Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale forcojnë rolin e avokatit gjatë hetimit, i cili sipas kryeministrit Edi Rama nuk do të jetë më dekor në sallën e gjyqit. Me ndryshimet e reja, mbrojtësi do të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të bëjë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura prej tij do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen me të njëjtat kritere ligjshmërie dhe rëndësie si ato të prokurorisë.

Të gjithë personat nën hetim, do të kenë akses të plotë në prova që rëndojnë ndaj tij, si edhe do të marrin pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq.

Nga ana tjetër, prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat dhe provat që e shfajësojnë ose favorizojnë personin nën hetim, dhe jo vetëm ato në mbështetje të akuzës.

“Ndryshimi i dytë i madh vendos barazinë reale ndërmjet mbrojtjes dhe akuzës. Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq. Pa këtë akses, e drejta e mbrojtjes mbetet një premtim në letër.  Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose e favorizojnë personin. Sepse prokurori i një shteti demokratik nuk ka për mision të gjejë patjetër një fajtor. Ka për mision të zbulojë patjetër të vërtetën”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live