19 vite pasi fitoi për herë të parë “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë me filmin ikonik “4 Months, 3 Weeks and 2 Days”, regjisori rumun Cristian Mungiu është rikthyer sërish në majën e kinemasë europiane.
Regjisori rumun Cristian Mungiu mban në dorë çmimin "Palma e Artë"
Drama e tij më e re, “Fjord”, u shpall fituese e çmimit më të madh të festivalit, duke i dhënë Mungiut Palmën e dytë të Artë në karrierë dhe duke e futur në një grup shumë të ngushtë regjisorësh që kanë arritur ta fitojnë dy herë trofeun më prestigjioz të Kanës.
Filmi ka në qendër një çift rumunësh fetarë që zhvendosen në Norvegji për një jetë më të mirë, por përfundojnë në qendër të një hetimi për abuzim ndaj fëmijëve për shkak të mënyrës së ashpër të edukimit që përdorin ndaj djalit të tyre. Në komunitetin e tyre në Rumani, ajo mënyrë rritjeje konsiderohej normale. Por në Norvegji, autoritetet e interpretojnë ndryshe. Kjo përplasje mes kulturave, emigracionit, fesë dhe kufirit të hollë mes disiplinës dhe dhunës është tema kryesore që Mungiu trajton në film.
Në rolet kryesore janë aktorja norvegjeze Renate Reinsve, e njohur nga “The Worst Person in the World”, dhe Sebastian Stan, aktori me origjinë rumune që prej vitesh është bërë një nga emrat më të njohur në Hollivud. Kritikët e kanë cilësuar “Fjord” si një nga filmat më të fortë emocionalisht të këtij edicioni të Kanë, ndërsa shumë media ndërkombëtare e përshkruan si një dramë të ftohtë, të tensionuar dhe jashtëzakonisht aktuale për Evropën e sotme.
Pas Mungiut, në vendin e dytë u rendit regjisori rus Andrey Zvyagintsev me filmin “Minotaur”, një dramë e errët që trajton korrupsionin, tradhtinë dhe degradimin moral në Rusinë moderne. Në vendin e tretë u rendit “The Dreamed Adventure” nga regjisorja gjermane Valeska Grisebach, një histori e vendosur në Bullgari që ndjek jetën e një arkeologeje. Ndërkohë, surpriza e madhe e këtij viti ishte fakti që asnjë prej filmave amerikanë në garë nuk arriti të marrë çmim. “Paper Tiger” i James Gray, me Adam Driver dhe Scarlett Johansson në role kryesore, mbeti jashtë listës së fituesve, ashtu si edhe muzikali “The Man I Love” i Ira Sachs me protagonist Rami Malek.
Fitorja e “Fjord” vazhdon edhe dominimin e distributorit amerikan Neon në Kanë. Kjo është hera e shtatë radhazi që kompania siguron të drejtat e filmit fitues të Palmës së Artë. Vitin e kaluar ishte “Anora” e Sean Baker që fitoi në Cannes dhe më pas triumfoi edhe në Oscars. Me këtë sukses, Cristian Mungiu bëhet regjisori i 10-të në histori që fiton dy herë Palmën e Artë, duke u bashkuar me emra legjendarë si Francis Ford Coppola, Michael Haneke, Ken Loach dhe Ruben Östlund.
Juria e këtij edicioni u drejtua nga regjisori koreano-jugor Park Chan-ëook, ndërsa pjesë e saj ishin emra të njohur si Demi Moore, Stellan Skarsgård, Chloé Zhao dhe Paul Laverty. Në kategoritë e tjera, çmimi për regjisorin më të mirë u nda mes Paëel Paëlikoëski për “Fatherland” dhe dyshes Javier Calvo – Javier Ambrossi për “The Black Ball”.
Virginie Efira dhe Tao Okamoto
Çmimi për aktoren më të mirë shkoi për Virginie Efira dhe Tao Okamoto për interpretimin në dramën “All of a Sudden”, ndërsa çmimi për aktorin më të mirë u fitua nga Valentin Campagne dhe Emmanuel Macchia për filmin “Coëard”, i vendosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Ky edicion i Festivalit të Kanës u dominua nga histori të errëta, drama sociale dhe tema politike, por në fund ishte “Fjord” ai që mori vëmendjen më të madhe dhe vulosi rikthimin e Cristian Mungiut si një nga regjisorët më të rëndësishëm të kinemasë europiane moderne.
Komente







