TIRANË- Për shkak se po afrohen festat e fundvitit, Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet për bizneset që tregojnë mjete piroteknike. Në një komunikim për mediat, Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili tha se uniformat blu kanë shtuar kontrollet për bizneset, teksa i ka paralajmëruar për ndëshkrime në rast se shkelin ligjin.

"Kontrolle në pikat doganore, tregje e njësi tregtare, për parandalimin e futjes dhe  hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit, për  të verifikuar zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2022, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit, si dhe zbatimin e disa detyrave shtesë, të cilat konsistojnë në: Shtimin e kontrolleve çdo ditë, për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuara dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse i tregtojnë ato sipas përcaktimeve "Artikuj të lejuar e të ndaluar"; Rritjen e cilësisë së kontrolleve, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera përgjegjëse, kryesisht me Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në funksion të parandalimit të shkeljeve dhe ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin, si dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shkelin rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve;

Në koordinimin e veprimeve ndërmjet ndihmësspecialistëve të Policimit në Komunitet/SPZ,  Patrullave të Përgjithshme, Policisë Kriminale, me pushtetin lokal dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen në kohë të çdo paligjshmërie që shfqet në territor dhe që cenon rendin e sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. Strukturat vendore të Policisë, në bashkëpunim me shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), do të hartojnë plane të përbashkëta inspektimi dhe kontrolli të befasishëm në të gjitha subjektet e licencuara për magazinimin, tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet tregtare që të mos tentojnë të fusin dhe të tregtojnë lëndë piroteknike e fishekzjarrë në mënyrë të kundërligjshme, pasi do të përballen me ligjin", thuhet në njoftim.

Një apel kanë pasur edhe për prindërit.

"Njëkohësisht kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të blejnë dhe të përdorin fishekzjarrë, pasi rrezikojnë jetën e shëndetin e tyre dhe  shkaktojnë prishje të qetësisë publike", përfundon Vasili.