Nga Veriu në Jug të Shqipërisë, në shtëpiza të vjetra e në punishte që ruajnë kërcitjet e shenjat e kohës gjejmë duarartët shqiptarë. Shpesh të harruar, rrallë të nderuar nga pushtetet vendore, vazhdojnë punën e tyre artizanale në heshtje e përkushtim.

Këtë herë ishim në Pogradec me 82 vjeçarin, mjeshtrin Llazi Içka. Gjyshi i tij dhe babai e nisën artin e gdhendjes së drurit duke zbukuruar kisha e duke bërë fuçi rrushi e kupa për të ngritur dolli.

Mjeshtër Llazi punon arrën dhe panjën, asgjë nuk shet edhe pse pensioni i tij i vogël si një mësues i thjeshtë, nuk i mjafton të kalojë në qetësi e mirëqënie ditët e pleqërisë së tij.

Ka njohur poetin e madh Lasgush Poradecin, pinte kafe me të, tregon për fletoret e lapsin që mbante përherë në xhep për të shkruar poezi, por edhe llastikat:"Ooo ishte edhe i ashpër  Lasgushi", tregon mjeshtri.

Dollapët, komotë, vazot, botet e verës janë një mrekulli në studion e mjeshtër Ickës ashtu si dhe kitarra e bërë prej tij, si një himn i serenatave të rinisë.

Veç gazetarëve, do të ishte mirë që çdo qytet t'i vinte në piedestal vlerat e jashtëzakonshme të duarartëve që ndodhen kudo në Shqipëri.