TIRANË- Vetëm një ditë pasi Kuvendi Kombëtar i Sali Berishës shkarkoi Lulzim Bashën dhe caktoi një referendum 'një anëtar, një votë' për ta ratifikuar këtë vendim, nuk ka vonuar edhe ‘hakmarrja’ e kreut të PD-së, ndaj kryesisë ‘Berishiane’. Sot Lulzim Basha mblodhi Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, 251 anëtarët e të cilit votuan për shkarkimin nga të gjitha funksionet në PD të grupit të Berishës.

Me argumentin se kanë cenuar rëndë interesin elektoral dhe politik të Partisë Demokratike, shkarkimi ka nisur nga kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, anëtarëve të kryesisë, Flamur Nokës, Aldo Bumçit, Gent Strazimirit, Albana Vokshit, Oerd Bylykbashit si dhe sekretarëve Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia, ku pritet dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj.

Për shkarkimin nga të gjitha funksionet në PD të anëtarëve të kryesisë, sekretarëve si dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar kanë votuar 257 anëtarë, prej tyre 251 kanë votuar pro shkarkimit, 4 kundër si dhe 2 vota janë shpallur të pavlefshme. 

Por këto shkarkime, nuk e prekin Sali Berishën, i cili është organizatori kryesor i kësaj lëvizje, të cilën Basha e ka cilësuar ‘anti-amerikane’. Kjo pasi kryesia e PD-së, propozoi vetëm për të shkarkuar nga pozicionet drejtuese, kryetarin e këshillit, anëtarët e kryesisë dhe sekretarët.

Sipas Bashës anëtarët kryesisë jo vetëm që nuk mbështetën 18 dhjetorin, por dolën hapur krah Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA. Ndërkohë anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë miratuar rezolutën e posaçme të propozuar nga kryetari Lulzim Basha, e cila ‘mandaton’ Lulzim Bashën që të mbrojë me forcë vlerat e Partisë Demokratike. Në rezolutë theksohet se Kuvendi i Mbledhur nga Berisha dje është nul, ndërsa shtohet se ai ka vepruar si Enver Hoxha, pasi ka themeluar një organizatë anti-amerikane.

Kjo mbledhje është konsideruar nul dhe e paligjshme nga 'Komisioni i Rithemelimit', një institucion i krijuar nga Sali Berisha dje në Kuvendin e tij Kombëtar. Sipas mbështetësve të Berishës Kuvendi Kombëtar dje ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakuumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së re!

Këto vendime vijnë si një përgjigje për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, ku nga 4491 delegatë që votuan, 4446 ishin pro shkarkimit të tij, kundër 36 e ndërsa 9 vota të tjera u shpallën të pavlefshme. Gjithashtu, në këtë Kuvend u ndryshua statuti i PD-së, si edhe u miratua edhe ngritja e një Komisioni të quajtur ‘Komisioni i Rithemelimit të PD’ me 29 anëtarë në përbërje që do ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri, megjithatë këto vendime Basha tha dje se nuk do i njohë.

Prej 9 shtatorit, kur dhe Berisha u pezullua nga grupi parlamentar, në selinë ka nisur një luftë mes njëri-tjetrit, duke bërë një parti e cila është më e ndarë se kurrë në historinë 31-vjeçare të themelimit të saj. Ironike në të gjithë këtë histori, është se përçarja arriti kulmin në ditën e themelimit të saj, në 11 dhjetor.

Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe u shkarkuan

Edi Paloka (Kryetar i Këshillit)

Anëtarët e kryesisë:

Flamur Noka

Aldo Bumçi

Gent Strazimiri

Albana Vokshi

Oerd Bylybashi

Sekretarët

Ervin Minarolli

Ivi Kaso

Belind Kelliçi

Ledina Mandia

 

 

 

 

VIDEO- Të gjitha detajet e mbledhjes se Këshilli Kombëtar të PD nga gazetarja e Report TV, Danjela Maloku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:51
Berisha ka angazhuar TV e familjes për të sulmuar Këshillin Kombëtar të Bashës, reagon PD: Ja provat që e kundërshtojnë! Dje nuk lejoi media, ne votuam live në TV

Sali Berisha ka angazhuar televizionin e familjes së tij për të sulmuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-s,ë të cilët votuan sot për shkarkimin e Edi Palokës, 5 anëtarëve të kryesisë si dhe 4 sekretarëve nga të gjitha funksionet në PD.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Syri i zotit Berisha ka mashtruar se në votim ka marrë pjesë një qytetar nga Gjirokastra që nuk është anëtar. Bardhi thotë se Gramoz Hazizolli është një përfaqësues i denjë i një familje ish- të përndjekurish politik dhe është anëtar i këshillit Kombëtar të PD-së. Bardhi shton se ato zhvilluan një proces transparent.

Madje ai rikujton faktin se vetë Berisha dje në Kuvendin e thirrur prej tij nuk la asnjë media që të shikonte nga afër procesin dhe të raportonte në mënyrë të pavarur.

‘Kam marrë sonte me dhjetëra mesazhe nga anëtarë të Këshillit Kombëtar, që shprehin indinjatën ndaj mashtrimeve të paimagjinueshme të medias Syri Tv dhe Syri.net. Prej disa orësh hedhin baltë përmes shpifjeve ndaj një procesi votimi transparent, të zhvilluar në prani të mediave. Në ndryshim nga tubimi i djeshëm për hallin personal të z. Berisha, ku asnjë media nuk u la të shikonte nga afër procesin dhe asnjë gazetar nuk u lejua brenda për të raportuar në mënyrë të pavarur, PD edhe sot, vendosi të parën transparencën. Në përfundim të procesit, për herë të parë, u lexua e plotë lista e anëtarëve që morën pjesë në votim, ndërkohe që të pranishëm në mbledhje ishin më shumë anëtarë, por disa u larguan për shkak se procesi i diskutimeve dhe i votimit mori një kohë të gjatë.

Syri i zotit Berisha mashtron se në votim ka marrë pjesë një qytetar nga Gjirokastra, që nuk është anëtar i Këshillit. Në fakt personi në foto është Gramoz Hazizolli, përfaqësues i denjë i një familje të përndjekurish politik dhe i degës Ura Vajgurore.

Duke mashtruar edhe për rastin e  anëtarit të Këshilit Kombëtar, Gramoz Haziziolli, Syri i zotit Berisha, me një mentalitet komunist, të denjë vetëm për punonjësit e Sigurimit të Shtetit, ka për qëllim të cenojë legjitimitetin e forumit më të lartë vendimarrës të PD, për shkak se zoti Berisha nuk e kontrollon dot këtë forum, siç nuk kontrollon dot as grupin parlamentar, kryesinë, Kuvendin Kombëtar dhe anëtarësinë e PD.

Është koha që zoti Berisha të mos orkestrojë trillime të tilla të ulëta kundër demokratëve që kanë sakrifikuar shumë për të dhe për PD. Është koha që zoti Berisha t’i thërras burrit të shtetit që kemi njohur të gjithë dhe të pranojë se PD nuk mund të përdoret për interesin e tij personal apo të familjes së tij.

Pavarësisht qejfmbetjeve, dyshimeve, mosbesimit, demokratët po tregojnë çdo ditë kurajo për të shkuar përpara, për të zgjedhur të ardhmen, për të forcuar PD dhe për ta bërë gati atë si forca që do të udhëheqë vendin.’- thotë Bardhi.

 

Ora 22:02
Zbardhet mesazhi që Basha u ka dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, pas mbledhjes

1639325592_1639256068basha111.jpg

Është zbardhur mesazhi që kryetari i PD-së, Lulzim Basha u ka dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar pas mbledhjes se ditës së sotme. Sipas Bashës, mbledhje sotme ishte e një rëndësie kyçe për demokratët dhe rrugën që do ndërtojmë.

‘Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar ishte e një rëndësie kyçe për demokratët dhe rrugën që do ndërtojmë.

Pjesëmarrja  juaj ishte një vlerë e madhe, për të cilën mirënjohja ime është e thellë, në këto kushte komplekse.

Ju falenderoj për gjithçka bëtë të mundur me vendimet, frymën dhe mbështetjen tuaj të paçmim.  Në ditët në vijim, në 18 Dhjetor e më tej do të vijojmë me këtë frymë si bashkëpuntorë të vyer.  Me respekt!  Lulzim Basha!’- shkruhet në SMS-në që Basha u ka dërguar anëtarëve.

Ora 21:51
Pas shkarkimit të grupit ‘berishian’, Basha: Më 18 dhjetor zgjedhim të ardhmen e PD-së, do e shndërrojmë në forcë qeverisëse

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas mbledhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, të cilët shkarkuan Edi Palokën, anëtarët e kryesisë si dhe sekretarët. Basha thotë se në Kuvendin e 18 dhjetorit do të zgjedhin të ardhmen e PD-së dhe do ta shndërrojnë në një forcë qeverisëse.

‘Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike foli qartë. Edhe më qartë do të flasë Kuvendi Kombëtar më #18Dhjetor. Ne do të zgjedhim të ardhmen, në mbrojtje të vlerave të shenjta të Partisë Demokratike dhe për ta shndërruar atë në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë!’- shkruan Basha.

Ora 19:24
Këshilli Kombëtar i PD-së voton pro shkarkimit të Edi Palokës, anëtarëve të kryesisë dhe sekretarëve! 4 votojnë kundër, 2 vota të pavlefshme

251 anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kanë votuar pro propozimit të kryesisë së PD-së për shkarkimit të anëtarëve të kryesisë ‘Berishiane’.

Anëtarët kanë votuar pro shkarkimit  të kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Palokës, anëtarëve të kryesisë Flamur Nokës, Aldo Bumçit, Gent Strazimit, Albana Vokshit, Oerd Bylukbashit si dhe sekretarëve Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia.

Në votim morën pjesë 257 anëtarë të Këshillit Kombëtar, 4 anëtarë kanë votuar kundër dhe 2 prej votave janë shpallur të pavlefshme.

Ora 18:13
Anëtarët e Këshillit të PD-së, votojnë për shkarkimin e anëtarëve të kryesisë, zbardhet fleta e votimit

Kjo është fleta e votimit, në të cilën anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, po votojnë për shkarkimin nga funksionet në parti të anëtarëve të kryesisë, sekretarëve dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Palokës.

Ora 17:53
Shkarkimet e anëtarëve të kryesisë dhe sekretarëve, nis votimi i fshehtë në selinë blu! Zbardhet pyetja për anëtarët e Këshillit Kombëtar

Këshilli Kombëtar vendos për votim të fshehtë për propozimin e shkarkimit të anëtarëve të kryesisë që shkelën vendimin e kryesisë dhe organizuan struktura paralele.

Gazment Bardhi: Sot nuk merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim nga funksionet. Disa anëtarë të kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e kryesisë së Partisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar. Përkundrazi! Janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për te zëvendësuar institucionet e ligjshme statutore të PD. Për ta nuk ka më kryetar partie, nuk ka sekretar të përgjithshëm, nuk ka nënkryetarë, nuk ka kryesi, nuk ka Këshill Kombëtar, përveç kjo trupe që sillet si celulë ilegale që këkron t’i mbivendoset institucionet legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD. Ky është propozimi ndaj Këshillit Kombëtar. Nuk po marrim masë disiplinore ndaj askujt, edhe ose interesi elektoral i PD me veprime të tilla, na jepte të drejtën e masave disiplinore sipas nenit 27. Për të mos i fryrë përçarjes, për të mos përjashtuar askënd, propozojmë shkarkimin nga funksionet:

Është një pyetje në fletën e votimit.

A jeni dakord me propozimin e kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka

Anëtarëve të kryesisë:

Flamur Noka

Aldo Bumçi

Gent Strazimiri

Albana Vokshi

Oerd Bylybashi

Si dhe sekretarëve:

Ervin Minarolli

Ivi Kaso

Belind Kelliçi

Ledina Mandia

Ora 17:07
Këshilli Kombëtar i PD-së miraton rezolutën: Sali Berisha si Enver Hoxha, themeloi organizatë anti-amerikane

Pas më shumë se 2 orësh mbledhje, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar rezolutën e posaçme e cila u propozua nga kryetari Lulzim Basha një ditë më parë pas Kuvendit të Berishës. Në rezolutën e miratuar nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së theksohet se Kuvendi i Berishës është nul dhe për to nuk ka asnjë vlerë politike, ndërsa shtohet se ai ka vepruar si Enver Hoxha, ku ka themeluar një organizatë anti-amerikane, nga e cila distanohen me forcë. Po ashtu, Këshilli Kombëtar ‘mandaton’ Lulzim Bashën të mbroje me forcë vlerat e Partisë Demokratike. 

