Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Lezhë.

Nga rezultati përfundimtar, e zgjedhur në krye të degës është Donika Ndoj e cila ka arritur të sigurojë 571 vota nga anëtarësia pjesëmarrëse në proces.

Në vend të dytë është renditur Salvador Kaçaj me 442 vota, ndërsa i treti në garë, Paulin Marku ka marrë 172 vota.

Procesi i votimit u zhvillua në një klimë të qetë dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme të anëtarëve, të cilët ushtruan të drejtën e tyre për të zgjedhur drejtuesin e ri të degës. Pas përfundimit të numërimit, rezultati u shpall nga komisioni përkatës, duke formalizuar kështu kreun e ri të degës për mandatin e ardhshëm.

Kryetarja e re e degës së PD Donika Ndoj falënderoi të gjithë anëtarët e kësaj force politike për mbështetjen e dhënë dhe garantoi angazhim maksimal në forcimin dhe bashkimin e strukturave të kësaj force politike.