Pas kërkesës së SPAK për GJKKO, ku kërkonte pushimin e çështjes për Irena Gjokën, juristi Rezart Kthupi ka deklaruar se vendimi për dënimin e gjyqtares nga Gjykata e Janinës, nuk ka rrjedhur nga një proces i rregullt gjyqësor.

Komentet Kthupi i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se vendimi në fjalë është i futur në mënyrë të panjohur në gjykatën greke.

Ai shtoi gjithashtu se i habitshëm është fakti se për rastin e Gjokës gjendet vetëm vendimi, por nuk gjendet asnjë akt tjetër procedural.

“Kur shkohet për të arritur një vendim penal, të gjithë njerëzit që kanë shkuar në Gjykatë e dinë se ka një fashikull gjyqësor. Ka prova, ka dosje hetimore, ka një numër regjistrimi në Prokurori para se të shkosh në Gjykatë. Regjistron numrin e çështjen prokuroria dhe ti në përfundim arrin pastaj që prokurori dërgon çështjen në gjyq, Gjykata vendos dhe pastaj del vendimi. Vendimi del në bazë të një dosjeje me prova, me argumenta me akte proceduriale.

Ajo që është e habitshme në rastin e Gjokës, është se gjendet vetëm vendimi, por nuk gjendet asnjë akt tjetër. Aktet proceduriale nuk asgjësohen. Mbeten gjithmonë në regjistër. Kjo shkon në favor të teorisë që ai vendim nuk është një vendim që ka rrjedhur si pasojë e një procesi gjyqësor, por është një vendim që është futur aty. Ne nuk jemi në gjendje të vlerësojmë si është futur, por në momentin që është futur, Ministria e Drejtësisë greke nuk mund të thotë që vendimi nuk ekziston”, tha mes të tjerash Kthupi.


Lajmi kryesor:

SPAK kërkoi pushimin e çështjes për Gjokën, avokati: Vendimi për dënimin në Greqi i fabrikuar, dokumentin e solli Beleri për llogari të Berishës