Kur dikush pushkatohej nga regjimi komunist, me apo pa gjyq, familja e tij merrte përgjithmonë damkën e “armikut”. Nga ai çast fillonte një tjetër dënim, më i gjatë dhe më i ndërlikuar: dënimi i jetës së përditshme. Në Shqipërinë komuniste, bijtë e të shpallurve “armiq” nuk dënoheshin vetëm nga shteti. Ata dënoheshin çdo ditë nga shoqëria, nga sistemi dhe nga frika.

Nuk pranoheshin në kooperativë, nuk kishin të drejtë studimi apo zgjedhjeje, survejoheshin vazhdimisht dhe çdo gabim i vogël mund t’i çonte drejt hetuesisë. Një letër, një takim, një mik apo një fjali e gabuar mjaftonte që jeta të përmbysej.

Kjo ishte jeta që përjetoi Haxhi Petriti pas pushkatimit të të atit dhe burgosjes së xhaxhallarëve. Një jetë nën peshën e biografisë, mes punës së rëndë, survejimit dhe presionit të vazhdueshëm të Sigurimit të Shtetit.

Ai ndërtoi shkolla, ura e furra buke, punoi si murator dhe marangoz, rriti kushërinjtë e vegjël si fëmijët e vet dhe për dekada të tëra mbajti mbi supe barrën e gjithë familjes. Edhe kur punonte më shumë se të tjerët, mbetej sërish i përjashtuar.

Sot, pas shumë dekadash heshtjeje, Haxhi Petriti rrëfen jetën e tij ashtu siç ishte, me bindjen se, të paktën pas rrëzimit të diktaturës, ka fituar lirinë për të folur.

“Një letër mund të të shkatërronte jetën”

Haxhiu kujton se që në moshë të re ishte i vetëdijshëm për rrezikun që e rrethonte. Pas pushkatimit të të atit dhe burgosjes së të afërmve, ai e dinte se çdo lëvizje e tij vëzhgohej.

Një nga episodet që nuk e harroi kurrë ndodhi gjatë shërbimit ushtarak. Një shok skuadre, i përfshirë në një letër drejtuar ministrit të Mbrojtjes, përmendi emrin e tij pa dijeninë e Haxhiut. Kaq mjaftoi që Sigurimi të niste interesimin.

“Kur isha ushtar kam pasur një nga Zëmblaku në skuadër… Pas ca kohësh vjen operativi i brigadës te puna ku punonim dhe më thërret mua: ‘Si e ke njohur? E ke njohur më parë?’ Unë s’e kisha njohur më parë, aty e njoha”, kujton Haxhi Petriti.

Më pas filluan thirrjet në zyrat e Sigurimit dhe përballja me hetuesit.

“Më thërret 3 herë operativi… Erdhi hetuesi nga Tirana. U ngrit të më godiste. I thashë: ‘Po e bëre atë veprim, unë do të të përgjigjem, se unë mbroj këtë’. Operativi i tha: ‘Lëre’. U ul dhe nuk më goditi”, rrëfen ai.

Në Shqipërinë e asaj kohe, një dyshim apo një emër i përmendur gabimisht mund të të shoqëronte për gjithë jetën.

Jashtë kooperativës dhe nën damkën e biografisë

Pas lirimit nga ushtria, Haxhiu u përball me një realitet tjetër të ashpër: familja e tij nuk pranohej në kooperativë për shkak të biografisë.

“U lirova nga ushtria. Në kooperativë nuk na futnin. Xhaxhai ishte në burg, ai tjetri po andej…”, kujton ai.

Në këto kushte, rruga e vetme për të mbijetuar ishte puna. Gjatë ushtrisë kishte ndjekur një kurs profesional dhe ishte bërë murator e marangoz.

“Kur dhamë provimin kanë marrë vetëm 2 veta notën pesë, unë dhe një tjetër nga Shkodra”, thotë ai.

Për të shpëtuar familjen nga presioni i vazhdueshëm, vendosi t’ia dorëzonte tokën kooperativës. Por edhe ky veprim u kthye në problem politik.

“Sekretari i lokalitetit tha: ‘Ç’keni bërë? Tani çfarë t’i bëjmë atij?’ Më thirrën në mbrëmje. U thashë: ‘Veprimet i bëra, tani po t’i ktheni ju prapë, nuk e di’”.

Megjithatë, falë zanatit, Haxhiu arriti të siguronte punë në ndërtim dhe gradualisht të mbante familjen.

Një vizitë që përfundoi në zyrat e Sigurimit

Një tjetër episod i rëndë ndodhi kur një mik i tij, po ashtu me “biografi të keqe”, vendosi të takonte të atin pas shumë vitesh largimi.

“Ai më tha: ‘Kam 10 vite pa e takuar babanë. A do vish edhe ti?’ I thashë: ‘Po vij’”, tregon Haxhiu.

Por vizita përfundoi shpejt në zyrat e pushtetit lokal.

“Na kërkojnë në pushtet… Filluan: ‘Ke gënjyer partinë, ke bërë kështu e ashtu’. Pastaj më thirrën mua: ‘Dyshojmë te ti, do të çojmë në Ersekë’”.

I shoqëruar me armë, ai u dërgua drejt Ersekës, ndërsa gjatë rrugës kuptoi se gjithçka kishte nisur nga një denoncim familjar.

“Ai burri që hipi në makinë ishte xhaxhai i shokut tim. Ai kishte denoncuar për të nipin”.

Edhe pas kthimit në Korçë, Sigurimi vazhdoi ta merrte në pyetje.

“Në fund më pyeti: ‘Nga ky sistem je i kënaqur apo jo?’ I thashë: ‘Jo’. Më pyeti pse. I thashë: ‘Kam dorëzuar 180 dynym tokë dhe punoj larg shtëpisë. Pse mos të punoj në kooperativë?’”

“Na ndaluan edhe leximin e gazetës”

Në vitet e luftës së ashpër të klasave, presioni ndaj familjes së Haxhiut u shtua edhe më shumë.

“1969-a ka qenë një luftë klase për neve të katërt, që ishim burra. Na çuan të bënim dru larg. Punonim më vete, aty ku ishte më keq”.

Izolimi nuk ishte vetëm ekonomik.

“Neve na ndaluan edhe leximin e gazetës”, kujton ai.

Sigurimi vazhdonte të ushtronte presion edhe për kthimin e xhaxhait të arratisur.

“Më kanë thirrur shumë herë mua dhe të shoqen: ‘Ai s’ka bërë gjë, le të vijë’. Po vinte ai? E dinte çfarë e priste këtu”.

Një debat me sekretarin e lokalitetit do t’i sillte probleme të tjera.

“Më tha: ‘Ti je fashist’. I thashë: ‘Fashist është ai që i ka shërbyer fashizmit’. Më mori për inat pastaj”.

Fëmijët e përjashtuar

Edhe fëmijët e tij e trashëguan peshën e biografisë.

“U jepnin triskë rinie. Kur vinin këtu ua merrnin dhe nuk i thërrisnin as në mbledhje”.

Vetë Haxhiu nuk u pajis kurrë as me triskë Fronti.

“Këta na kanë sfilitur, por kemi qenë punëtorë. Unë që 10-11 vjeç kam marrë qesen në krahë për bukën e gojës”, thotë ai.

Kërkimi i pafund për varrin e të atit

Plaga më e madhe e Haxhiut mbeti mungesa e varrit të babait të pushkatuar. Për dekada me radhë ai kërkoi vendin ku ishte ekzekutuar.

“Atje kanë bërë punime dhe morën dhe. Nuk gjetëm gjë”, kujton ai.

Ka kërkuar disa herë, madje edhe me ndihmën e një polici, por pa rezultat.

“Nuk gjetëm gjë… Unë bëra gabim që nuk mora një dorë dhe nga ai vend”.

Në fund, familjarët vendosën simbolikisht pak dhe në varrezat e Korçës, por pa ditur me siguri nëse ishte vendi i saktë.

“Kemi qenë 17 veta. I vumë në varret e Korçës… Po ta dija që nuk do të gjendej kurrë, do të kisha marrë një grusht dhe”.

Kjo mjegullnajë e shoqëroi për më shumë se katër dekada. Një mungesë që nuk u mbush kurrë.

Disa kujtime zbehen me kohën. Të tjerat mbeten përgjithmonë. Jo si histori politike, por si mungesë. Si heshtje. Si një zë që kërkon ende një varr, një emër dhe drejtësinë që nuk erdhi kurrë.

Sot, në fund të jetës së tij, Haxhi Petriti thotë se të paktën një gjë ka ndryshuar:

“Shyqyr të sotmes që e kemi gojën të lirë të flasim. Vetëm për këtë erdhi kjo demokraci…”