TIRANE-Ish-zv/ministri i Berishës, Alfred Rushaj të cilit i është besuar nga Lulzim Basha drejtimi i fushatës për zgjedhjet e ardhshme përmes një postimi në Twitter ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për koncesionet e rrugëve, e fundit e paralajmëruar Milot-Fier. Rushaj thotë se koha e Edi Ramës ka mbaruar dhe se asnjë projekt në 3D që vjedh xhepat e shqiptarëve dhe asnjë hajdutëri e re e projektuar nuk do të realizohet.

"Në grahmat e fundit të qeverisë në largim, Edi Ramës s`i ka mbetur gjë tjetër veç të premtojë rrugë 3D. Në ditët e fundit të qeverisjes së dështimit, i vetmi sukses i tij mbeten videot me regji qëndrore dhe propaganda e dalë boje. Asnjë rrugë e premtuar me koncension dhe çmim stratosferik, asnjë projekt në 3D që vjedh xhepat e shqiptarëve dhe asnjë hajdutëri e re e projektuar nuk do të realizohet. Koha e Edi Ramës ka mbaruar" shkruan ai.

Alfred Rushaj para detyrës së re që i është besuar nga Lulzim Basha ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë Berisha.  Ai ka shërbyer si Zëvendës Ministër i  Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013 dhe si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009.