Mungesa e Elisa Spiropalit, në seancën e 12 marsit, kur me 82 kartonët e socialistëve u rrëzua kërkesa e SPAK për Belinda Ballukun nuk do të kalojë pa një vendimmarrje mes socialistëve.

Kreu i grupit të PS Taulant Balla njoftoi se deputetët do të marrin një vendim së shpejti.

“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha Balla.

Deklaratë, e cila nuk u prit mirë nga deputetja socialiste. Në një reagim në rrjetet sociale, Edlisa Spiropali shkruan se çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur meriton respekt, por kërkon që në këtë vendimmarrje të flitet troç.

"Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut",- shkruan Spiropali në rrjtete sociale.

 Elisa Spiropali ishte ndër të paktat figura të PS që mungoi në seancën e thirrur për votimin në parlament të kërkesës së SPAK për dhënien ose jo të autorizimit të SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, mungesë që u lidh me betejën e heshtur mes 2 grave socialiste.

Spiropali së fundmi është shkarkuar edhe si ministre e Jashtme, duke u zëvendësuar në vetëm pak muaj në krye të diplomacisë shqiptare nga Ferid Hoxha.

Gjithashtu në mbledhjen e kësaj fundjave të Asamblesë Socialiste, Spiropali u zhvesh edhe si drejtuese politike e Tiranës, detyrë e cila tashmë i është ngarkuar Taulant Ballës.