Rezolutë e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjesive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,

-Diskutoi mbi situatën shqetësuese  të krijuar nga lëvizja e zotit  Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i  tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;

-Konstatoi se thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike  dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;

-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;

-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i  djeshëm si finalizim i saj janë  një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend,  duke  synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.

-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.

-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e  demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.

- Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e  mbedhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes,  lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë.  Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.

-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që  bien ndesh me  përcaktimet  identitare të saj, me interesat  e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit  shqiptar me SHBA.

-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.

-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrrupsionit dhe pandëshkushmërisë  në sferat e larta si një element kyç për  vendosjen  e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve  të lira e të ndershme,  integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në  Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit  aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend

-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe e mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.

-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.

Ora 16:58
Thirrja e Flutura Açkës: Ta ndihmojmë Sali Berishën, të shërohet nga vetvetja

1639324572_FLUTURACKABERISHA.jpg

Deputetja e Partisë Demokratike, shkrimtarja Flutura Açka, pati një thirrje për të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së sot dhe për të gjithë anëtarët.

"Kur kam ardhur në PD, mendova që dija shumë, por në fakt e kam mësuar në bazë, me njerëz të ndershëm. Nuk është thjesht me kë je, me Bashën a me Berishën?  E kam votuar Berishën 30 vite, me kënaqësi mjaft që demokratët janë në pushtet. Berisha ka një plage, ne duhet ta ndihmojmë të shërohet nga vetvetja. Dje tregoi që nuk e bën dot, sot na duhet ta bëjmë ne", tha Açka.  

Ora 16:57
Basha: S'kam propozuar unë përjashtime, por kryesia, pasi u shkel në mënyrë flagrante statuti i PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, që nuk do të ketë kurrë përjashtime të propozuara nga ai dhe se nuk mban njerëz me forcë. Masat e marra mbrëmë janë masa të propozuara sipas Bashës nga kryesia për shkak se është dhunuar statuti me pasoja për PD-në.

‘Ka qenë zotimi im i parë si kryetar i PD-së, që s’do ketë kurrë, përjashtim të propozuar nga unë. As unë e as ju nuk mbajmë njerëz me forcë. Ndaj dhe masat e marra mbrëmë nga kryesia dhe masat e propozuara nga sot, nuk janë masa përjashtimi, por shkarkimi nga funksionet për shkak të dhunimit flagrant të statutit me pasoja për PD-në.’- tha Basha.

Ora 16:48
Agron Kapllanaj: Nuk jemi në betejë për Bashën, por për të ardhmen e PD! S'pajtohemi me ata që duan të na përçajnë

1639324142_Screenshot267.png

Agron Kapllanaj, anëtar i Këshillit Kombëtar shprehet se PD është aset kombëtar dhe shpresë për shqiptarët. Ndër të tjera Kapllanaj deklaron se nuk asgjë me atë pjesë të demokratëve që ishin dje në Kuvendin e thirrur nga Berisha, të cilin e quan miting. Ndër të tjera thotë se janë në këtë betejë për të ardhmen e PD, dhe jo për Lulzim Bashën.

"PD është aset kombëtar, është shpresë për shqiptarët. Prandaj ky është moment historik. Nuk kam asgjë me atë pjesë të demokratëve që ishin dje aty në miting. Kanë qëllime. Por nuk mund të pajtohemi kurrë me ata që organizuan atë miting, ata që po kërkojnë ta përçajnë. Ne nuk shajmë nuk fyejmë, ne do punojmë për këtë parti. Prandaj më 18 dhjetor demokratët duhen të jenë në Kuvend dhe ta mbushin atë shesh. Nuk jemi në betejë për Lulzim Bashën, por për të ardhmen e PD, e cila është alternativë për të ardhmen e vendit."-tha Kapllanaj.

Ora 16:41
Këshilli i PD-së/ Bejko: 18 dhjetori sfidë për Bashën, duhet të jetë bindës për demokratët dhe të krijojë një perspektivë të qartë

Për anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD-së. Roland Bejko, Basha ka një detyrë të vështirë para pasi duhet të jetë bindës dhe të krijojë një perspektivë të qartë për PD-në në Kuvendin e 18 -dhjetorit.

‘Ne nuk duhet të injorojmë takimin e djeshëm, sado të ishin, megjithëse ishin më pas sesa duhen për të nxjerrë një deputet, Ata janë demokratë. Berisha e mblodhi Kuvendin për interesin e vet personal, që të merrte partinë.. Më vjek keq në këtë pozitë të vështirë. Për një burë shteti interesi i përgjithshëm duhet të prevalojë mbi interesin personal. Dje u mor edhe me punët e bashkisë, aty mendova nuk ka kuorum. Çfarë të bëjmë? Di që partia është formacion disipline. PD nuk është pronë personale, është sakrifica e mijëra demokratëve, shkruan Shqiptarja.com. Kush do ta mbaje partinë të bashkuar? I bie kryetarit që është zgjedhur, kryetarit legjitim. Ne nuk duam të kalcifikoheni. Të mbajmë parti të vogël. Nuk themi dot ne jemi me të mirët. Zoti Basha ju del detyrë të kapërceni Sali Berishën, të kapërceni veten. Kuvendi i 18 është sfida juaj që je kryetar i vetëm, pa pengesë, me mbështetjen e kryesisë, të këshilli kombëtar dhe të Kuvendit. Qëndrimi juaj duhet të binde ata demokratë që ju do të bëni një PD që të gjithë e duam. Do te jetë një kuvend i vështire, por është detyra juaj të jeni bindës, të krijoni një perspektivë të qarte. Të ftojmë demokratët të jenë këtu me ne, të marrim sanksionet ndaj atyre anëtarëve të kryesisë që nuk respektuan vendimin.’- tha Bejko.

 

Ora 16:26
Basha: Berisha pezulloi dhe Këshillin Kombëtar me vendimin e tij të paligjshëm

Kryetari i PD-së lulzim Basha ka thënë se me një vendim të paligjshëm dhe antistatutor Berisha ka pezulluar dhe Këshillin Kombëtar. Basha është treguar mirnjohes për përpjekjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe sipas tij nuk duhet të prevalojë retorikat përçarëse.

Basha: Me një vendim të paligjshëm, antistatutor, përçarës, Berisha pezulloi dhe Këshillin Kombëtar. Ju jam mirënjohës për përpjekjen tuaj dhe atë që përfaqësoni, që të mos prevalojnë retorikat përçarës. Kjo është rruga e vetme që të shkojmë përpara.

Ora 16:24
Jemin Gjana: 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit nuk duhet të jenë pjesë e PD-së, jam pro rezolutës

Jemin Gjana, anëtar i Këshillit Kombëtar, thotë se është në PD për një institucion legal dhe se nuk është as me Berishën e as me Bashën, por me PD-në. Gjana tha se 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, që u krijuan një ditë më parë nuk duhet të jenë më pjesë e PD-së. Ai tha se është pro rezolutës dhe se 

Jemin Gjana: Jam sot se jam votuar për të vënë një institucion legal në PD. Jam votuar nga ju që jeni sot këtu nga disa që ishin dje aty. Jam këtu sepse i vetmi individ, ndjesë për modestinë, kam 30 vite e 3 muaj dhe kam marrë pjesë në Kuvendin e parë të PD-së, që jam pjesë e kësaj trupe pa asnjë ndërprerje. Nuk e ka askush këtë luk do ta quaj. Në kryesi u ka thënë kolegëve që asnjëherë që nga dita e parë e deri më sot nuk jam as me Berishën, as me Selamin, as me Shehun e as me Bashën. Jam me PD-në. Dhe jam sot këtu se kam qenë 30 vite pa ndërprerje tek institucionet legale të PD-së. Jam pro vendimeve të marra në kryesinë e PD-së. Nuk do të përjashtojmë ata që kanë shkuar në stadium, se janë të lirë të shkojnë kudo. Ata që kanë bërë një grup 29 anëtarët e komisionit të Rithemelimit,  siç kemi bërë në ’97, ata nuk mund të jenë në 2 vende. Jam pro rezolutës, por dua të them se ne kemi lëshuar terren pas 15 nëntorit.  Por njerzit nuk i lëshuam dhe nuk duhet t’i lëshojmë njerëzit. Trupa e PD-së, duhet të shtrihet në terren, Atje duhet të bëjmë debatin, shkruan Shqiptarja.com.

Ora 16:00
Basha prezanton rezolutën: Dje u themelua organizata e parë anti-amerikane në 30 vite, pas asaj të Enver Hoxhës

1639320249_Screenshot1.jpg

Është zbardhur pjesë nga rezoluta që po prezanton kryetari i Partisë Demokratike para anëtarëve të këshillit Kombëtar të PD-së, mbledhje e cila ka vetëm pak minuta që ka nisur, Kryetari i PD-së, ka thënë se dje u themeluar organizata e parë anti-amerikane, në 30 vite pas asaj të Enver Hoxhës.

‘Dje u themelua organizata e parë antiamerikane në 30 vite pas asaj të Enver Hoxhës. Rezoluta dënon lëvizjen e djeshme; afirmon 18 dhjetorin; mbështet kryetarin; kryesinë; Grupin Parlamentar.’- tha Basha.

Ora 15:43
Fillon mbledhja e Këshillit Kombëtar, anëtarët e presin Bashën me duartrokitje! Një nga prej tyre braktis mbledhjen: Kërkova të vërtetohej kuorumi i nevojshëm

Ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku kryetari Lulzim Basha është pritur më duartrokitje në sallë nga anëtarët.

Të gjithë janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur duke pritur kryedemokratin. Ndërsa anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Kondi ka braktisur mbledhjen duke kërkuar që të vërtetohej kuorumi i nevojshëm, që sipas tij nuk u pranua nga Basha. Por burime për Repor Tv bëjnë me dije se i është thënë se do t'i verfikojmë.

‘Në respekt të atyre demokratëve që më kanë votuar erdha të marr pjesë në këtë takim miting pasi kërkova të vërtetohej kuorumi i nevojshëm gjë e cila nuk u pranua nga Basha. Atmosfera e trajtimit të një anëtari të Këshillit Kombëtar ishte nga më të paprecedentat. Se kush i lejon vetes të shkelë procedurat në këtë lloj mënyrë unë nuk e kuptoj dot. Unë refuzoj të bëhem pjesë e një takimi miting në këtë seli që është e shenjtë për të gjithë demokratët.’- tha ai.

Ora 13:28
Basha mbledh sot Këshillin Kombëtar, 'Komisioni i Rithemelimit' të Berishës: Është i paligjshëm, ne i kemi shkarkuar

1639242150_belidndi.jpg

Në orën 15:00 sot Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Këshillit Kombëtar kur paralajmëron përjashtime nga radhët e mbështetësve të Berishës. Mbledhja është konsideruar nul dhe e paligjshme nga 'Komisioni i Rithemelimit', një institucion i krijuar nga Sali Berisha dje në Kuvendin e tij Kombëtar.

"Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar! Dje me 4446 vota Kuvendi Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit për shkelje të rënda statutore, si dhe konstatoi paligjshmërinë e pjesës më të madhe të Kryesisë si të zgjedhur në dhunim flagrant me statutin e PD.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se Kuvendi Kombëtar ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakuumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së re!

Për sa me lart ju njoftojmë se mbledhja e Këshilli Kombëtar  e thirrur nga deputeti Lulzim Basha është nul dhe e paligjshme.  Ju bëjmë thirrje te bojkotoni mbledhjen dhe mos bëheni pjese e paligjshmërisë!

Ju ftojmë gjithashtu te mos bëheni pjese e përçarjes dhe përjashtimeve nga PD për karrigen e thyer te Lulzim Bashës. Sot është momenti të bashkohemi duke dëgjuar zërin dhe vullnetin e demokratëve", thuhet në mesazhin e Komisionit të Rithemelimit, i ngritur nga Berisha në Kuvendin e tij", thuhet në mesazhin e mbështetësve të Berishës.