Dosja e 21 janarit po zvarritet nga SPAK, ndërsa prokurorët e SPAK shantazhohen nga Berisha. Kështu ka deklaruar avokati Idajet Beqiri.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se hetimet për këtë dosje duhet të ishin përfunduar prej kohësh dhe duhet që të ishte dërguar për gjykim, duke kujtuar se Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar 21 Janarin si krim shtetëror dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ai tha se ndaj prokurorëve të SPAK, ushtrohet presion nga kreu i PD Sali Berisha. Sipas tij, për këtë arsye, SPAK zgjedh të merret me dosje pa peshë, ndërsa çështje të rënda si 21 Janari mbeten në sirtarë dhe zvarriten.

‘SPAK po kthehet në seksion të PD, po kthehet në një opozitë brenda opozitës dhe meqenëse po vdes opozita këtë pozicion do që ta zërë SPAK, po kjo është e dëmshme dhe dëmton reformën në drejtësi. Dosja e 21 janarit është zvarritur, sepse nuk i del koha SPAK që të merret me këto çështje po merret me çështje të dorës së 3, sepse s’janë as të dorës së dytë. SPAK duhet të merret me 21 janarin që ta përfundojë si hetim dhe ta çojë në gjyq, sepse Gjykata e Strasburgut ka thënë se është një krim shtetëror dhe ata që e kanë urdhëruar duhet që të shkojnë para përgjegjësisë.

Të vrasësh njerëz dhe të mos hyjë një gjembë në këmbë, SPAK merret me tendera dhe me gjëra dytësore. SPAK nuk po shkëputet dot nga linja e vjetër. Prokurorët e SPAK janë të shantazhuar nga Berisha dhe duke qenë të lodhur me pushtetin e vjetër të Berishës, për rrjedhojë ata më të lehtë e kanë që të merren me dosje pa rëndësi. Më të pastër dosje se 21 janari s’ka ku të vejë më, pse e mbajnë në duar pyesin një dëshmitarë njëherë në dy muaj’, tha ai.

Beqiri tha se ndaj Berishës ka nisur një hetim pasuror dhe se është sekuestruar një numër i lartë pasurish që ai zotëron.

 ‘Ka një hetim pasuror ndaj tij dhe janë sekuestruar një numër i lartë pasurish, ai është më i korruptuari i Europës. Po pastron paratë si ishte edhe rasti me LaCivita’, tha Idajet Beqiri.