"Drejtësia", SHBA ultimatum
Sali Berishës: Voto reformën 

Sali Berishës: Voto reformën ">
Dy takimet e kryediplomatit amerikan në Tiranë, Donald Lu, me Sali Berishës dhe Lulzim Bashën, jo vetëm nuk kanë prodhuar një kompromis, por e kanë zhvendosur përplasjen PD-SHBA drejt vijës së kuqe. Pas mesazheve verbale të ambasadorit Lu dhe vijimit të rezistencës së Sali Berishës kundër reformës, në lëvizje është vënë Departamenti Amerikan i Shtetit. Në harkun kohor prej 24 orësh, dy përfaqësuesit kryesorë të opozitës shqiptare, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, janë telefonuar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland. Fillimisht, zonja Nuland ka telefonuar Lulzim Bashën, ndërsa një ditë më pas, Sali Berishën, i cili ka në dorë votat e opozitës për Reformën në Drejtësi. Lëvizja e Nuland duket se ka ardhur pas një raporti të hollësishëm të ambasadorit Lu, mbi bllokadën dhe mosmarrëveshjet mes palëve për projektin kushtetues. Në njoftimin e zyrës së Sali Berishës, biseda telefonike përshkruhet si konstruktive, por mesazhi i Victoria Nuland duket se ka qenë i qartë dhe ultimativ, për të votuar Reformën në Drejtësi. Telefonata shënon kulimin e presionit amerikan mbi Partinë Demokratike për votimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa nuk dihet nëse ka një plan B, për të miratuar draftin, në pamundësi të kompromisit. Beteja konsiston në ruajtjen apo zhbërjen e sistemit aktual. SHBA, BE dhe mbi 90 % e shqiptarëve janë për zhbërjen e sistemit aktual të drejtësisë.

Mesazhi
Sipas njoftimit të zyrës së Berishës, ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka mbështetur përpjekjet e ambasadorit amerikan, Donald Lu, për të orientuar mazhorancën dhe opozitën, drejt një kompromisi për Reformën në Drejtësi. Nuland ka vlerësuar rëndësinë e arritjes së këtij kompromisi në ditët në vijim. “Kjo bisedë u përqendrua kryesisht në Reformën e Drejtësisë. Ndihmës Sekretarja e Shtetit Nuland në bisedë theksoi rëndësinë e madhe të kësaj reforme për integrimin e Shqipërisë në Evropë dhe shprehu vlerësimin e saj në përpjekjet e fundit të ambasadorëve të SHBA dhe BE, për një kompromis midis palëve në ditët që vijnë. Z. Berisha theksoi se ai beson se një kompromis, në rast se qeveria dëshiron reformën, është plotësisht i mundshëm. Së fundi, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, zonja Nuland dhe z. Berisha vlerësuan shumë të rëndësishëm një kompromis të mundshëm në ditët që vijnë”, thuhet në njoftim.

Dy kushtet
Sipas njoftimit, Sali Berisha ka artikuluar dy kushte të tjera për reformën, uljen e numrit të institucioneve të drejtësisë si dhe numërimin elektronik, në kuadër të reformës zgjedhore. “Z. Berisha theksoi se thjeshtimi i arkitekturës së institucioneve të drejtësisë është plotësisht i mundshëm dhe u shpreh se shpreson që palët do bien dakord. Kërkesa e opozitës për të votuar, së bashku me nenet e Reformës në Drejtësi, edhe nenin për votimin dixhital, biometrik, do të dëshmonte vullnetin e qeverisë për një proces zgjedhor transparent, jetik për vendin”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i ambasadës
Në një njoftim të shpërndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, thuhet se zyrtarja e lartë e DASH ka kërkuar miratimin e Reformës në Drejtësi pa humbur kohë. Njoftimi i referohet telefonave të Nuland me përfaqësuesit e opozitës. "Ndihmës-Sekretarja Nuland theksoi se udhëheqësit e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit midis Z. Basha dhe Kryeministrit Rama për të rënë dakord për miratimin e shpejtë të një pakete reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi. Nuland theksoi se kjo reformë gëzon mbështetje të mirë mes popullit shqiptar dhe mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së", thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
 
Pikat e kontestuar nga PD
 Rivlerësimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Mandatet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Roli i ILDKPKI në kontrollin e pasurive.
Emërimet në sistem jashtë Shkollës së Magjistraturës.
Formula e zgjedhjes me 3/5.
Institucionet e reja kontrollojnë njëra-tjetrën.
ILD inspekton gjyqtarët dhe prokurorët.
TDD hetohet nga ILD, por merr vendime për inspektimet e ILD.
TDD i nënshtrohet KLGJ/KLP, kurse i KLGJ/KLP, i nënshtrohet TDD.
TDD dhe KLGJ, shqyrtojnë çështjet e njëra-tjetrës.
Shkurtimi i institucioneve nga 11 në 7.
 
 Çështja e zgjidhura
 
Byroja Kombëtare e Hetimit.
Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion.
Mandati i kryeprokurorit Llalla.
Organizimi i prokurorisë.
Roli i Ministrit të Drejtësisë.
Roli i Avokatit të Popullit.
Tribunali Disiplinor i Drejtësisë.
Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi