Milano, ITALI - E mërkura e 5 nëntorit është një ditë historike për Milanon dhe dy klubet e saj të futbollit, Milanin dhe Interin. Stadiumi mitik 'San Siro' është zyrtarisht në pronësi të Milanit dhe Interit. Pikërisht sot është nënshkruar dhe noterizuar dokumenti i kalimit të pronësisë së impiantit dhe zonave përrreth, një proces që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:00.

"Gjërat e mira gjithmonë duan kohë", tha presidenti i AC Milanit, Paolo Scaroni, ndërsa po largohej nga zyra e noterit Filippo Zabban në qendër të Milanos. Akti i shitblerjes së stadiumit u bë i mundur pas miratimit nga Këshilli Bashkiak i Milanos dhe çmimi total është 197 milionë euro që blerësit e impiantit do ta paguajnë në disa faza.

Në ditët e kaluara u punua për të përcaktuar garancitë bankare të nevojshme për derdhjen e këstit të parë të çmimit (rreth 100 milionë euro duke përfshirë dhe TVSH dhe një kuotë të borxheve të prapambetura). Ky akt do të mund të quhet i finalizuar vetëm pas transferimit të këtyre fondeve. 

Data e mbylljes është e rëndësishme dhe objektivi është që të kompletohet i gjithë procesi brenda 10 nëntorit. Nëse kalohet ky afat, do të hyjë në veprim 'kontrata arkitektonike' për unazën e dytë të stadiumit që do të përjashtonte shkatërrimin e tij dhe ndërtimin e impiantit të ri brenda zonës aktuale.

Megjithatë, pritet që afatet të kapen dhe të dyja klubet të nisin punën për ndërtimin e 'San Siros' së ri, i cili do jetë modern dhe do funksionojë gjatë gjithë kohës edhe si një pol i ri zhvillimi për Milanon.

Projekti parashikon ndërtimin e një stadiumi të ri me kapacitet prej 71.500 vendesh. Një pjesë e stadiumit aktual të 'San Siros' do të ruhet dhe do të përdoret si muze dhe në aspektin komercial. Punimet janë parashikuar të nisin në 2027 me impiantin që mendohet të bëhet operativ në 2031.