Dreqtësi, "21 Janari”, Apeli
4 vjet burg për katër të vrarë

Dreqtësi, 4 vjet burg për katër të vrarë">
TIRANË - Për katër të vrarët në protestën e 21 Janarit, gjykata e Apelit ka dhënë vetëm katër vjet burg, duke i falur kështu lirinë ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe oficerit në varësi të tij, Agim Llupo. Ngjarja është konsideruar si “vrasje nga pakujdesia”. Ndërkohë menjëherë pas vendimit të Gjykatës kanë reaguar familjarët e viktimave, të cilët thonë se ky vendim është tallës dhe ofendues për ta
 
Gjykata e Apelit u ka dhuruar lirinë ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe oficerit në varësi të tij, Agim Llupo, e cila e ka konsideruar ngjarjen e 21 Janarit si “vrasje nga pakujdesia”. Pavarësisht vendimit për dënimin e dy gardistëve, gjykata nuk i ka dënuar ata për “vrasje me dashje”, siç kërkoi prokuroria, por ua ka ndryshuar akuzën. Kjo ka sjellë reagimin e prokurorisë dhe të avokatëve, që janë shprehur se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë për këtë vendim. Por, më e rëndësishmja e këtij vendimi është fakti se as Ndrea Prendi dhe as Agim Llupo nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Madje, sipas përllogaritjeve, ata kanë qenë në paraburgim më shumë kohë sesa janë dënuar, kështu që u hapet rruga për t’iu drejtuar gjykatës për dëmshpërblim.

Vrasje nga pakujdesia
Seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit, ku relator ishte Ervin Metalla, ish-kreu i gjykatës së Durrësit, i cili është përfolur më parë për vonesën e zbardhjes së vendimit të lirimit të Ilir Xhakjes, ka zgjatur vetëm pak minuta. Rreth orës 15:45, gjykata thirri emrat e të pandehurve për t’u njoftuar nisja e seancës gjyqësore, ndërkohë që të pranishëm ishin shumë përfaqësues të shoqërive civile dhe të ambasadës amerikane, me qëllim për të dëgjuar vendimin e gjykatës për një ndër ngjarjet më të bujshme dhe më të rënda, ku iu morr jeta padrejtësisht katër personave. Por, me vendim të relatorit Metalla u ndalua prania e kamerave në sallën e gjyqit, ndonëse flitet për një ndër dosjet me të rëndësishme dhe të kontestuara të gjyqësorit. Në këto kushte kanë mjaftuar vetëm 5 minuta që gjykata të bënte publik dispozitivin e vendimit për të pandehurit, ndërkohë që në sallën e gjyqit nuk ka pasur ankesa, por vetëm fytyra që shprehnin habi për këtë vendim kaq të “papritur”. “Do të lexojmë vetëm dispozitivin e vendimit të gjykatës, ndërsa të plotë do ta gjeni pranë sekretarisë së Gjykatës së Apelit”, është shprehur relatori në hapje të seancës. Togat e zeza kanë vlerësuar se dy të pandehurit janë fajtorë për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”, duke i cilësuar dy prej krimeve si aksidentale. Gjykata ka shpallur fajtor Ndrea Prendin për vrasjen nga pakujdesia të Faik Myrtajt, duke e dënuar me vetëm 1 vit heqje lirie. Ndërsa për të pandehurin Agim Llupo, gjykata e ka vlerësuar fajtor vetëm për vrasjen nga pakujdesia të Ziver Veizit, duke e dënuar me 3 vjet heqje lirie. Ndërsa mbetet ende pa autor ekzekutimi i Hekuran Dedës.

