"Drejt Punës', Kozeta: Si braktisa 
 rrugën e kalldrëmt për studimet

 rrugën e kalldrëmt për studimet">
TIRANE- Vazhdimisht kemi takuar të rinj që vetëm teksa bisedojmë na ofrojnë pozitivitet teksa rrëfejnë arsyet e largimit në Universitete Ndërkombëtare. Ky është edhe rasti i Kozetës, korçares e cila vetëm dy vite më parë arriti që ajo të ndjek studimet master pranë “Research Master on Health Sciences” në Roterdam.

Në këtë rrëfim, pediatria Kozeta Miliku e cila tashmë është bërë pjesë e projektit, i cili konsiston në identifikimin e variacioneve gjenetike që janë përgjegjëse për funksionin e veshkës tek fëmijët, na tregon se me pak guxim arrin çdo gjë, madje shpesh herë i tejkalon edhe pritshmëritë. Edhe pse e bindur se ndoshta një ditë do të ndryshoj edhe Shqipëria, Kozeta e mendon kthimin në atdhe dhe vazhdimin e ëndrrës e pasionit të saj, rrugën e gjatë të mjekësisë dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri.
 
Prej afro tre vitesh ndodhesh në Hollandë për ndjekur doktoraturën në Rotterdam. Ku konsiston doktoratura juaj?
Studimet e mia të doktoraturës janë të fokusuara në fushën e pediatrisë. Qëllimi është studimi i faktorëve të hershëm që influencojnë në funksionin e veshkës dhe presionin e gjakut tek fëmijët. Së fundmi jam përfshirë në një projekt, i cili konsiston në identifikimin e variacioneve gjenetike që janë përgjegjëse për funksionin e veshkës tek fëmijët.
 
Si arrite të ishe pjesë e “Research Master on Health Sciences”, ëndërr e shumë studentëve për të zgjeruar studimet jashtë Shqipërisë...?
Vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, është prezantuar një leksion në sallat e fakultetit për promovimin e projektit Erasmus Mundus-Western Ballkans (ERAWEB). Studentë si Taulant Muka, të cilët kanë qënë pjesë e këtij programi, na treguan rreth eksperiencës së tyre dhe përvojës së përfituar gjatë këtyre studimeve, gjë që me nxiti interesin për vazhduar studimet në këtë program.

Pa hezituar, përgatita të gjitha dokumentet që kërkoheshin dhe aplikova. Në maj të vitit 2013 marr një e-mail,i cili më emocionoi pa masë dhe nuk dija si të reagoja, ishte konfirmimi pozitiv i kërkesës. Isha shumë e lumtur që isha pranuar për të ndjekur një Master Shkencor në Erasmus Medical Centre të Rotterdamit, por gjithashtu edhe pak në ankth, sepse do të ishin 14 muaj larg familjes time dhe Enrit. Duke qenë një ëndërr për të ndjekur studime jashtë, si dhe duke patur mbështetjen e Enrit dhe familjeve tona, në gusht 2013 fillova studimet në Hollandë. Fillimisht duke ndjekur një Master in Health Sciences.
 
Por, pas përfundimit të Masterit, u fokusuat tek Doctor of Science. Ku puna juaj kërkimore e inkorporuar në Generation R që përfshin rreth 10.000 nëna dhe fëmijë?
Pas përfundimit të masterit, fillova doktoraturën dhe gjatë vitit të parë të doktoraturës ndoqa programin e “Doctor of Science”. Duke qenë e interesuar në fushën pediatrike, fillova të punoja në departamentin e pediatrisë dhe në Generation R. Generation R është një cohort që përfshin rreth 10.000 nëna dhe fëmijë. Ky cohort i ka fillimet në Prill të vitit 2002.

Nënat dhe fëmijët ndiqen dhe ekzaminohen periodikisht. Periudha e shtatzënisë dhe fëmijëria e hershme janë pikënisja e shumë sëmundjeve kronike. Fokusi im është identifikimi i faktorëve të hershëm që gjatë shtatzënisë apo fëmijërisë së hershme që ndikojnë në uljen e funksionit të veshkës dhe influencojnë në presionin e gjakut tek fëmijët. Identifikimi i këtyre faktorëve ndihmon në parandalimin e shumë sëmundjeve të më vonshme.
 
Pas një studimi të gjatë në Shqipëri ju nuk u “dorëzuat”; por ndoqët ëndrrën tuaj përtej trojeve shqiptare. Sa e vështirë ka qenë për ty?
Oohh të jem e sinqertë fillimi ka qenë shumë i vështirë. Duke filluar që në aeroport kur lë çdo njeri pas, dhe e vetme merr një rrugë që nuk e di saktësisht ku do të çojë, kush do të presë, ku do të qëndrosh, si do të shkojnë gjërat... Një vend tjetër, një gjuhë tjetër, një kulturë tjetër... Edhe për më tepër klima e Hollandës ka qenë shumë e vështirë, shumicën e kohës çdo gjë gri dhe bie vetëm shi. Gjithashtu metoda e studimit ishte ndryshe nga ajo që ishim mësuar, çdo leksion i zhvilluar në anglisht, por pak nga pak mësohesh dhe përshtatesh me çdo gjë.
 
Ju theksuat se po punoni si hulumtues shkencor në Generation R, një qendër për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Si arrite të jesh pjesë e saj?
Gjatë pjesës së dytë të masterit, përfshihemi në një departament për të kryer punën kërkimore. Koordinatorët e programit(Monique ) të lidhin me profesorët ku ti dëshiron të kryesh punën tënde shkencore. Doja që projektin tim ta realizoja në Departamentin e Pediatrise në Erasmus Medical Centre, ndaj kontaktova me prof. Vincent Jaddoe. Së bashku dizenjuam projektin dhe në janar 2014, me shumë entuziazëm fillova punë në Departamentin e Generation R.
 
Shumë të rinj bëjnë zgjedhjet e gabuara. Ju jeni pjesë e atyre të rinjve që edhe në Shqipëri nuk ka qëndruar besnik vetëm studimeve, por keni kërkuar më shumë nga vetja?
Gjatë viteve si studente në Shqipëri, përveç studimeve të mjekësisë, kam punuar edhe si asistente mjeke. Nuk e mohoj që ishte e lodhshme, por ajo kënaqësi që merrje nga falënderimi i pacienteve dhe njohuritë që përfitoja nga puna nuk kishin të paguar. Dua të falenderoj prindërit e mi, edukata që më kanë dhenë më ka bërë që gjithmonë të eci para, të kërkoj për më shumë, të mos kem frikë nga puna dhe të jem gjithmonë e motivuar për diçka të re.
 
Ju mungon Shqipëria?
Ahh, më mungon shumë. I numëroj ditët për pushimet në vendin tim. Më mungon shumë vëllai, familja, prindërit e Enrit, të afërmit, më mungon shoqëria. Më mungon dielli, më mungon qyteti im (Korça). Më mungon të eci rrugicave me kalldrëm, të përshëndes njerëzit, të flas me ta.
 
Mendoni se një ditë të riktheheni në atdhe për të ndërtuar një tjetër histori suksesi?
Jeta këtej është ndryshe, duket sikur gjithçka është dizenjuar për ta bërë jetesën më të lehtë. Çdo lagje ka parkun e saj, ka këndin e lojërave për fëmijët, ka një zyrë që të ofron ndihmë për pyetjet që mund të kesh ose mund të lindin. Ambienti i punës të motivon që të punosh akoma edhe më tepër.

Pavarësisht të gjitha këtyre, unë jam me shpresën që Shqipëria do t’i arrijë këto standarde, mjafton pak më shumë punë dhe më tepër përkushtim nga të gjithë ne. Sigurisht që po, e mendoj kthimin në atdhe dhe vazhdimin e ëndrrës e pasionit tim, rrugën e gjatë të mjekësisë dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri.
 
Çfarë këshille do t’i jepje studentëve të rinj?
Duhet vetëm pak më shumë kohë për të kërkuar për mundësi studimi jashtë, të cilat janë shumë. Jetesa dhe studimi jashtë të bëjnë të kuptosh më shumë së çfarë kemi dhe se çfarë na mungon vërtet. Të jep një tjetër kënd-pamje për shumë gjëra.

Vërtet do të thosha që Shqipëria ka shumë studentë të mirë. Shfrytëzoni kohën që ju jepet, punoni dhe studioni sa më shumë. Puna dhe studimi do t’ju krijojnë mundësira të mëdha të cilat do ju ndriçojnë rrugën për më tej, për të realizuar endrrën tuaj, pa dyshim edhe rritjen e cilësisë së jetesës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 05 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë