Dje ishim të çliruar, sot jemi të pabesueshëm!

Dje ishim të çliruar, sot jemi të pabesueshëm!

Diskutimi se kur iku gjermani i fundit, në çfarë ore, ku e hëngri drekën ose darkën para se të largohej, e përcollën me armë apo me duartrokitje, vazhdon dhe e “ushqen” përçarjen tonë kombëtare, si “mos më mirë”.

Përmes një debati të tillë, të dëmshëm, sepse i pa vlerë do të ishte gjysma e së keqes,  historianët tanë duket sikur paguhen për të mbajtur ’shënime’ për ngjarje që ndodhin nëpër botë, siç janë për shembull luftrat e fundit në Gaza dhe Ukrainë.

Meqë nuk e dimë se kur është çliruar Shqipëria, ose nuk kemi deri tani asnjë përgjegjës për falsifikim dhe përderisa njohim dy data të ndryshme, do të thotë se iu kemi dhënë një shans popujve të tjerë rreth nesh të na faktojnë atë që ata pretendojnë ndër shekuj; se ne nuk dimë asgjë për historinë tonë. Për të kaluarën tonë.

Edhe pse historinë thonë që e shkruajnë fitimtarët, ne dimë për luftrat antike në Athinë, betejat më të mëdha të udhëhequra nga Aleksandri i Madh, Jul Çezari, Napoleon Bonaparti etj. Dimë për datat dhe fatin e betejave të shumta anembanë globit sepse ato i kanë shkruar historianët dhe i njeh historia.

Nëse nuk do të ndryshohej zyrtarisht data, dëmi mund të tejkalohej. Nuk kanë dy data çlirimi asnjëra prej ish-vendeve komuniste dhe as vendet e tjera perëndimore. A thua se vetëm Shqipëria u çlirua ose ishim ne që shpëtuam botën nga nazizmi dhe fashizmi?!

Por nëse nuk pajtohemi për datën e Çlirimit të Shqipërisë do të thotë se ne nuk dimë asgjë për luftën anti-fashiste. Si mund të dimë çfarë ka ndodhur në Mesjetë? Për antikitetin është mirë të mos flasim fare. Do të qeshin me ne!

Kështu, debati politik se kur u çlirua Shqipëria jo vetëm që nuk ka asnjë vlerë shkencore, por, përkundrazi, ndihmon që historia jonë të duket sa më e pabesueshme në botë dhe historianët tanë të duken “vegla” në duart e politikanëve. Çka do thotë se e tërë historia e shqiptarëve dhe veçanërisht argumentet që ne do të paraqesim për territore të diskutueshme, nga të tjerët, nuk do të jenë asgjë më tepër sesa pretendime me karakter politik.

Nëse duam t’ju faktojmë serbëve, grekëve, dhe çdo populli tjetër me të cilin kemi pasur dhe kemi mosmarrëveshje, përmes këtij debati, i kemi humbur mundësinë vetes të jemi të besueshëm. Si të na kishin porositur dhe të na kishin paguar armiqtë më të ‘betuar’ të kombit shqiptar, nuk kishim arsye pse ta humbnim një mundësi të tillë!

Shqipëria u çlirua më 29 apo me 28 Nëntor?

Historianët, studiuesit, profesorët e universiteteve përderisa nuk pajtohen për datën e çlirimit dhe e kanë ndryshuar atë zyrtarisht nuk kanë sesi ta dinë studentët, nxënësit dhe qytetarët. Kur dëshmitarët i kemi ende gjallë, provohet se nuk e kanë falsifikuar dhe manipuluar të huajt historinë e shqiptarëve.

Debati i cili merr ‘zjarr’ veçanërisht në ditët kur në fakt duhet të nderohen ata që luftuan dhe u sakrifikuan për çlirimin e Shqipërisë vërteton shkencërisht se vetë shqiptarët e kanë falsifikuar dhe e kanë manipuluar historinë me duart e tyre. Manipulimi nga injoranca apo për arsye të tjera do të shërbejë si një argument i fortë në duart e fqinjëve, që thonë se ne nuk jemi autoktonë në trojet tona, por ne sollën turqit këtu ku jemi sot.  Është dhe do të mbetet turpi ynë për aq kohë se nuk dalin përgjegjësit e këtij turpi kombëtar!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç