'Dosja K'/ Zhivko Petroviç, 17-vjeçari i arratisur në Kosovë, si ra në kurthin e Sigurimit

Zhivko Petrovic është një i persekutuar i diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai jeton në Shkodër  në një apartament të improvizuar, në ish konviktet e Shkollës së Ndërtimit.  Jeta nuk është treguar bujare me të dhe ai ka revoltën e tij, një revoltë që lidhet me dhunën çnjerëzore që ka përjetuar në hetuesitë e regjimit komunist.  Si shkak i kësja revolte Zhivko e ka zgjehdur vetë emrin e tij, duke refuzuar emrin shqiptar që kishte më parë.

A mundet shqiptari t’ja bëjë shqiptarit ato tortura çnjerëzore që u bënë në hetuesitë dhe burgjet e diktaturës? A mundet shqiptari tja shkatërrojë jetën shqiptarit, tja përdhosë dinjitetin, tja rrënoje ëndrrat  dhe shpresat, tja bëjë ferr atdheun, ta përndjekë ta survejojë, ta veçojë dhe përcmojë, derisa askush të mos i flasë në rrugë, askush mos ta përshëndesë, askush të mos e ftojë në një dasëm e askush mos ta ngushëqllojë në një rast vdekje....

Nga viti 1975 e deri në vitin 1992, jeta e Zhivkos ishte kjo. Madje edhe pas ’92 makthet e torturave me elektrok nuk e linin të qetë...

Për këtë shkak, në shenjë revolte, pas renies së diktaturës ai hoqi dorë nga emri i tij shqiptar Mark dhe zgjodhi emrin sllav Zhivko. Shumëkush mund ta gjykojë padrejtësisht, por në emër të dhimbjeve të tij, në emër të respektit për veten ai zgjodhi të revoltohet në këtë formë.

Zhivko na ka pritur në apartamentin e tij në Shkodër dhe ka vendorur të tregojë historinë e tij të dhimbshme gjatë diktaturës. Ai thotë se jeta e tij rrodhi e qetë e pa telashe deri kur mbushi 17 vjeç. Në vitin  vitin 1974, ai nis studimet në shkollën pyjore në Shkodër dhe aty i hapen sytë për një jetë më të bukur e më të lirë. Përtej kufijve, liria kishte kuptim dhe dimension tjetër nga ajo liri që shqiptarët njihnin nën diktaturë.

Zhivko rrëfen se si i lindi ideja për tu arratisur.

 “Unë në vitin 1974 kam ardhur nga Tropoja në Shkollën Pyjore në Shkodër edhe kam vazhduar studimet aty disa kohë. Edhe e pashë që nuk kishte gjë në rregull. Në Shkodër flitej siç shihej në televizor e gjëra, si rinia që ashtu, edhe nuk më pëlqente jeta e Shqipërisë. Edhe kisha një shok aty, shok të ngushtë, edhe duke biseduar i them unë atij, dolëm në qytet për qejf: sikur të ikim, - i them. E kisha shok, e dija që edhe po të mos vinte ai nuk shkonte diku të çonte fjalët. Edhe ai shoku më thotë: unë kam mbetur për një shok pa ikur. I them: po ikim. Edhe vendosëm të ikim. më 1974 kjo bisedë me shokun edhe vazhduam d.m.th. shkollën deri në fillimin e 1975-s. Më 1975 shkuam në Tropojë me pushimet dimërore. Edhe ndenjëm pak ditë atje. U kthyem në shkollë. E kishim bërë planin për t’u arratisur pas Vitit të Ri. Pas Vitit të Ri u nisëm të dy, bashkë me shokun, nga Shkolla Pyjore. I thamë kujdestarit: a na jep leje për të ikur se kemi ca probleme në Tropojë. – Jo, - thotë. I themi edhe mësueses kujdestare. – Jo.  Dhe ne ikëm pa leje. U nisëm, mbyllëm librat në shkollë, morëm vetëm rrobat që duheshin për rrugës, ndonjë lek që kishim marrë për Vitin e Ri. U nisëm në drejtim për të ikur”.

Zhivko thotë se ishin të vendosur dhe mosha, në fund të adoleshencës jua bënte edhe më të lehtë këtë vendim. Koha që kishin zgjedhur për tu arratisur, sidoqoftë ishte e vështirë. Ishte zemra e dimrit dhe terreni nga do të arraiseshin e shtonte shkallën e vështirësisë së kësaj arratie.

“Ishte kohë dimri. Jemi nisur nga pasditja, d.m.th. në janarin e 1975-s. atë natë që ishim nisur për t’u arratisur, kemi fjetur një natë në Pukë, aty në hotel. Aty s’kishim rrezik. Të nesërmen vjen një autobus që shkonte në kam___ e Tropojës, me pasagjerë që ishin nga Tropoja

 Ai shoku e kishte shtëpinë në Zogaj.

Kemi zbritur aty. Është afruar për t’u errësuar nata. Kam shkuar unë se atë e njihnin, në dyqan, kam marrë disa ushqime, i futa në një çantë, se atë natë duhej të flinim jashtë patjetër. Jemi nisur, kemi fjetur në një kodër, quhej Maja e Fushave ajo, është një kodër e lartë, ftohtë shumë, kemi ndezur një zjarr. Ishte një pyll me ca shkurre të vogla, bush quhej ai druri, herë ndizej e herë fikej. Kemi kaluar natën me gazep, nuk flihej, veçse sa të mos vdisnim. Në mëngjes, sapo u gdhi, jemi nisur. Ai e dinte rrugën se e kishte shtëpinë në Zogaj të Tropojës. Por ishte shumë e vështirë se lugina ku hymë kishte mjegull të dendur shumë për t’u orientuar, vetëm kemi parë një postë në majën e një kodre atje. Tha ai: po ecim në këtë drejtim. Kemi ecur në atë drejtim, të dy, krahas. Kur jemi afruar në një luginë kemi parë këpucë ushtarësh dhe kemi dëgjuar të lehurën e qenit, d.m.th. ne mund të binim edhe poshtë, edhe në patrullë, d.m.th. ishte rreziku, atëherë ishim duke shkuar o në vdekje o në liri.

Krah për krah kemi kaluar, kemi ecur edhe disa metra pas brezit. Duke ecur kemi parë një piramidë, një lapidar i vogël si të thuash. E kishim hequr frikën, i kemi rënë nga poshtë e jemi futur në tokën, në Kosovë-Metohi kemi hyrë poshtë aty.

“Kemi mbetur deri nga pasditja duke u sjellë këtej e andej d.m.th. ishte koha kur i jemi afruar ne fshatit, por larg fshatit, po errej nata aty dhe kemi ndier një krismë në mal. Mund të kishte 1 orë ditë, një gjysmë ore, d.m.th. ishte duke u errur. Ishim futur në tokë të huaj, në tokën jugosllave, në Kosovë-Metohi. Kemi shkuar e kemi gjetur 2-3 burra që bënin dru për shtëpi, aty...”

Zhivko thotë se zhgënjimi i parë që hasën sapo vunë këmbë në Kosovë, ishte dyshimi se gjithë ai rrezik që kishin ndërmarrë, mund tju shkonte dëm. Po dyshonin fillimisht se mund të ekzistonte një bahskëpunim mes Sigurimit të Shtetit  me strukturave të rendit në Kosovë.  Ky dyshim do të vërtetohej shpejt. Mendonin se po fluturonin drejt lirisë, por në të vërtetë në Kosovë i priste një kurth.

“Thotë një nga ata: a t’ju kthejmë në Shqipëri se këta ju kthejnë. Nuk e besuam. I thamë: ti je me ata, jeni këtej a andej, ç’është kjo punë, ne kemi ardhur këtej ti na thua t’ju kthejmë andej, ne nuk kthehemi gjallë. Edhe na tingëlloi shumë keq fjala e tij “ju kthejmë se ata ju kthejnë”. Dilte sikur ishte bashkëpunëtor i këtyre ai. kemi fjetur atë natë aty, të nesërmen u kemi thënë të na dorëzonin në shtet për strehim politik. Kanë ardhur makinat e milicisë na kanë marrë, 2-3 makina kanë ardhur. Ne na kanë futur, ishin shoqërues 2-3 d.m.th. me grup policësh për të na marrë. Na kanë futur të dyve bashkë me një milic aty, shoferin dhe ca civilë në makinat e tjera. 3 makina ishin, na kanë çuar në milici aty në Gjakovë. Na kanë pyetur, u kemi thënë të na mbanin aty. U kemi thënë pas, gjatë bisedave që i quanin ata biseda informative: edhe na vrisni dhe mos na ktheni se atje neve na pret burgu, d.m.th. nuk, çdo gjë ka mbaruar, mos na ktheni më. Nuk na thoshin po gjatë bisedës por as jo.

Na kanë mbajtur aty duke na pyetur. Ne menduam se shpëtuam nga e gjitha, menduam që po na çojnë diku. Na pyesnin. Gjatë bisedës njëri nga ata më ka thënë: nuk keni bërë mirë që keni ikur. Ishte civil. Thashë: ne kemi bërë shumë mirë s’kthehemi kurrë. Pas disa ditësh, na linin në një dhomë, herë në hotel herë në një dhomë, jo në burg, të na kyçnin në burg, na kanë marrë, na thonë: tani duhet të ktheheni në Shqipëri. U kemi thënë, ne e morëm si shaka, nuk e besuam për momentin. Ky shoku e dinte rrugën këtej e andej kufirit. Na vunë në makinën e milicisë neve, të zgjidhur. I them unë këtij: a thua po na çojnë në Prishtinë e diku, s’e besoj që po na kthejnë. Ky thotë: për Zotin, mbaruam, e di rrugën, po na kthejnë. E njihte ky se ishte prej Zogajt të Tropojës. Na kanë sjellë në kufi, kemi ndenjur rreth 1 orë në postë, aty ka dalë e nxjerrë një flamur si marrëveshje një milic aty dhe ata flamurin në kufi. Na kanë marrë e na kanë çuar në vijën e kufirit këta me makinë, deri në kufi e ka çuar makinën ai milici i Kosovës. Na kanë pritur, kishin ardhur nga Tirana, nga Bajram Curri një ekip, se sa tani me numër nuk po më kujtohet. Na kanë pritur në mënyrë njerëzore aty, si të të thuash këta presin shokët e vet, si metodat e Sigurimit. U përshëndetën me të, i dha ca letra se çfarë i dha ai, për çfarë u morën vesh ata nuk e di unë. Na morën neve krah për krah, të zgjidhur deri në postë. S’kishe mundësi të ikje se kishe ushtarët aty afër. Na kanë futur në postë. Atëherë ka ndryshuar puna aty...”.

Në ato momente Zhivko thotë se u ndërgjegjësuan se gjithka kishte marrë fund dhe se jeta e tyre do të kthehej shpejt në ferr. Ëndrrat për liri kishin mbetur atje larg në kurthin që kishin lënë pas. Tahsmë një përballje e dhunshme i priste e mbase edhe një kurth i ri që mund ti çonte drejt vdekjes.  

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

U vetëvra me armën e shërbimit, Sheila Haxhiraj reagon pas vdekjes së të vëllait: O dielli im, më mungon që tani

U vetëvra me armën e shërbimit, Sheila Haxhiraj reagon pas vdekjes së të vëllait: O dielli im, më mungon që tani