Liria e dhuruar
Por, duket se çdo gjë ka qenë e përllogaritur më së miri, ose kjo është një koeçidencë e çuditshme, pasi asnjëri prej të akuzuarve nuk do të kthehet në qeli, pasi i kanë përfunduar dënimet e tyre. Sipas të dhënave, ish-Komandanti i Gardës së Republikës, është lënë në masën “Arrest shtëpie në janar të vitit 2012 dhe ka qëndruar me këtë masë deri në shkurt të vitit 2013, pra 13 muaj, ose një vit e një muaj. Në këto kushte, sipas kodit penal, çdo ditë që ai ka qëndruar në “arrest shtëpie” përllogaritet si një ditë burgu, kështu që e ka kryer dënimin prej një viti, që iu dha nga Gjykata e Apelit. Madje, ai ka bërë një muaj më shumë nga dënimi i dhënë, kështu që mund të kërkojë edhe dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Po ashtu, e njëjta përllogaritje vlen edhe për Llupon, i cili në total ka 46 muaj qëndrimi në qeli. Llupo është arrestuar pak kohë pas katër vrasjeve të 21 Janarit 2011 dhe ka qëndruar në qeli deri në shkurt të këtij viti. Pra, ai ka kryer 3 vjet e 10 muaj paraburgim, ndërkohë që dënimi për të është vetëm 3 vite burg.

Reagimi i avokatit
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit nuk është mirëpritur as nga avokatët e Prendit dhe Llupos. Genc Gjokutaj, në një prononcim për mediat ka deklaruar, se klienti i tij është i pafajshëm dhe se vendimi është në kundërshtim me ligjin. Ai ka theksuar më tej se kjo çështje nuk do të mbyllet këtu, por do të ndjekë shkallët vijuese të gjyqësorit. “Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, e cila i dha pafajësinë klientit tim. Ky vendim i sotëm për mua është në kundërshtim me ligjin dhe i pabazuar. Ne do të ndjekim hapat e ankimit. Do jetë Gjykata Supreme dhe shkallët e gjyqësorit që do thonë fjalën e tyre përfundimtare për këtë çështje”, u shpreh mbrojtësi Gjokutaj. Ndërsa pyetjes në lidhje me konvertimin e ditëve të paraburgimit në ditë burgu, avokati i është përgjigjur “Kjo pjesë nuk ka lidhje me faktin se ky vendim është i kundërligjshëm, por më duket se ata e kanë shlyer këtë dënim”.

Prokuroria
Edhe prokuroria mësohet se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. Vendimi i Gjykatës së Apelit erdhi një ditë pasi prokuroria kërkoi në total dënimin me 48 vite burg për ish-kreun e Gardës së Republikës dhe vartësin e tij, Agim Llupo, ndaj të cilëve rëndonte akuza e vrasjes me dashje të tre protestuesve në 21 janar 2009, përpara kryeministrisë. “Kërkoj deklarimin fajtor të pandehurit Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Faik Myrtaj, dënimin e tij me 23 vjet burgim. Deklarimin fajtor të pandehurit Agim Llupo për kryerjen e veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy a më shumë personave, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda, të ndjerit Ziver Veizi, plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, dënimin e tij me 25 (njëzetë e pesë) vjet burgim”, ka thënë prokurori Shkëlqim Hajdari dy ditë më parë, duke shtuar se krimi është kryer me dashje dhe ndërgjegje të plotë nga të pandehurit, të cilët e kanë parashikuar shumë mirë pasojën e veprimeve të tyre.

Çfarë ndodhi më 21 Janar
Më 21 Janar 2011 pas shumë përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, për shkak të goditjeve që kishin pësuar nga sulmi i protestuesve, Garda kishte humbur pozicionin e vet, duke krijuar hapësira mes efektivëve dhe protestuesve, të cilët ndodheshin jashtë rrethimit të Kryeministrisë. Ora shënonte 16:10. Në atë moment, të shtëna armësh janë dëgjuar nga brenda territorit të Kryeministrisë, ku më vonë, sipas prokurorisë, u vërtetua se qëlluan drejtpërdrejt dhe njëkohësisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Ky veprim është pasuar edhe nga qitje të tjera, të realizuara nga efektivët e grupit të zjarrit në Gardën e Republikës. Si pasojë e predhave të qitura nga armët e zjarrit humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Veç tyre u plagosën edhe shtatë persona, mes të cilëve, gazetari Fatos Mahmutaj dhe Aleks Nika. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh. Ngjarja u filmua nga dhjetëra stacione televizive, të cilët duke pasqyruar me profesionalizëm, pse jo dhe me guxim detajet më të imta të zhvillimeve të saj, ndihmuan jo pak për të vërtetën, për atë të vërtetë, për të cilën janë të gjithë të interesuar të jepet drejtësi.

Shkrimi u publikua sot (19.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit