. Hrushov, duke mbajtur postet e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PKBS-së dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS-së, pasi përqendroi në duart e tij pushtet të madh, në një sërë rastesh, filloi të dalë nga kontrolli i Komitetit Qendror të PKBS-së, nuk merrte më në konsideratë mendimin e anëtarëve të Presidiumit të Komitetit Qendror dhe anëtarëve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke zgjidhur çështjet më të rëndësishme, pa diskutimin e nevojshëm kolektiv.

Duke shfaqur mungesë durimi dhe vrazhdësi ndaj shokëve të Presidiumit dhe Komitetit Qendror, duke shpërfillur mendimin e tyre, sh. Hrushov, lejoi një sërë gabimesh të mëdha në zbatimin praktik të vijës së përcaktuar nga vendimet e kongreseve XX-të, XXI dhe XXII, të PKBS-së. Presidiumi i K.Q. të PKBS-së, konsideron se me cilësitë e krijuara negative personale, si punonjës, me moshën e thyer dhe përkeqësimin e shëndetit sh. Hrushov, nuk është në gjendje të korrigjojë gabimet e lejuara prej tij, dhe metodat jopartiake në punë. Duke marrë parasysh gjithashtu se sh. Hrushov, paraqiti një kërkesë, Presidiumi i Komitetit Qendror të PKBS-së vendosi:

Të përmbushë kërkesën e sh. Hrushov, për lirimin e tij nga detyrat e sekretarit të parë, anëtarit të Presidiumit të KQ të PKBS-së dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS-së që lidhet me moshën e thyer dhe me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

Të konsiderojë të papërshtatshëm, bashkimin e mëtejshëm në një person, të detyrave të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PKBS-së dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS-së.

Ta konsiderojë të nevojshme thirrjen më 14 tetor 1964, të Plenumit të Komitetit Qendror të PKBS-së.

Ngarkon me hapjen e Plenumit sh. Leonid I. Brezhnjev.

Ngarkon për të mbajtur fjalimin, në emër të Presidiumit dhe Sekretariatit, të Komitetit Qendror, shokun M. A. Susllov.

PRESIDIUMI I Komitetit Qendror të PKBS-së

Arkivi shtetëror rus i historisë më të re (Rossiyskiy gosudarstvennyy arkhiv noveyshey istorii – RGANI). F.2. Op.1. D.749. fletët 3-4.

            DITARI POLITIK I ENVER HOXHËS

                             “Ky është një puç pallati”!

E PREMTE, 16 TETOR 1964

Prita shokët që më uruan për datëlindjen. Vitet po ikin njëri pas tjetrit e, bashkë me to edhe mosha; flokët po na zbardhen, por zemrën e kemi çelik. Sihariq dhe gëzim i madh për ne dhe për të gjithë marksistët e botës. Mbrëmë vonë (më 15 tetor 1964) Moska dha lajmin se; Nikita Hrushovi u përjashtua nga Presidiumi i të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe u shkarkua nga funksionet e sekretarit të parë të Komitetit Qendror dhe të kryetarit të Këshillit të Ministrave të BRSS-së.

Por të tjerët, shokët e tij, kanë mbetur në fuqi. Ata e rrëzuan, prandaj ky është një puç, po e po, por mund të jetë fjala edhe për ndonjë manovër. Megjithatë, kjo është një fitore e madhe për ne. Ndërkaq, lufta jonë kundër revizionizmit modern, vazhdon. Të gjithë tradhtarëve të marksizëm-leninizmit, herët a vonë, do t’u vijë fundi.

E SHTUNË, 17 TETOR 1964

Dita e djeshme ishte me të vërtetë një ditë gëzimi të madh për të gjithë marksistë-leninistët e botës dhe veçanërisht për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe popullin shqiptar. Partia jonë heroike, ka të drejtën legjitime të gëzohet dhe të ndiejë një kënaqësi të madhe, pse ajo luftoi me heroizëm, me pjekuri të madhe marksiste-leniniste, kundër revizionizmit modern në përgjithësi dhe kundër hrushovizmit dhe titizmit në veçanti.

Kundër Partisë së Punës të Shqipërisë, u hap zjarri i parë hrushovian, ky zjarr u bë i përgjithshëm nga gjithë revizionizmi modern, mori një gjerësi dhe një thellësi të paparë asnjëherë, u shndërrua në një kryqëzatë të tërbuar ideologjike, politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake kundër Partisë së Punës të Shqipërisë, popullit shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.

Partia jonë iu përgjigj zjarrit që i hapën, i qëndroi këtij zjarri, si trimëreshë e pjekur marksiste-leniniste dhe jo vetëm që nuk u gjunjëzua, por luftoi kryelartë në radhën e parë dhe u bë shembull e flamur. Me këtë ajo fitoi besimin, admirimin, respektin dhe përkrahjen e të gjitha partive marksiste-leniniste, që qëndronin në pozita të drejta dhe të të gjithë marksistë-leninistëve e revolucionarëve të botës.

Lufta jonë heroike e drejtë, e papërkulur vazhdoi vite me radhë dhe çdo vit, është mbushur me fitore për Partinë tone. Këto fitore, zbukurojnë gjoksin e saj të çeliktë, si medalje të ndritshme që kurrë s’do të errësohen. Këmba-këmbës ndoqëm, demaskuam, luftuam pa mëshirë, revizionizmin modern, grupin tradhtar të Hrushovit, grupin tradhtar të Titos dhe të gjitha grupimet e tjera revizioniste. Kontribuam fuqimisht në demaskimin në tradhtisë së tyre, të gjithanshme. Ne kishim besim të patundur, se tradhtari do të pësonte disfatë dhe mënyra si u bë i tij, nuk është për t’u çuditur, por shkarkimi i tradhtarit nga postet e tij kaq shpejt, dhe sidomos nga shokët e tij, ishte i papritur për ne.

Ky është një puç pallati. Ashtu si Nikita Hrushovi, organizoi puçin e tij, kur eliminoi nga udhëheqja Molotovin, Kaganoviçin, Malenkovin, ashtu si gjykoi dhe ekzekutoi Berian, ashtu si eliminoi Zhukovin, ashtu shokët e tij, eliminuan dhe vetë Hrushovin. Organizimi i puçit, siç duket nga të dhënat e para, është bërë në mënyrë konspirative dhe tradhtari e besnikët më të afërt të tij, s’kanë ditur gjë, ose janë vënë në atë gjendje, që të mos kishin kohë as të lajmëronin, as të merrnin masa. Më vonë, me kohë, faktet do të na sqarojnë për gjithçka./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja