Në një marshim sensibilizues nga shkolla “Fan Noli”, prindër e qytetarë iu drejtuan Ministrisë së Arsimit, me thirrjen e përsëritur për më shumë siguri për fëmijët e tyre.
Me pankarta në duar me mbishkrimin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, më modestë në pjesëmarrje sesa tubimi i parë i mbajtur pas vrasjes së 14-vjeçarit Marin Cani më 18 Nëntor, ata patën edhe një kërkesë.
“Unë propozoj që shkolla “Fan Noli” të marrë emrin e Martin Canit si dhe të vendoset një bust tek oborri i asaj shkolle”, u shpreh një nga pjesëmarrësit.
Nga organizatorët, tubimi u paralajmërua me thirrjen për të bojkotuar mësimin, por shumica e prindërve kishin zgjedhur t’i çonin të vegjlit në shkollë.
“Në shkollën e djalit tim është bërë mësim, e mora dhe erdha në protestë. Jam shumë e mërzitur që shkolla “Fan Noli” nuk e ndërpreu mësimin, por po bën mësim duke festuar me fëmijët festën e atdheut. Dukshëm ka një tendencë për ta mbuluar ngjarjen, në qoftë se ata nuk marrin dënimin e duhur ngjarja do të përsëritet”, shprehet një prind.
Sensibilizim erdhi edhe nga një grup të rinjsh e nxënës shkollash në Lezhë, mbështetur nga këshilltarja e demokratëve Alfrida Marku, me thirrjet që institucionet të ofrojnë kushte dhe siguri në shkolla.