Gjyqtarët pa Vetting vijojnë të inkurajojnë dhunën ndaj policisë, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm. Gjyqtari Altin Abdiu, i biri i Fehmi Abdiut, ka liruar sot nga qelia djalin problematik të Ismet Drishtit, Agim Drishti, i cili tre ditë më parë goditi me grushte 4 policë të “Shqiponjave". Gjyqtari Abdiu nuk ka pranuar kërkesën e prokurorit Dritan Nushi, për caktimin e masës së “arrestit në burg” për Drishtin, duke e lënë këtë të fundit me masën e sigurisë “Detyrim për t'u paraqitur pranë policisë gjyqësore”.

Agim Drishti, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ka goditur me grushta e shkelma efektivët e patrullës “Shqiponja”, të cilët ishin duke kryer veprime verifikuese ndaj tij. Për shkak të dhunës, Agim Drishti është arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa 4 efektivët e policisë së skuadrës “Shqiponja”, kanë kallëzuar penalisht Agim Drishtin për akuzën e “Kundërshtimit me forcë gjatë ushtrimit të detyrës” dhe “Goditjes për shkak të detyrës”.

Shqiptarja.com mëson se Agim Drishti, djali i humoristit Ismet Drishti, disa ditë më parë ka goditur dhe kanosur edhe një gazetar të njohur në Tiranë, për arsye banale, konkretisht për një keqkuptim në trafikun e qarkullimit të automjeteve në rrugët e kryeqytetit. Agim Drishti i është sulur me grushte gazetarit, duke i terrorizuar fëmijët e mitur. Nga goditjet dhe përleshjet, ora e Drishtit ka mbetur në makinën e gazetarit, në të cilën kishte edhe dy fëmijët e mitur.

Ndërkaq në prokurori mësohet se janë referuar edhe disa kallëzime të tjera për Agim Drishtin, i cili vijon të jetë i lirë dhe të kanosë qytetarët në rrugë. Prokuroria e Tiranës pritet që të apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, ku do kërkojë masën e “arrestit në burg” për Drishtin.