Dosja e ankimimit/ Kryetarit të Kushtetueses i dalin ‘tepër’ 39 mijë €, 3 njolla në pasuri 

Dosja e ankimimit/ Kryetarit të Kushtetueses i dalin ‘tepër’ 39 mijë €, 3 njolla në pasuri 

Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i Gjykatës Kushtetues Bashkim Dedja nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash 4 934 895 lekë ose 39 mijë euro, ka bërë deklarime të pasakta për dy parlamente dhe nuk ka deklaruar përdorimin e një tjetri. Ky është konstatimi i Komisionerit Publik, Dariel Sina, i cili në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të Vetingut, i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rrëzojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të Bashkim Dedes.

Shqiptarja.com publikon dokumentin me pretendimet e Komisionerit Publik, dokument i cili tashmë po shqyrtohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili do të vendosë për fatin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, nëse do të konfirmohet në detyrë duke lënë në fuqi vendimin e KPK apo do të shkarkohet nga detyra. Komisionerit Publik ka bërë një analizë të shpenzimeve të Bashkim Dedes në të gjitha vitet në raport me të ardhurat. Sipas Komisionerit, Dedja nuk mbulon dot shumat 537.250 lekë në vitin 2011, 3,516,645 lekë në vitin 2013 dhe 481,000 lekë në vitin 2014.

Në vitin 2011, subjekti rezulton me një diferencë të pambuluar në shumën 537.250 lek. Në këtë vit subjekti ka deklaruar kursime apo gjendje cash 9500 euro ose e konvertuar 1,319,935 lekë, gjithashtu gjendja në bankë në fund të vitit ka shkuar 2,361,282 leke (shtuar 1,370,023lek). Kursimet e shtuara në bankë dhe në banesë të subjektit për këtë vit të konvertuara në lekë janë 2,689,958 lek (9500 euro dhe 1,370,024 lekë). Në vitin 2013, ka një diferencë të pambuluar prej 3,516,645 lekë. Në këtë vit subjekti ka blerë apartament + garazh me vlerë 25,236,947 lek. Për këtë apartament subjekti deklaron se ka marrë kredi pranë BKT në shumën 16,800,000 lek, ndërsa diferencën pretendon se e ka paguar me huanë e marrë Por, nga analiza e mëparshme është konkluduar se subjektivet nuk kanë të ardhura të ligjshme të mjaftueshme dhe të vërtetuara me dokumente ligjore për të mbuluar shumën e pretenduar si hua. Pra, në këtë vit diferenca e pambuluar përfaqëson huanë prej 25,000 euro mare borxh dhe e konsideruar si e ardhur jo e ligjshme e personave të lidhur me subjektin. Në vitin 2014, rezulton një diferencë e pambuluar prej 481,000 lekë”, thuhet në ankimimin e Komisionerit Publik. 

Ankimi i komisionerit publik kundër Bashkim Dedjes

Për apartamentin 98 m²
Komisioneri Publik pretendon se Bashkim Dedja ka bërë deklarim të pasaktë për një apartament me sipërfaqe 98 m², ku fillimisht ka deklaruar se posedon 50 %, ndërsa më pas 100 %, pa një kontratë. “Subjekti i rivlerësimit z. Bashkim Dedja, ka deklaruar në pronësi pasurinë e llojit “apartament banimi”, me sipërfaqe 98 m². Deklarimi i pasurisë nga ana e subjektit është bërë fillimisht në deklaratën vjetore të vitit 2003, me burim krijimi të ardhurat nga paga ime dhe të ... shtetasit ... në emigracion nga viti 1993 sipas pjesëve takuese 50 % me 50 %. Në Deklaratën Vetting në vitin 2017, kjo pasuri është deklaruar me burim krijimi nga kursimet dhe të ardhurat me pjesë takuese 100% të subjektit të rivlerësimit. Komisioni konkludon se “Krijimi i familjes dhe stabilizimi në shtetin grek konsiderohet nga trupi gjykues si një shpjegim i arsyeshëm në lidhje me kalimin e kontratës së sipërmarrjes në favor vetëm të subjektit të rivlerësimit”. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, nga analiza e provave të administruara në fashikullin e Komisionit, dëshmohet deklarim i pasaktë i subjektit të rivlerësimit për blerjen e kësaj pasurie”, pretendon Komisioneri. 

Apartament 146 m2
Bashkim Dedja ka deklaruar në pronësi apartament banimi 146 m2” dhe “garazh 15.25 m2”, me vlerë 168 mijë euro. Si burim, subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij dhe të  bashkëshortes, kredi bankare dhe dy hua pa interes. KPK ka arritur në përfundimin se personat kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për t’i dhënë huanë Dedes. Ndërkaq, Komisioneri Publik thotë se provat dëshmojnë mungesën e burimeve financiare të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie dhe deklarimin e rremë. “Për datën e marrjes së huasë subjekti i rivlerësimit shprehet “se nuk e kujton datën e saktë të marrjes së huasë, dhe nëse ishte e njëjtë me atë të deklaratës noteriale”. Për mënyrën e marrjes së shumës 10 000 Euro babai i personit tjetër të lidhur shprehet se ...” në tetor të vitit 2013 pasi u konsultova edhe me ..., nga kursimet tona familjare i kam dhënë shtetasit z. Bashkim Dedja, bashkëshort i ..., një hua prej 10.000 euro për arsye se bleu një shtëpi të re..”. Sipas këtyre rrethanave të paraqitura të ngjarjes është e pakonceptueshme që subjekti i rivlerësimit, në detyrën funksionale që mban, tregohet aq i “pakujdesshëm” sa nuk vlerëson drejt atë çfarë deklaron dhe firmos nën përgjegjësinë e tij të plotë pranë një zyre noteriale”, thotë Komisioneri. 

Deklarim i rremë 
Sipas Komisionerit Publik, kreu i Kushtetueses ka bërë deklarim të rremë në lidhje me kontratën e huasë 10 mijë euro. “Konfirmimi i faktit që huaja është dhënë nga i ati i personit tjetër të lidhur, mund të ishte shprehur shumë mirë në përmbajtjen e asaj deklarate. Natyra e deklaratës noteriale, si provë shkresore, është me fuqinë e akteve autentike, dhe duke shqyrtuar deklaratën respektive shprehet qartazi se kjo deklaratë i është lexuar palëve me zë të lartë dhe të qartë dhe se ato kanë deklaruar se e dëgjuan, e kuptuan, dhe gjejnë të shprehur vullnetin e tyre të lirë dhe të plotë. Në këto kushte, vlerësojmë se jemi para një deklarimi të pasaktë dhe të rremë lidhur me sa subjekti ka deklaruar dhe nënshkruar”, thotë Komisioneri Publik. Gjithashtu, Komisioneri shprehet se dokumentacioni i depozituar nga subjekti i rivlerësimit për të provuar të ardhurat e realizuara nga personi tjetër i lidhur ...., janë deklarata të punëdhënësve në Itali dhe jo nga autoritetet kompetente italiane të cilat dëshmojnë pagimin e taksave në shtetin italian. “Konstatojmë se këto të ardhura nuk mund të konsiderohen të ligjshme, pasi nuk janë lëshuar nga autoritetet zyrtare italiane”, thuhet në ankimim. 

Fshehja e përdorimit të një apartamenti 
Komisioneri Publik pretendon se Bashkim Dedja nuk ka deklaruar në deklaratën Vetingu se ka përdorur një pasuri të paluajtshme. “Subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja, në përgjigje të pyetësorit të hartuar nga Komisioni lidhur me faktin nëse ka përdorur në shtatë vitet e fundit pasuri të regjistruara në emrin e dikujt tjetër, ka deklaruar sa më poshtë citojmë “....kam përdorur herë pas here me ditë, një apartament dhomë e kuzhinë në pronësi të ...”. Pika 11 e nenit 3 të ligjit 84/2016, jep përkufizimin e termit “pasuri”, për të cilën subjektet e rivlerësimit kanë detyrimin ligjor për ta deklaruar dhe në shtojcën “Vetting”.

Subjekti nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në deklaratën “Vetting”, të cilin e ka deklaruar vetëm në përgjigje të pyetjeve të pyetësorit të realizuar nga Komisioni. Subjekti ka shpjeguar se ai nuk ka deklaruar se ka një apartament në përdorim, por ka thënë,- për të qenë sa më transparent- se e ka përdorur ndonjëherë me ditë, gjatë pushimeve të verës,- dhe kjo shprehje nuk nënkupton se ka pasur një marrëdhënie juridike të tillë, për përdorimin e sendit, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil. Komisioni ka marrë në konsideratë shpjegimet e subjektit, dhe ka cituar se...veprimi juridik i “përdorimit të sendit” që parashikojnë dispozitat e Kodit civil nuk ekziston, duke justifikuar mos deklarimin e subjektit të një të drejte reale që faktikisht subjekti e ka mbi sendin”, pohon Komisioneri Publik. Por, në dokumentin e ankimimit, Komisioneri Publik thotë se Bashkim Dedja vazhdon të paguajë energjinë elektrike për këtë apartament. 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gezim Boçari: 03/10/2018 09:22

    Vetingu ka filluar duke analizuar pasurite e gjyqtareve por kjo qe po behet nuk ka lidhje me korrupsionin dhe keshtu nuk pritet ndonje gje e madhe. Gjyqtaret duhet te vleresohen per punen e tyre, per vendimet qe kane firmosur, duke vleresuar nese i kane zbatuar apo i kane shkelur dispozitat ligjore ne fuqi. Reforma ne drejtesi duhet te konsistoje ne vendosjen e afateve kohore per perfundimin e gjykimit te çeshtjeve civile sipas afateve qe kane Austria dhe shtete te tjera. Ne Shqiperi gjyqet e thjeshta per te cilat mjafton 1-2 seanca , proceset zgjasin me vite. Kjo duhet te jete sita e pare per gjyqtaret. Gezim Boçari

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Skuadra më e ndjekur në botë s'është në Evropë, lihet pas Dortmundi! Inter 'mbret' në Itali

Skuadra më e ndjekur në botë s'është në Evropë, lihet pas Dortmundi! Inter 'mbret' në Itali