TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në ditën e kujtesës për viktimat e sistemeve totalitare ka një paralajmërim për qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Kryedemokrati shkruan se projekti ogurzi i kthimit pas në epokën e pushtetit absolut do të marrin përgjigjen e merituar. Shqipëria, vijon më tej lideri demokrat, do të jetë si gjithë Europa, demokratike, e lirë, e zhvilluar ekonomikisht, me mundësi dhe shanse për të gjithë shqiptarët.
"23 gushti është dita e kujtesës për viktimat e sistemeve totalitare por dhe paralajmërim për të gjithë ata që keqpërdorin vullnetin e popullit në përpjekje për të rivendosur autoritarizmin.
Kujtesa dhe respekti për mijëra viktimat e sistemit më të egër komunist në Europë duhet dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e historisë moderne të Shqipërisë. Vuajtjet dhe mohimi i të drejtave themelore të shqiptarëve gjatë diktaturës, sakrificat e mijëra familjeve shqiptare në komunizëm, janë udhërrëfyesi më i mirë për të vulosur pas 30 vitesh tranzicion, sistemin e vlerave të demokracisë europiane.
Projekti ogurzi i kthimit pas në epokën e pushtetit absolut, i kontrollit të gjithçkaje në vend nga një grusht pushtetarësh të lidhur me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh, projekti i rrënimit të lirive, demokracisë dhe ekonomisë si dhe zbrazjes së vendit, do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët shqiptarë.
Partia Demokratike është në krah të të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, në krah të rinisë, intelektualëve dhe shtresës së mesme, sipërmarrjes dhe fermerëve shqiptarë, e vendosur për ta shkatërruar projektin e rikthimit të shqiptarëve në një skllavëri kolektive në shërbim të një pakice.
Historia e re e Europës është dëshmi e qartë e fundit pa lavdi të çdokujt që është përpjekur të sundojë me forcën e autoritarizmit. I tillë është fundi i këtij projekti, projektuesve dhe ndihmësve të tij. Shqipëria do të jetë si gjithë Europa, demokratike, e lirë, e zhvilluar ekonomikisht, me mundësi dhe shanse për të gjithë shqiptarët" thotë Basha.
Po kush te zgjon ty nga gjumi mos bafte hajer. Fli o Luli rri rehat.
Përgjigju